Fullani shfaqet si analist tani: Keqmenaxhimi i borxhit të çon në katastrofë, më mirë të merren grante dhe kredi të buta

Ligji për Eurobondin thekson se pjesa më e madhe e shumës së mbledhur në tregjet ndërkombëtare do të përdoret për shlyerjen e borxheve të prapambetur dhe përballimin e gjendjes së krijuar nga koronavirusi.

Ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani shprehet për Ora News se nuk përbën problem marrja e borxhit për të shlyer një tjetër pasi pa borxh nuk ka zhvillim.

Në një intervistë më gazetaren Matilda Mcini, Fullani thotë se borxhi është i rrezikshëm dhe të çon deri në katastrofa ekonomike nëse nuk menaxhohet ashtu siç duhet.

Gjithashtu ai thotë se në këtë moment, më e mira për Shqipërinë është marrja e granteve dhe e kredive të buta se sa boxhet.

Fullani: Borxhi nuk është djall. Pa borxh nuk ka zhvillim. Natyrisht që është i rrezikshëm që të çon deri në katastrofa financiare nëse nuk e menaxhon. Pas krizave sidomos të asaj pas vitit 2008 dhe kësaj të pandemisë, ekonomia botërore është përgatitur me masat paraprake por edhe përsa i përket borxhit të lartë në ekonomi. Kemi Greqinë si shembull, Italinë, Spanjën. 

Disa fondamente të politikës monetare kanë pësuar ndryshime. Nuk jam i opinionit për borxhe të larta por atyre të manovrueshme. Do të thoja që Shqipëria të marrë më shumë grante dhe kredi të buta se sa borxhe. Kjo është koha që ne mund të përfitojmë në këtë mënyra. Bota po përgatitet për një borxh shumë të lartë. Vetë Europa do të hyjë në borxh por me një kontroll të rreptë për investimet se ku do të vendosen.

Borxhi prej 650 mln eurosh që ka marrë Shqipëria përmes Eurobondit, për ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani i ka shërbyer shumë ekonomisë në vend.

Ai shprehet se asnjë nga bankat të të gjitha niveleve dhe asnjë kompani e rëndësishme nuk ka falimentuar gjatë kësaj periudhe.

Fullani: I ka shërbyer ekonomisë. Tashmë unë e shoh si rutinë pasi vendi është shumë më ndryshe nga eurobondi i parë. Ekonomia kaloi fazën e vetë të gjatë të krizës. Ne dolëm pas asnjë gërvishtje nga kriza në ndryshim me disa vende të ballkanit dhe të Europës. Nuk kemi patur asnjë mbyllje, falimentim banke apo kompani të rëndësishme. U ftuan investitorë të huaj për të bërë investime kapitale dhe investimet  e huaja direkte u shtuan sidomos ato në infrastrukturë dhe në punësimin afatgjatë. Situata është më ndryshe. Sistemi bankar është më solid. Në të njëjtën kohë edhe stabiliteti financiar është më i fortë. Është i aftë për të marrë borxhe të reja. Koha ishte mjaft e mirë për të marrë borxh.

Ish guvernatori pranoi se pandemia do të lërë gjurmë të thella në ekonominë e vendit, ndaj Fullani thotë se zgjidhja më e mirë për të adresuar këto pasoja duhet bërë reformë në sistemin ekonomik.

Fullani: Për rastin konkret një investim në hidrocentrale është i mirë por ka dhe projekte të tjera që qeveria i ka në xhepin e vetë ose do t’i vendos së shpejti. Pandemia do të lërë gjurmë të thella në ekonomitë botërore. Në vendet e vogla ka shumë gjasa të ketë pasoja më të rënda. Është e rëndësishme rishikimi i modelit ekonomik. Dy partitë e mëdha të shohin mundësinë e një reforme strukturore ekonomike. Gjatë kësaj periudhe 5-6 vjeçare. Pas pandemisë do të na dalin sfida të reja. 

Ne duhet të përfitojmë nga ky moment, jo vetëm prej Eurobondit, po në përgjithësi për ta bërë vendin më atraktiv në mënyrë që jo vetëm t’i bëjmë ballë krizave të ardhshme por të jemi të aftë të bëjmë ballë problemeve të rëndësishme gjatë kësaj periudhe. 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT