Eurobondi 650 milionë: Ҫfarë fiton Shqipëria përballë tregjeve ndërkombëtare

Emetimi i eurobondit prej 650 milionë eurove nga ana e qeverisë shqiptare në tregjet globale shënon një zhvillim të rëndësishëm politik dhe financiar.

Nga aspekti praktik, arka e shtetit do të ketë më shumë se gjysëm miliardi në dispozicion për të financuar pjesët e saj të holluara nga dy kriza të njëpasnjëshme të rënda, por edhe për të mbushur portofolin e përgjithshëm të borxhit të trashëguar.

Lajmi sapo i shpërndarë nga kryeministri Edi Rama, është bërë i ditur edhe nga portal Global Capital.

Tani pritet që të bëhet e ditur nga ministria e Financave se ku do të shpërndahen këto para, pas një situate të gjatë impasi si pasojë e pandemisë së Covid 19, ku qeveria u deturua të financojë pagat e një numëri të madh punonjësish dhe biznesesh, ndërkohë që pritet edhe një rënie e të ardhurave nga taksat e tatimet.

Lajmi i emetimit të eurobondit i dhënë në mediat e rëndësishme financiare botërore, ka një rëndësi edhe politike, pasi krijon një kordon sigurie të vendit karshi tregjeve globale, në një moment të vështirë për të gjithë vendet e botës.

Pandemia ka tronditur mjaft ekonominë botërore si pasojë e ndalimit të ekonomisë dhe mbylljes së popullsisë në karantinë. BE ka dhënë një sasi të madhe parash nga buxheti i saj për vendet anëtare dhe pritet të shpërndajë një fond edhe për Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria, ndërkaq, përveҫ pandemisë së koronavirusit kaloi edhe një emergjencë të rëndë ekonomike e njerëzore siҫ ishte ajo e tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar.

Qeveria së bashku me BE arritën të mbajnë një konferencë donatorësh, ku u arrit që të mblidhej një shumë prej rreth 1 miliardë eurosh për të financuar rindërtimin por edhe buxhetin e rënduar nga emergjenca.

Eurobondi përfaqëson një blerje të borxhit të vendeve të ndryshme nga investitorë shumë të fuqishëm botërorë, të cilët përveҫse furnizojnë me likuiditet këto vende i japin edhe kredibilitet politikisht por edhe përballë investitorëve të tjerë që kanë interesa për këtë vend, e përkatësisht për Shqipërinë.

Në kohëra të errëta recensioni, qeveritë shqiptare e kanë pasur shumë të vështirë të dalin në tregje, pasi nuk ngjallnin besim tek investitorët, të cilët shikojnë shëndetin e financave publike dhe duan garanci që paratë e dhëna të kthehen.

Siҫ bëjnë të ditur agjencitë, oferta e investitorëve ishte rreth 3.2 mld euro.

Përqindja vlerësohet si tepër e favorshme nga ekspertët, sepse Maqedonia që ka një vlerësim BB+ ka marrë interes më të lartë dy javë më parë.

Ekspertët pohojnë se ajo që e ka ndihmuar Shqipërinë në këtë rast ka qene programimi perfekt i kohës për të dalë në tregje që në këtë rast është meritë e bankave keshilluese, ndërkohë që likuiditeti në tregje është i lartë.

GazetaShqip

Back to top button
LAJMET E FUNDIT