Fshati i ‘mbytur’ nga plehrat, ku shkojnë taksat? Banorët e Qafrrapës: Infeksion i gjallë, viruset janë sheshit
Togjet me plehra në hyrje të fshatit Qafrrap në bashkinë e Këlcyrës, janë kthyer në një shqetësim për banorët, të cilët apelojnë ndaj autoriteteve vendore të ndërhyjnë. Ndërmarrja e Pastrimit në Bashkinë e Këlcyrës në vend të reagojë, ka hequr edhe kontejnerët për grumbullimin e mbeturinave.
Në këtë fshat jetojnë 58 familje të komunitetit egjiptian, të cilët kanë vënë alarmin pasi me rritjen e temperaturave, rreziku për kontaminimin nga sëmundjet ngjitëse është i lartë.
‘Vajtëm kaq vite aty nuk vjen njeri t’i heq. Kemi vajtur në bashki, por nuk vjen njeri t’i heq. Fëmijët vejnë lozin jo këto viruset janë sheshit”, tha një banore e zonës.
“Plehrat janë aty, shkon në këmbë, shkon makina, vuri një zjarr fëmija pasi gënjehet e loz, janë problem“, u shpreh një tjetër banore.
“Nuk ka ardhur bashkia, gënjen dhe plehrat ndodhen ende aty. Sëmundja është sheshit, të tërë jemi të sëmurë, çfarë do bëjmë me këto plehrat”, tha shqetësimin e saj një banore tjetër.
Më parë tre minorenë janë shtruar në spital për pasojë të prekjes me hepatit pasi luanin në afërsi të territorit ku depozitohen mbetjet.
Banorët e këtij fshati thonë se janë pagues të rregullt të taksës vendore të pastrimit dhe si të tillë, kërkojnë shërbim.