Pasojat e rrëzimit të Ardian Dvoranit nga KLGJ

Vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili i kërkoi anëtarit të Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, të largohet nga detyra, me argumentimin se i ka mbaruar mandati, ka shkaktuar reagime të pritshme politike nga palët.
Ardian Dvorani, përveҫ se anëtari i Gjykatës së Lartë, i vetmi i “mbijetuar” nga vettingu, është kryetari aktual i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe njeriu më i sulmuar nga Presidenti Ilir Meta.
Dvorani e përballoi sulmin ndaj Metës, duke deklaruar se vendimet e marra nga KED kanë qenë kolegjiale dhe në bazë të ligjit, si dhe bëri të ditur se ishte i hapur që të hetohet nga Prokuroria, ku Presidenti dërgoi paditë e tij.
Mazhoranca deri pak kohë më parë, mbrojti fort Dvoranin, duke bërë të ditur se Presidenti po shkel Kushtetutën dhe kompetencat e tij, pasi KED është një institucion i pavarur.
Meta gjithashtu, i kërkoi KLGJ-së të shkarkojë për Dvoranin, ndërkohë që Këshilli që qeveris gjyqësorin kërkoi të “lajë duart”, duke i bërë thirrje OPDAT dhe EURALIUS, pra misioneve të SHBA dhe BE-së që të shprehen për rastin.
Të dy këta misione bënë të ditur se nuk mund të shpreheshin për rastin konkret, pasi ata mund të japin këshilla për raste parimore e jo individuale.
Nëse ka një sinjal që duhej vlerësuar si i tillë, ishte takimi që ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi me Ardian Dvoranin, pikërisht në ditët që u sulmua nga Meta. Një sinjal për të dhënë të kuptohet se SHBA mbështet pavarësinë e gjyqësorit.
Por kjo përplasje duket se nisi të davaritet ditë pas dite dhe mes palëve: Presidentin dhe mazhorancës, ku nisi një klime qetësie dhe “dashurie”.
Meta edhe pse ktheu disa ligje të mazhorancës, firmosi ndryshimet në Kodin Penal për kohën e pandemisë, ҫka u cilësua si ekzagjerim nga qarqe të opozitës dhe të shoqërisë civile. Një shkelje syri Rama-Meta u mor si sinjal paqtimi.
Pikërisht në këtë klimë, sapo mbyllet karantina e pandemisë, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, postoi një twitter-bombë, ku bënte me dije se ka një marrëveshje për të ndaluar reformën në drejtësi, gjë të cilën SHBA nuk do ta toleronte.
Edi Rama dhe Lulzim Basha u rrekën të deklaronin se ishin dakord me ambasadoren amerikane.
Pas këtyre Mesazheve, Presidenti në fillim shfaqi kundërshtitë e tij me ambasadoren e SHBA, madje arriti që të mos e presë në zyrë duke i nxjerrë këshilltarët, ҫka shkaktoi edhe një incident diplomatik, por më pas u arrit që Meta dhe zonja Kim të takohen në zyrën e kreut të shtetit.
Kaluar këto incidente, ndodhën negociatat maratonë për reformën zgjedhore, konsensusi e marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentare; pra PD e LSI vendosën që të hyjnë në zgjedhjet e radhës.
E në këtë klimë, erdhi dhe takimi i famshëm i Këshillit të Integrimit, apo “takimi i bërrylave”, kur Rama dhe Meta dhanë spektakël në publik, duke shpërndarë një imazh se ata jo vetëm janë të qeshur, por kënaqën edhe Gramoz Ruҫin.
Si butë, butë, në ditët që pasuan këto zhvillime dhe tensionit për rritjen e infektimeve me Covid 19, në mes të Gjendjes së Emergjencës Shëndetësore, Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaron se Ardian Dvoranit i ka mbaruar mandati. Vetë i interesuari e kontestoi ashpër vendimin.
Por menjëherë qarqet pranë Presidentit këndojnë fitore.
Dilema pas këtij vendimi është: ose mazhoranca ka shtrënguar në një farë mënyre KLGJ-në të merrte vendimin që e mori, ose realisht ajo nuk i kontrollon institucionet që qeverisin gjyqësorin.
Politikisht mazhoranca është krejt e pa interesuar që të “tradhtonte” Dvoranin, pasi ky i fundit nuk është më një person, por realisht është fenomen i ekuilibrit në gjyqësor, duke parë edhe rolin e tij në KED.
Nëse mazhoranca do ta bënte këtë, do të duhej të merrte sinjal, edhe nga ana tjetër për gjyqtarët që i ka mbaruar mandati dhe qëndrojnë në detyrë, si zonja Vitore Tusha, kreu faktik i Gjykatës Kushtetuese.
Kancelaria e së cilës mbajti anën e Ilir Metës pas incidentin me Arta Vorpsin.
Ish-ministri i Ilir Metës, Ylli Manjani, ka kërkuar me argumente ligjore që largimi i Dvoranit duhet të ndiqet nga ai i Tushës, ndryshe ҫdo zhvillim do të sjellë përplasje.
E në fakt, argument i Manjanit qëndron, duke marrë parasysh zhvillimin se vendimi i KLGJ për Dvoranin kërkon të vendosë një standard, i cili edhe pse ekstraligjor është një instrument korrektues.
Por ky korrektim, nëse nuk është matur mirë, mund të minojë tërë ekuilibrin e brishtë e institucioneve ende të pa ngritura të Reformës në Drejtësi.
Ndryshe, do të ishte një standard i dyfishtë, që peshoren e Drejtësisë së Re e anon nga një palë, konkretisht nga Meta. i cili Reformën si mekanizëm, nuk se kërkon ta korrektojë; Presidenti e konteston në thelb, ndaj e quan Rama-Reformë.