Drafti në parlament për agjentët e SHISH, risitë për t’i mbrojtur ata gjatë detyrës
Për agjentët e shërbimit informativ po përgatitet një ligj, i cii u mundëson atyre më shumë kushte dhe siguri në detyrën që kryejnë. Qeveria shqiptare ka miratuar kërkesën e shërbimit informativ për pajisjen me identitet të fshehtë të agjentëve që infiltrohen për të hetuar grupet terroriste, ato të trafikut të armëve dhe të drogës.
Drafti i dorëzuar në kuvend nga Këshilli i Ministrave parashikon edhe shpërblim për mentorët që trajnojnë punonjësit e rinj. Në rast se agjentët largohen nga SHISH pas një trajnimi duke filluar punë tjetër, projektligji i ngarkon ata me detyrimin për të paguar gjithë shpenzimet financiare të specializimit.
Një kategori punonjësish të shërbimit informativ shtetëror do të pajisen me identitet të dyfishtë për shkak të pjesëmarrjes në operacione speciale me qëllim mbledhjen e të dhënave për terrorizmin, trafikun e drogës, dhe krimet që cenojnë sigurinë kombëtare.
Drafti që e parashikon këtë akt, është dorëzuar nga qeveria shqiptare në parlament për miratim dhe thekson se procedurat për pajisjen, mbajtjen dhe përdorimin e identitetit të dyfishtë do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe ministrit të Brendshëm.