Dita e qokave për datëlindjen e “përbashkët” të PS-së dhe Lulzim Bashës

Siҫ dhe pritej, sot do të ishte dita e qokave. Ngaqë është dita e ditëlindjeve: Ajo e partisë që qeveris vendin; PS, si dhe Lulzim Bashës, kandidatit për kryeministër.

Në këtë datë të shënuar kanë shpërthyer qokat “bipartizane” në rrjete, që urojnë jetë të gjatë “kryeministrit të ardhshëm” dhe ata që urojnë Kryeministrin e sotëm.

E pas qokave janë rreshtuar komentet, liket e zemrat pafund në rrjetet sociale, duke dhënë një atmosferë feste dypalëshe në një kontekst paqeje të firmosur nën patronazhin e ambasadorëve të SHBA-së e BE-së në Tiranë.

E në këto qoka ranë në sy dedikimet që vinin nga lart. Edi Rama, shpërndau një video të kuruar me kujdes në montazh, ku shfaqeshin dy pamje: Partia Socialiste e Fatos Nanos, pra e shkuara dhe ajo e Edi Ramës-e sotmja, me Gramoz Ruҫin në mes si njeri i dy epokave dhe diku dukej Pandeli Majko, si kryeministri socialist që drejtoi vendin në periudhën e luftës së Kosovës.

Një mesazh ku Rama jo pa qëllim ka mënjanuar shfaqjen e Ilir Metës, apo të Monika Kryemadhit në video shoun e tij, nisur edhe nga fakti që LSI-ja tashmë është një nga kundërshtaret më të egra të socialistëve.

Videoja niste me Dritëro Agollin, partiarkut të PS-së, dhe në sfond fliste një zë që dukej si të aktori të famshëm Antony Hopkins nga një dramë epike.

Ndërkaq, Erion Braҫe, numri dy i qeverisë, politikan veteran i socialistëve që nga vitet 90, shpërndau një mesazh me nota patetike, ku i thurte apologji militantit të thjeshtë dhe mbështetësit besnik të partisë.

Është bërë tashmë zakon në Shqipëri, ku në raste të tilla eventesh, shfryhen shumë dashuri e emocione ndaj atyre që qëndrojnë poshtë, mesazhe që jepen nga ata që janë lart për të prekur në tela njeriun e thjeshtë.

Ndërkohë që në vende të tjera, si në Itali për shembull, raste të tilla, janë një mundësi për forume e diskutime shumë të gjalla mbi idetë dhe konceptet politike.

Ata quhen festa dhe thuajse të gjithë partitë i bëjnë, ku përveҫ ziafeteve të gëzimeve e argëtimeve me ushqime, pije e muzikë, ka forume diskutimi të “peshave| të rënda, ku dialogojnë njerëzit më të rëndësishëm të mendimit, intelektualë e politikanë, mbi rrugëtimin dhe përballen me realitetet politike.

Partitë nuk janë auditor klerikal ku ka predikues e besimtarë që qajnë e ngashërejnë duke u lutur e ngashëryer, por realisht janë klube idesh ku më shumë rëndësi sesa masa kanë konceptet politike dhe ballafaqimi me to.

Erion Braҫe i dedikohet militantëve dhe atyre që e mbështesin partinë, por ata nuk janë masë besimtarësh të verbër, por njerëz që kanë hyrë në një formacion politik për të dhënë diҫka e natyrisht për të marrë shumëҫka.

Natyrisht në Shqipëri shumë hyjnë për një vend pune, për një favor, për një qokë, por realisht duhet që një forcë politike të sjellë një risi apo reformë që i shërben vendit, nëpërmjet zbatimit të ideve që përfaqësojnë.

E natyrisht në këtë diskutim, më mirë se apologjia do të ishte përballja e sfidave, pyetjet e njerëzve për besimin që i kanë dhënë PS-së në dy mandate qeverisëse.

Pra, si kjo klasë politike i ka shërbyer vendit dhe si sillet përballë opinionit publik, duke mos sjellë arrogancë dhe gafa që mbushin rrjetet sociale.

Më shumë se një dedikim, ditë të tilla do të shin më mirë për një reflektim, për një hapje diskutimi që i mungon shoqërisë shqiptare, ku më shumë se dialog ka vetëm monologje që vijnë nga lart.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT