Me mision të veçantë/ Policia hedh në ajër 50 dronë, kthehen në “agjentë” krimi (FOTO)

Pandemia e koronavirusit izoloi një pjesë të mirë të shqiptarëve. Por ky virus sipas ekspertëve ka qenë më shumë urban, sesa rural, duke lënë hapësira për kultivim droge në zona pak, ose aspak të populluara.

Kësisoj, në zona pyjore janë mbjellë masive të tëra droge. Kjo është arsyeja, që Policia tashmë përmes një plani masash po mbikqyr të gjitha zonat mbi 500 metra mbi nivelin e detit. Përmes një qarkoreje drejtuar të gjitha drejtorive të policisë në rrethe, kreu i Policisë Ardi Veliu kërkon që të nisin operacionet në terren.

Por, për shkak të terrenit tejet të vështirë në shumë zona të vendit është marrë vendimi për ngritjen e dronëve, që filmojnë dhe fotografojnë çdo parcelë të mbjellë me drogë.

Burime të Policisë shqiptare bëjnë të ditur se janë 50 dronë që do të nisen në operacion antidrogë me malësitë e Krujës dhe Tiranës e më pas në të gjithë Shqipërinë.

Bëhet fjalë për ata dronë që vetëm një muaj më parë u ngritën në qiellin shqiptar për të monitoruar lëvizjet e njerëzve që dilnin nga karantina. Pas këtij “misioni”, dronët tashmë kanë një tjetër “urdhër”.

Thuajse janë kthyer në “agjentë” të antidrogës, pasi asnjë polic nuk do të kishte kohën dhe mundësinë për t’u ngjitur në malësi e të verifikonte parcela të mbjella me drogë.

Të gjithë dronët që deri tani kanë shërbyer për Policinë Rrugore, Drejtorinë e Kufirit, apo Policinë e Rendit do të jenë të “prenotuar” për një periudhë të caktuar kohore pjesë e Departamentit të Policisë Kriminale, kryesisht drejtorisë së antidrogës.

Rreth 350 mijë euro i ka kushtuar buxhetit të Policisë së Shtetit blerja e një droni profesional. Bëhet fjalë për një dron që është i aftë të fluturojë deri në lartësinë 800 metra, nga ku mund të fotografojë, filmojë dhe transmetojë në kohë reale në sallën operative se çfarë ndodh në terren.

Droni, që mund të qëndrojë në fluturim për më shumë se 2 orë, do të jetë në dispozicion kryesisht për mbështetjen e operacioneve policore, patrullimin dhe analizimin e zonave me risk të lartë kriminal apo zonave problematike dhe të thella, sa i takon kultivimit të kanabisit.

Përdorimi i dronëve policorë dhe ushtarakë njihet në mbarë botën, ndërsa për përdorimin civil në disa vende janë caktuar sanksione strikte, për shkak të rrezikut mbi cënimin e privatësisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT