Dialogu me Serbinë, Trump: 460 ushtarë amerikanë do të mbeten në Kosovë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe presidentin e përkohshëm të Senatit, Chuck Grassley, se forcat e Shteteve të Bashkuara do ta vazhdojnë misionin e tyre në Kosovë.

Përmes një letre drejtuar këtyre dy zyrtarëve, Trump ka thënë se: “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kontribuojnë në forcat e KFOR-it, të udhëhequra nga NATO-ja, në bashkëpunim me autoritetet lokale, partnerët bilateralë dhe institucionet ndërkombëtare, për të penguar ripërtrirjen e armiqësve në Kosovë”.

Ai ka përmendur se aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it janë të angazhuar 460 ushtarë amerikanë, nga 4,000 persona sa janë në total.

Në mars të këtij viti, dy senatorë amerikanë paralajmëruan se SHBA-ja mund të tërheqë trupat ushtarake nga Kosova nëse nuk do të shfuqizohej tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Qëndrimin e shprehën edhe emisari i posaçëm për bisedimet dypalëshe, Riçard Grënell.

Kjo masë u zëvendësua me reciprocitet nga ish-kryeministri Albin Kurti por u pezullua javën e kaluar nga pasardhësi i tij, Avdullah Hoti, për të hequr sipas tij një nga pengesat e fundit për vazhdimin e dialogut me fqinjin verior.

Dialogu Kosovë-Serbi është pezulluar nga nëntori i vitit 2018 kur kryeqeveritari i kohës, Ramush Haradinaj, nisi politika maksimaliste që do acaronin marrëdhëniet dypalëshe.

Negociatat mes Kosovës e Serbisë ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian prej vitit 2011 dhe kanë për synim njohjet reciproke dhe pajtimin mes shteteve fqinje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT