40 minuta shi bëjnë kërdinë në Berat, përmbyten shumë rrugë e lagje (VIDEO)

Minuta të tëra shiu kanë rënë edhe në Berat, duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Edhe pse për më pak se një orë reshjet kanë shkaktuar përmbytje në çdo aks rruge në qytet dhe në shumë lagje.

I favorizuar edhe nga era e fortë, shiu ka bllokuar si rrugët kryesore ashtu edhe ato të shumë lagjeve të qytetit, duke vështirësuar mjaft lëvizjen e automjeteve dhe të këmbësorëve.

Reshjet intensive të shiut që vijojnë ende pa ndërprerje kanë vërshuar në disa nga rrugët kryesore të qytetit që janë ende nën pushtetin e ujit, ku vështirë mund të qarkullohet.

Situata më problematike paraqitet në akset rrugore “spital-Uznovë”, “Kthesa e Gjykatës”, apo vendin e quajtur Axhensia, ku duket qartë që uji që ka vërshuar në rrugë dhe ka mbuluar edhe trotuaret. Thuajse të gjitha rrugët e qytetit janë në pushtetin e ujit, ashtu si dhe shumë lagje të qytetit, ku është e pamundur të hysh në këmbë.

Kjo situatë në Berat përsëritet sa herë që ka reshje intensive shiu dhe shkak për këtë mendohet të jetë bllokimi i tubacioneve të ujërave të larta, të cilat bëjnë që i gjithë uji të vërshojë në çdo rrugë e lagje të qytetit.

Në rrugë kanë dalë tashmë edhe punonjësit e Ndërmarrjes së Pastrimit në bashkinë e Beratit, të cilët po bëjnë të mundur zhbllokimin e pusetave, në mënyrë që të mundësohet edhe tërheqja e ujit nga rrugët.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT