“Shpifjet për Shqipërinë dhe shqiptarët”, letrat që ish-ambasadori shqiptar u ka dërguar gazetave prestigjioze amerikane
Letrat që botohen më poshtë janë shkruar nga Prof. Fatos Tarifa gjatë kohës që ai shërbente si ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (2001-2005) dhe janë botuar në atë kohë. Ato u janë drejtuar kryeredaktorëve të gazetave prestigjioze The New York Times, The Washington Post dhe The Washington Times si përgjigje ndaj informacioneve të pavërteta dhe shpifjeve për Shqipërinë dhe shqiptarët, si një mënyrë komunikimi me publikun amerikan për t’i bërë atij të njohura zhvillimet pozitive në Shqipëri në ato vite.
Në vitin 2007, këto letra u përfshinë në vëllimin To Albania, with Love, shkruar nga Prof. Tarifa dhe botuar nga University Press of America. Gazeta Dita i boton për publikun shqiptar nisur edhe nga vlerësimi që u ka bërë atyre botuesi amerikan i vëllimit në fjalë, i cili shprehet: “Këto letra dëshmojnë…punën që duhet të bëjë një ambasador për të promovuar vendin e tij. Qëllimi i një ambasadori të vërtetë është të jetë perceptues dhe vizionar për të promovuar ndryshimet progresive në interes të vendit të vet dhe të bashkësisë ndërkombëtare”.
Letra shtypit amerikan
Fatos Tarifa
“Fatos Tarifa, Albania’s ambassador to the United States at the time (2005), was widely quoted when he said: ‘If you believe in freedom, you believe in fighting for it. If you believe in fighting for it, you believe in America’”—Peter Lucas, “Why Albanians Love America”, The New York Times (June 14, 2007).
Ose në shqip:
“Fatos Tarifa, ambasadori i Shqipërisë në atë kohë (2005), është cituar gjerësish kur ka thënë: ‘Kush beson te liria, beson se duhet luftuar për të. Dhe kush beson në luftën për liri, beson tek Amerika’ (If you believe in freedom, you believe in fighting for it. If you believe in fighting for it, you believe in America)”—Peter Lucas, “Why Albanians Love America”, The New York Times (June 14, 2007).
1
“Shqipëria është mike e Shteteve të Bashkuara, armike e terroristëve”
Letër kryeredaktorit të gazetës The Washington Times
(Botuar në The Washington Times, më 21 shtator 2001, f. A25).
Një artikull nga Bill Gertz, i botuar në The Washington Times të datës 18 shtator, thotë se individë të dyshimtë të fesë myslimane kanë kaluar—ose kanë qëndruar—në Shqipëri në dhjetëvjeçarin e fundit dhe e lidh këtë me ngjarjet tragjike në New York dhe në Washington, D.C dhe me shkatërrimet që sollën sulmet barbare terroriste të ditëve të fundit. Megjithatë, për fat, informacioni që paraqet zoti Gertz nuk i përgjigjet aspak titullit të shkrimit të tij, “Grabitësit të lidhur me një celulë terroriste shqiptare, thotë CIA” (Hijackers connected to Albanian terrorist cell, CIA says), por, pa asnje bazë, aludon për “një lidhje” mes terroristëve të 11 shtatorit dhe Shqipërisë.
Eshtë e natyrshme që, në përpjekjet për të luftuar murtajën e terrorizmit, nga mediat kërkohet që ato të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, me më shumë kujdes dhe me më pak sensacionalizëm, sidomos kur bota, së bashku me popullin amerikan, sot mbajnë zi. Publiku amerikan nuk ka nevojë për sajime si në filmin “Bishti i qenit” (Wag the Dog), ku njëri nga personazhet, i cili propozon që SHBA të sulmojnë Shqipërinë, i bëhet pyetja “Pse Shqipërinë?” dhe ai përgjigjet: “Pse jo?”. Për fat të keq, ndryshe nga filmi, këtu bëhet fjalë për të vërteta jetësore dhe unë mendoj se qëllimi i shkrimit të zotit Gertz nuk është që të nxjerrë në dritë faktet, por të damkosë Shqipërinë.
Thelbi i çështjes këtu ka të bëjë me përgjegjësinë e gazetarit. Gazetarët mbajnë përgjegjësi për krijimin e asaj çfarë bëhet dije konvencionale dhe qytetarët i mbajnë sytë tek ata jo vetëm për informacion, por edhe për të gjetur një udhërrëfim intelektual.
Detyra e çdo gazetari është që të jetë i përgjegjshëm. Me t’u krijuar, dija konvencionale shpesh gjeneron vetveten. Shumë gazetarë, fjala vjen, ende e konsiderojnë Shqipërinë si një vend njerëzish që synojnë me çdo kusht t’i largohen varfërisë me anije, ose si një vend kaçakësh, që bredhin lart e poshtë fshatrave e qyteteve dhe nuk u binden ligjeve të shtetit. Kjo është shumë larg të vërtetës! Shqipëria është një vend i shekullit të 21-të, me të gjitha bekimet, dhe vuajtjet që kjo nënkupton.
Më lejoni të ritheksoj se dëshira e gazetarëve për të raportuar shpesh i çon ata në përfundime të painformuara e të pavërteta. Ne presim nga media të na ofrojë informacion të besueshëm, që shkon përtej steriotipeve dhe asaj dijeje konvencionale, që shpesh është sipërfaqësore, e gabuar dhe çorientuese.
Gazetari duhet t’i shkojë çështjes në thelbin e saj dhe t’ua shpjegojë atë njerëzve. Dhe të shkosh në thelbin e çështjes është njëlloj si të shkosh në front gjatë një beteje. Është vërtet e rrezikshme, por kjo është e vetmja rrugë që të çon drejtpërsëdrejti tek e vërteta. Dhe ne e dimë se e vërteta jo vetëm na bën të lirë; e vërteta na mban të lirë.
Autori i artikullit ndoshta nuk arrin t’i kuptojë ndryshimet dramatike që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Cilësimi i Shqipërisë si një “vend ish-komunist” dhe jo si një demokraci e re në formim e sipër, siç i referohen asaj prej gati një dhjetëvjeçari, si dhe përmendja e fakteve që i përkasin një periudhe (para vitit 1997) në historinë bashkëkohore të Shqipërisë, të cilat nuk pasqyrojnë më realitetin e sotëm shqiptar, dëshmojnë se zotit Gertz i mungon informacioni i freskët dhe i besueshëm, kaq i domosdoshëm në profesionin e tij.
Si një demokraci e re, Shqipëria përballet me një numër sfidash në përpjekjet e saj për të forcuar institucionet demokratike, shteti ligjor dhe ekonominë e tregut. Shqipëria demokratike është një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara dhe e demokracive europiane. Krizat e fundit në Ballkan kanë dëshmuar, gjithashtu, se Shqipëria jo vetëm që nuk krijon probleme në rajon, por luan një rol të rëndësishëm në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet në Europën Juglindore.
Presidenti George W. Bush, në mesazhin drejtuar pak kohë më parë kryeministrit të Shqipërisë, shprehet se: “Miqësia e ngushtë mes popullit shqiptar dhe atij amerikan është në qendër të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tanë. Të jeni të sigurt se ju keni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që ju vazhdoni punën tuaj për një Shqipëri të begatë, demokratike e të stabilizuar”.
Në një deklaratë në emër të qeverisë shqiptare pas sulmeve terroriste, kryeministri shqiptar rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë “për t’u rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe demokracitë e tjera perëndimore në një aleancë për të luftuar bashkërisht terrorizmin ndërkombëtar”. Ky është vullneti ynë. Qeveria shqiptare ka premtuar gadishmërinë e saj pa rezerva për të vënë në dispozicion të këtij koalicioni gjithçka që është e domosdoshme për arritjen e objektivave të caktuar.
Qeveria shqiptare është e angazhuar që t’i rrisë maksimalisht përpjekjet e saj për t’i bërë kufijtë e Shqipërisë të papenetrueshëm për cilindo element terrorist, si dhe të vazhdojë të kontribuojë me të gjitha mundësitë e saj për forcimin e sigurisë rajonale dhe europiane, duke dhënë shembullin e një faktori paqeje dhe stabiliteti. Për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë vendet e tjerë demokratikë, Shqipëria do të mbetet, si gjithnjë, një partner i besueshëm dhe një aleat i vendosur në luftën e përbashkët kundër një armiku të përbashkët: terrorizmit ndërkombëtar.
Përveç vlerave të përbashkëta të demokracisë, lirive qytetare dhe të drejtave të individit, populli shqiptar ka një lidhje të fortë njerëzore me Shtetet e Bashkuara, një lidhje që ka ardhur duke u forcuar gjithnjë e me shumë që nga koha kur emigrantët e parë nga Shqipëria mbërritën në tokën amerikane më shumë se një shekull më parë. Sot, në Shtetet e Bashkuara jeton me ndershmëri dhe krenari një komunitet i gjerë shqiptaro-amerikan, i barabartë në numër me 10-15 për qind të popullsisë aktuale të Shqipërisë.
Ngjarjet tragjike të javës së shkuar kanë prekur thellë të gjithë shqiptarët kudo në botë. Ata kanë shprehur indinjatën e tyre të thellë ndaj autorëve të këtyre akteve kriminale dhe kanë ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e tyre me popullin amerikan për mijëra viktimat e pafajshme.
Në emër të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të cilën unë e përfaqësoj, dëshiroj të shpreh dhimbjen dhe ndjenjat tona të ngushëllimit për të gjitha viktimat e tragjedisë së 11 shtatorit, si dhe solidaritetin me Shtetet e Bashkuara, liderin e botës së lirë në luftën kundër murtajës së terrorizmit.
Me respekt,
Fatos Tarifa
2
“Shqipëria është një ndër miqtë më të mirë të Amerikës”
Letër kryeredaktorit të gazetës The Washington Times
(Botuar në The Washington Times, më 23 shkurt 2003, f. B2).
Si Ambasador i Shqipërisë në Amerikë, ndihem i nderuar që qeveria e vendit tim nënshkroi deklaratën e Grupit Vilnius, publikuar më 5 shkurt, në mbështetje të qëndrimit të Shteteve të Bashkuara ndaj Irakut. Ky dokument u iniciua nga grupi i ambasadorëve të vendeve të Europës Qendrore e Lindore në Uashington, të cilët, për dy vite me radhë, janë mbledhur vazhdimisht për të koordinuar politikat (e vendeve të tyre) për anëtarësimin në NATO. Për më tepër, unë e çmoj letrën që Kryeministri Fatos Nano botoi ditët e fundit në The Boston Globe dhe në Wall Street Journal, duke falenderuar Amerikën për sakrificat e saj në të kaluarën dhe duke i këshilluar kombet e tjerë europianë që të mos i harrojnë ato sakrifica.
Qëndrimi që mban vendi im në lidhje me Irakun është i qartë dhe i palëkundur. Sadam Husein, i armatosur me armë të shkatërrimit në masë, përbën një rrezik për botën. Do të ishte e papërgjegjshme që një rrezik i tillë të neglizhohej. Sa më i madh numri i vendeve që bashkohen kundër Irakut, aq më e mundur është që Sadam Husein të çarmatoset dhe që regjime të tjerë kriminalë të dekurajohen në përpjekjet e tyre për të shtënë në dorë armë të tilla.
Politika e jashtme e qeverisë shqiptare është në të mirë të interesave të vendit tim dhe të mbarë botës. Unë besoj se zhvillimet e ardhshme do të provojnë drejtësinë e qëndrimit të Shqipërisë.
Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndruar së bashku vitet e fundit për shumë çështje të rëndësishme dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë së bashku edhe për shumë kohë në të ardhmen, si demokraci dhe partnerë të ardhshëm në NATO.
Me respekt,
Fatos Tarifa
3
Letër kryeredaktorit të gazetës The New York Times
(Washington, D.C., 7 dhjetor 2003)
I dashur Zotëri,
Ju shkruaj për t’ju shprehur pakënaqësinë time në lidhje me artikullin e z. Nicholas Wood, “Për shqiptarët ndodh kështu: një fëmijë për një TV” (For Albanians, It’s Come to This: A Son for a TV), botuar në faqen e parë të The New York Times më 13 nëntor [2003].
Para së gjithash, dëshiroj të sjell në vëmendjen tuaj faktin që ky artikull i z. Wood nuk është origjinal. Përmbajtja e tij është raportuar më parë—saktë dhe tërësisht—nga Roma, nga Sophie Arie, në gazetën e madhe britanike The Guardian, më 30 shtator, si një histori mbi trafikimin e fëmijëve dhe mbi një rrjet trafikantësh që u shkatërrua përmes bashkëpunimit mes zyrtarëve italianë dhe atyre shqiptarë. BBC e mori këtë histori nga The Guardian ditën e parë, ndërkohë që e njëjta autore vijoi me një koment tjetër—përfshirë edhe një intervistë me nënën e fëmijës—të cilat i raportoi nga Durrësi, në Shqipëri, dhe që u botuan sërish në The Guardian dy javë më vonë, më 14 tetor.
- Wood, për të cilin, nëse më lejohet të them, kam fare pak respekt, e huazoi këtë histori ose nga The Guardian, ose nga BBC dhe shkroi versionin e tij, të cilin ai e botoi me një titull të deformuar në The New York Times, duke i fyer të gjithë shqiptarët. Më vonë, në nëntor, korrespondentja e Associated Press për Europën Lindore, Danica Kirka, e mori artikullin e z. Wood dhe rishkroi versionin e saj, pa i pasur të gjithë faktet; artikulli i saj u botua në disa gazeta amerikane në fundjavën e ditës së Thanksgiving.
Duke ju shkruar si një diplomat, unë jam i vetdijshëm se duhet të bëj kujdes me gjuhën që përdor. Unë në asnjë mënyrë nuk fajësoj gazetën tuaj të respektuar për artikullin e z. Wood botuar në 13 nëntor. Sidoqoftë, nuk mund të hesht kur shoh se si një artikull sensacionalist “Një fëmijë për një TV” është shndërruar në një legjendë urbane, duke e humbur kontekstin e vet, ndërsa gazetarët, përfshirë edhe z. Wood, vijojnë ta huazojnë subjektin e këtij artikulli nga njëri-tjetri dhe të përdorin një anekdotë për të dhënë gjykime përgjithsësuese.
Unë nuk them se z. Wood ka plagjiarizuar. Duket se ai vetë ka raportuar një pjesë të artikullit të tij nga Shqipëria. Por ai nuk thotë dhe nuk përmend një numër faktesh që janë esencialë për historinë që ai rrëfen. Dhe faktet që z. Wood nuk sjell kanë qenë publikisht të disponueshëm në kohën që ai botoi artikullin e tij në The New York Times në nëntor, pasi historia në fjalë kishte qenë publikuar fillimisht më parë, në shtator, nga The Guardian. Të gjithë faktet ishin, po ashtu, të disponueshëm në uebsajtin e The Guardian.
Faktet dëshmojnë një histori shumë të ndryshme dhe më të mire nga ajo që raporton z. Wood. Ky fëmijë u gjend dhe i tërë rrjeti i trafikantëve u shkatërrua si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes policisë shqiptare dhe asaj italiane. Ky nuk ishte, siç thotë z. Wood, rezultat thjesht i një aksioni të izoluar policor lokal. Historia u bë e njohur sepse i tërë rrjeti trafikues u shkatërrua pas një investigimi të përbashkët shqiptaro-italian, që zgjati një vit. Ky ishte një sukses i madh dhe pikërisht ajo që Qeveria shqiptare ka marrë përsipër të bëjë: rezultat i drejtpërdrejtë i një Plani Veprimesh kundër trafiqeve.
Nëse z. Wood do t’i kishte kushtuar pak vëmendje asaj që kishte raportuar The Guardiangjashtë javë më parë, ai do ta kishte ditur se, si rezultat i bashkëpunimit të suksesshëm mes policisë shqiptare dhe asaj italiane, qindra anëtarë të rrjetit të trafikantëve u arrestuan një vit pasi rrjeti u shkatërrua dhe se policia vazhdoi aksionin e saj derisa u gjetën viktimat. Ky djalë i vogël nuk ishte viktima e vetme që u gjet. Çifti italian që e kishte marrë atë u arrestua, ashtu sikurse edhe babai i tij në Shqipëri, ndërsa fëmija u mor në mbrojtje dhe në kujdestari.
I gjithë ky informacion ka qenë i disponueshëm në gazetën The Guardian në Angli gjashtë javë para se versioni i pjesshëm i z. Wood të botohej në faqen e parë të The New York Times. Versioni i njëanshëm i z. Wood, i cili mjaftohet vetëm me incidentin skandaloz që ka të bëjë me këtë djalë të vogël, nuk u botua deri në nëntor, në një kohë, pra, kur i gjithë ky informacion dhe informacione të reja lidhur me suksesin e Shqipërisë në luftën kundër trafiqeve ilegalë ishin bërë publikë e të disponueshëm. Z. Wood priti deri në fund të raportit të tij për të përmendur faktin që në Shqipëri u krijuan 12 njësi të luftës kundër trafikut, por pa shpjeguar Planin Kombëtar të Veprimit të Shqipërisë, si edhe lidhjen e drejtpërdrejtë të këtij plani me arrestimet e bëra. Ai e quan Shqipërinë një “vend tranzit”, ndërkohë që Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara kishte arritur në konkluzionin—dhe ishte në procesin e botimit të tij—se Shqipëria e kishte përmirësuar seriozisht statusin e saj si vend tranzit dhe kishte marrë iniciativa serioze e të efektshme në luftën kundër trafiqeve.
Është për të ardhur keq që, ndonjëherë, gazetarë të papërgjegjshëm u ofrojnë qytetarëve amerikanë një informacion të shtrembëruar dhe iluzor. Artikulli i z. Wood është një shembull skandaloz i këtij lloji të shëmtuar gazetarie. Ai përmban në vetvete shpifje, një gazetari dukshëm joprofesionale (për shkak të mungesës së kontekstit), paragjykime dhe steriotipizim.
Dhe një vend si Shqipëria, që është miku më i mirë dhe më besnik i Shteteve të Bashkuara dhe që po bën një progres të konsiderueshëm në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, nuk meriton një goditje të tillë pas shpine nga The New York Times, gazeta kryesore në Shtetet e Bashkuara.
Sinqerisht,
Dr. Fatos Tarifa
4
“Armët dhe Al Qaeda: Përgjigjet ambasadori i Shqipërisë”
Letër kryeredaktorit të gazetës The Washington Post
(Botuar në The Washington Post, më 8 shkurt 2005, f. A22).
I dashur Zotëri,
Më duket e drejtë të shkruaj dhe të korrigjoj keqinterpretimet dhe të pavërtetat e botuara në dy letra, që mbajnë datën 20 janar, dhe që kanë të bëjnë me raportimin e saktë, nga John Warrick, në The Washington Post, më 10 janar, lidhur me kontigjentin e armëve kimike që ndodhen në Shqipëri.
Së pari, dua të bëj krejtësisht të qartë se ishte vetë qeveria shqiptare, e cila, qysh më 1993 ka nënshkruar traktatin për shkatërrimin e armëve kimike, ajo që mori iniciativën të bëjë publikisht të ditur ekzistencën e këtyre armëve. Këto armë ishin depozita lëndësh kimike të blera në periudhën e regjimit komunist dhe të depozituara në vende të fshehtë në malet e Shqipërisë, që diheshin vetëm nga Enver Hoxha dhe nga një grusht njerëzish të besuar të tij. Pas vdekjes së Hoxhës, më 1985, dhe shembjes së komunizmit në Shqipëri, më 1991, ekzistenca e këtyre armëve u bë gradualisht e njohur.
Kur qeveria aktuale e Shqipërisë zbuloi ekzistencën e këtyre armëve, ajo informoi menjëherë Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara, duke vepruar në përputhje me udhëzimet e OPCW-së, agjencia ndërkombëtare që monitoron armët kimike. Këto armë kimike nuk u nxorën në shitje as në tregun e zi, dhe as në ndonjë treg tjetër, por vazhduan të ruhen në Shqipëri.
Së dyti, dëshiroj të hedh poshtë komentet fyese të bëra nga John Sitilides i Woodrow Wilson Center for International Scholars, në një letër të dytë, në të cilën ai pohon se Osama bin Laden ka vizituar Shqipërinë dhe ka hapur në vendin tonë një zyrë të kompanisë së tij në mesin ose në fundin e viteve 1990. Ky është një falsifikim i plotë që synon të denigrojë popullin shqiptar dhe qeverinë e tij. Osama bin Laden nuk ka shkelur kurrë në Shqipëri dhe nëse z. Sitilides ka prova që dëshmojnë të kundërtën, ai duhet të dalë hapur dhe t’i bëjë ato publike.
Shqipëria është dhe do të vazhdojë të jetë një aleat i ngushtë i Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Për këtë ka dhënë prova. Edhe pse Shqipëria është një vend i vogël, pa pasuri apo resurse të mëdha, populli shqiptar e çmon lirinë. Nuk është madhësia e një vendi ajo që ka rëndësi, por shpirti i popullit të tij. Kjo është arsyeja pse Shqipëria i ka kontribuar me trupa Koalicionit të Vullnetit për të luftuar për liri dhe demokraci në Irak.
Sinqerisht,
Dr. Fatos Tarifa
5
“Shqipëria qëndron me Shtetet e Bashkuara për Irakun”
Letër drejtuar gazetës The Washington Times
(Botuar në The Washington Times, më 26 mars 2005).
Lajmërimi i disa javëve më parë se Shqipëria—një vend i vogël dhe me mundësi të kufizuara—do të dërgojë në Irak 50 trupa të tjerë, të stërvitur mirë, ishte surprizë për disa vëzhgues kur, në të vërtetë, nuk duhej të kishte qenë i tillë.
Shqipëria ishte një prej 4 vendeve të parë në botë që dërguan trupa luftuese në operacionin “Liri për Irakun”. Shqipëria është ndoshta vendi më proamerikan në botë. Që në fillim, ky vend e shprehu mbështetjen e vet për Shtetet e Bashkuara kur dërgoi 70 trupa komando, të cilat iu bashkuan përpjekjeve të “Koalicionit të Vullnetit” për të sjellë paqe, stabilitet dhe zgjedhje të lira në Irak. Komandot e reja e rrisin numrin e ushtarëve shqiptarë që shërbejnë në Irak në 120.
Në një vend me një popullsi prej vetëm 3.5 milionë, këta trupa përfaqësojnë atë çka Shqipëria ka më të mirë. Pse e bën këtë Shqipëria kur mund t’i ishte shmangur thirrjes së Presidentit Bush për mbështetje, siç bënë të tjerët, kur situata u ashpërsua? Përgjigja nuk është e vështirë. Kush beson te liria, beson se duhet luftuar për të. Dhe kush beson në luftën për liri, beson tek Amerika.
Ndryshe nga shumë njerëz në Europë dhe gjetkë, populli shqiptar nuk e ka harruar se ç’do të thotë të jetosh në tirani dhe në shtypje. Për mëse 40 vite, shqiptarët kanë qenë të nënshtruar nga forcat represive të komunizmit, duke jetuar si të burgosur, pa të drejta, në vendin e tyre. Në ata vite të errët, shqiptarët, të etur për liri, e shihnin me frymëzim Amerikën dhe amerikanët nuk na braktisën.
“Ne shqiptarët jemi një komb liridashës, që e dimë se ç’do të thotë të jetosh i shtypur”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë në një letër drejtuar Presidentit Bush. “Kjo është arsyeja përse ne i mbështesim me gjithë zemër përpjekjet për të çliruar popullin irakian. Dhe, megjithëse jemi një vend i vogël, me një ushtri të vogël, ne ndihemi krenarë që qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë në luftën për t’i dhënë fund mbretërisë së frikës në Bagdad”.
Europa është një rajon i vogël dhe është e vështirë të mos ndeshësh me historinë në çdo hap që bën. Po kështu, nuk mund të mohohen kontributet historike të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të lirisë në këtë kontinent. Kudo në Europë (në Francë, Itali, Belgjikë, Hollandë dhe Luksemburg) ka varreza të mbushura me trupat e ushtarëve amerikanë që ranë në betejë për të çliruar Europën në të dy luftrat botërore.
Megjithëse sot nuk është e modës të flitet për këtë, fytyra e Europës do të kishte qenë shumë e ndryshme në ditët tona po të mos kishin qenë amerikanët që dhanë jetën e tyre duke u përleshur me nazistët në plazhet e Normandisë. Po të mos kishin qenë amerikanët, ka shumë mundësi që sot të mos kishim një Francë, një Britani të Madhe, ose një Belgjikë siç i njohim sot këta vende. Po të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara, ka shumë mundësi që sot të mos kishim vende të lirë në Ballkan.
Duke e angazhuar Shqipërinë në Koalicionin e Vullnetit, kryeministri i Shqipërisë u kërkoi kolegëve të tij europianë që ta vizitojnë Normandinë për të rikujtuar atë që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në emër të lirisë. “Të gjithë duhet ta vizitojmë Normandinë. Ne duhet t’u bëjmë homazh atyre amerikanëve trima, të cilët u përleshën në bregdetin e Omaha Beach duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Ajo që të habit është se amerikanët janë gati ta bëjnë këtë përsëri”, ka shkruar kryeministri shqiptar.
Dhe, pa dyshim, ishte përpjekja e NATO-s, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo që i vuri fre diktatorit serb Sllobodan Millosheviç dhe fushatës së tij të pastrimit etnik në Kosovë, duke provuar para botës se, në emër të lirisë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë dhe janë gati të luftojnë për lirinë e të shtypurve, pa dallim feje dhe besimi.
Kështu ndodhi edhe me Irakun. Rëndësia e përpjekjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara për të çliruar Irakun dhe për të vendosur një qeveri demokratike për të parën herë në historinë e këtij vendi nuk mund të nënvlerësohet. Nuk është hera e parë që Amerika është ndeshur me vetëvrasës masash në kurthin e kulteve të tyre të vdekjes. Kamikazët japonezë në fund të Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të bënin ndaj Amerikës të njëjtën gjë që terroristët po përpiqen të bëjnë sot në Irak. Kamikazët dështuan atëherë, terroristët do të dështojnë sot. Japonia u bë një vend demokratik; kjo do të ndodhë edhe me Irakun.
Ndryshimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe terroristëve islamikë është ky: Terroristët eksportojnë vdekje. Amerikanët eksportojnë liri.
Surpriza, pra, nuk ka të bëjë me vendimin e qeverisë shqiptare për të dërguar më shumë trupa në Irak. Surprizë do të kishte qenë nëse shqiptarët nuk do ta bënin këtë.
Dr. Fatos Tarifa