“Shqipëria, vend tranzit”/ Arabët bëjnë namin, vjedhin banesat pranë Qendrës së Azilit
Qendra e Azil-Kërkimit në Babrru është e mbipopulluar kohët e fundit, ndonëse në kohë pandemie. Aty janë strehuar shtetas nga Siria, Afganistani, Maroku dhe Algjeria. Por prej disa muajsh situata për banorët e kësaj zone është kthyer në shqetësim pasi emigrantët kryesisht të rinjtë në moshë vjedhin banesat ngjitur me kampin, duke kaluar nëpërmjet mureve rrethuese, fakt që vetë banorët e pohojnë përmes prononcime të tyre në Top Channel.
Së fundmi në rrugët e Tiranës mund të shihen shumë emigrantë. Azeldor dhe Çefik janë dy të rinj nga Maroku dhe kanë dy ditë në Tiranë. Ata kanë ecur për 13 ditë nga kufiri i Greqisë për të mbërriturnë kryeqytet. Të pyetur nëse ata njohin bashkëkombas të tyre, të cilët kanë kryer vjedhje, ata thonë se nuk janë marokenët të cilët kryejnë këto vepra penale.
Sipas tyre, marokenët janë të mirë. Nuk shkaktojnë probleme. Kryesisht problematikë thonë ata janë persona nga Algjeria, Tunizia, Libia. Por një tjetër emigrant nga Palestina, i cili qëndron në kampin e Babrrusë pohon tërësisht të kundërtën kur bëhet fjalë se cilat janë shtetasit që kryejnë vjedhjet.
“Hajdutët janë nga Maroku dhe Algjeria. Ka ardhur policia disa herë që i ka shoqëruar, nga tre katër veta. Janë njerëz, të cilët nuk kanë familje dhe dalin vjedhin kryesisht celularë dhe para. Kanë vjedhur edhe brenda në kamp” – thotë emigranti nga Palestina.
Ndërkaq, për shumë nga emigrantët që shihen rrugëve apo po qëndrojnë në kamp, Shqipëria është vetëm një vend tranzit. Ata thonë se kanë punuar nga tre muaj në Greqi dhe me ato para po kalojnë ditët në Shqipëri, por destinacioni final është Franca, ose Belgjika./Top Channel