Marrëdhëniet ‘NGRIVA – SHKRIVA’ mes RAMËS dhe METËS, nga tubimi i 2 marsit te NGAZËLLIMI i djeshëm
Marrëdhëniet mes Presidentit Ilir Meta dhe Kryeministrit Edi Rama nuk kanë qenë asnjëherë njësoj, pasi herë kanë kaluar në akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit, e herë janë takuar me dashamirësi të madhe.
Mosmarrëveshjet për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në muajt e parë të vitit bënë që Presidenti jo vetëm t’i drejtohej Komisionit të Venecias duke akuzuar Ramën dhe qeverinë se po përpiqeshin të shkelnin Kushtetutën, por arritën deri aty sa Meta në datën 2 mars organizoi një tubim paqësor, ku morën pjesë një numër i madh qytetarësh.
Tubimit të Metës iu bashkuan edhe mjaft figura të njohura të artit dhe sportit, ndërsa Presidenti u zotua se do të shpërndante Parlamentin, duke e quajtur të jashtëligjshëm dhe anti-kushtetues.
Por zotimi nuk u mbajt, ndoshta edhe për shkak të pandemisë COVID-19, që shkaktoi një situatë mjaft të vështirë jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën.
Ndryshimet në Kodin Penal ku thuhej se qytetarët që shkelnin karantinimin dhe urdhrat e qeverisë do të gjobiteshin dhe do të burgoseshin shkaktuan shumë zhurmë, duke filluar nga opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare të cilat i quanin këto vendime si shkelje të lirisë dhe të drejtave të njeriut.
Por kur pritej edhe refuzimi i këtyre ligjeve nga Meta, Presidenti i habiti të gjithë, duke i dekretuar dhe duke mbështetur “armikun” e tij politik deri në ato momente, Edi Ramën.
Në disa deklarata të mëvonshme Meta do të lavdëronte punën e mirë të qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, duke zhvilluar edhe mbledhje me ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliun dhe duke e përgëzuar për masat e marra, ndërsa si kurrë më parë filloi të shpërndante postimet e ministrave të Ramës.
Në datën 16 prill Meta mblodhi në Këshillin e Sigurisë Ramën dhe Bashën, ku u diskutua për masat e marra nga qeveria, për paketat financiare dhe çështjen e riatdhesimit.
Por marrëdhëniet e mira mes Metës dhe Ramës do të ndryshonin në javën e parë të majit, kur qeveria i kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës godinën dhe truallin e Teatrit Kombëtar, ndërsa në vetëm pak ditë Këshilli i Bashkisë së Tiranës miratoi shembjen e tij.
Në orët e para të mëngjesit të 17 majit u prish godina e Teatrit Kombëtar, ndërsa mijëra qytetarë dolën në protesta për të mbështetur Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, protesta të cilat u mbështetën nga opozita dhe Presidenti Meta.
Meta në deklaratat e tij u tregua shumë i ashpër me qeverinë dhe Ramën, duke kërkuar nga ndërkombëtarët që të kishte një hetim të plotë mbi mënyrën se si u shemb Teatri Kombëtar.
Akuzat vazhduan për disa javë, me Metën që në çdo raportim javor nga Presidenca akuzonte Ramën për prishjen e godinës së Teatrit, si dhe duke iu rikthyer çështjeve të tjera të lëna pezull, dhe duke shtuar edhe çështjen e KLSH-së ku sipas Metës Kuvendi po përpiqej që të merrte me dhunë edhe kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Por me gjithë mosmarrëveshjet mes tyre, ditën e sotme Rama dhe Meta, të qeshur dhe gjithë hare janë takuar para mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Integrimin në BE, takim që u bë me brryl, për shkak të rregullave të distancimit fizik.
I qeshur u shfaq edhe Gramoz Ruçi, teksa shikonte Kryeministrin dhe Presidentin që i buzëqeshnin njëri-tjetrit, sikur gjithë lufta midis tyre kishte marrë fund dhe pas gjithë atyre debateve ishte vendosur paqja.
Edhe në përfundim të kësaj mbledhje si Meta dhe Rama janë shfaqur mjaft të kënaqur, duke e shprehur edhe para mediave.
Marrëdhëniet mes Ramës dhe Metës herë ngrijnë e herë shkrijnë, ndërsa presim të shohim nëse këtë herë paqja do të jetë vendosur përfundimisht, apo akuzat ndaj njëri-tjetrit do të rifillojnë, duke iu rikthyer “sherreve” të vjetra./Newsbomb.al