Rama në kërkim të 6 votave të Kodit, sa peshë reale ka ultimatumi i opozitës parlamentare
Kryeministri Edi Rama vonoi për mbi 5 ditë takimin e kërkuar nga partitë e opozitës parlamentare pas ultimatumit të tyre se nuk do të votojnë marrëveshjen e arritur nën negocimin e SHBA-BE-së.
Një lëvizje e pritshme kjo pas një ultimatumi, ku palët më shumë se për të gjetur një marrëveshje kërkojnë shtigje për të vrimëzuar kundërshtarin.
Kjo pasi shtegu për një “deal” është i vogël; ose Rama duhet të pranojë kushtet e partive të opozitës së re, ose kjo e fundit duhet të tërhiqet.
Mirëpo, realisht opozita parlamentare nuk ka ҫ’humb, por nga ana tjetër Edi Rama nuk mund të “tradhtojë” Bashën, të cilin me shumë “sakrifica” e tërhoqi në marrëveshje.
Kështu që palët më shumë se ultimatum e kanë presion dhe sipas gjasave mund të arrihet në ndonjë lëshim të vogël. Natyrisht me konsensusin e Lulzim Bashës.
Jo më kot zëra të ndryshëm po i bëjnë thirrje kreut të PD-së që të negociojë me Murrizin dhe Hajdarin. Dhe në këtë rast secila palë do të mundohet të dobësojë kundërshtarin.
PS, e vetme shkon tek 78 mandate dhe për të miratuar reformën zgjedhore duhen 84. Pra duhen 6 vota. Në këtë rast ka deputetë që tashmë janë larguar nga opozita e re dhe janë bërë pjesë e asaj jashtëparlamentare.
Kështu për shembull, ndërsa Lefter Maliqi i është atashuar LSI-së, ndërkohë deputeti tjetër Korab Lita është i atashuar pranë PD-së, siҫ edhe Gjetan Gjetani që është pjesë zyrtare e LSI-së. Lefter Koka nga ana tjetër, edhe pse jo i zëshëm është më afër mazhorancës. Rudina Hajdari deklaroi publikisht dje se do ta votojë marrëveshjen, por shtoi enigmën kur shtoi se është kundër Kodit aktual. Deputeti i qarkut Shkodër, Selami Jenisheri, në votime ka qenë përgjithësisht pro qeverisë.
Ndërsa pas daljes publike të Maliqit, në skenë doli edhe emri i Suzana Topit, e ardhur nga lista e PD-së, që deklaroi se do të votonte pro reformës zgjedhore.
Mazhorancës i duhen vetëm katër vota pro për reformën zgjedhore dhe se mbase me këtë reformën synon të ketë bekimin e plotë të opozitës së re, por duhet të llogarisë së PD-ja është kundër ndryshimit të sistemit. Madje dhe zërat nga socialistët kanë qenë kundër, mjafton të kujtojmë qëndrimet e negociatorit Damian Gjiknuri.
Pra jemi aritmetikisht në suazën e 84 votave dhe kërcënimi i Murrizit mund të rezultojë nul.
Por kjo panoramë është në letër, pasi palët, përkatësisht deputetët e opozitës parlamentare do të luajnë deri në minutën e fundit presionin për të fituar diҫka. Po ҫfarë duan të fitojnë?
Një pjesë, si Muslim Murrizi, i cili ka një zonë dhe elektorat kërkon rikandidimin, që mund ta kërkojnë edhe pak të tjerë, duke u nisur nga Koka apo Hajdari.
Të tjerët, sipas gjasave kënaqen edhe me pak….