Si ndikon niveli i “analfabetizmit funksional” në ekonominë dhe cilësinë e jetës

Entela Resuli

Pandemia e COVID-19 ka pasur një impakt negativ në arsim dhe në procesin e të nxënit. Në raportin e Bankës Botërore, rreth 50% e 15-vjeçarëve në Shqipëri janë analfabetë funksionalë. Kosova ka përqindjen më të lartë, ndërsa Serbia mban rezultatin më të mirë me 38%.

Në raport theksohet se në Ballkan mund të ketë një rritje të përqindjes së personave që nuk zotërojnë nivelin elementar në lexim nga 53% në 61%. Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor kanë ofruar mësimin nga distanca, në raport thuhet se shumë nxënës mund të braktisin shkollimin.

Ajo që evidentohet në raport është rritja e hendekut të arritjeve në arsim mes nxënësve që vijnë nga familje më të varfra dhe atyre që vijnë nga familje më të pasura. Kjo sepse nxënësit nga familje të varfra e kanë më të vështirë të kenë qasje në mësimin nga distanca. Në Shqipëri sipas të dhënave të PISA, 28% e studentëve nuk kanë një kompjuter.

Banka Botërore shton se mosndjekja e shkollës bën që nxënësit të mos mësojnë asgjë të re dhe të harrojnë atë që kishin mësuar tashmë.

“Është e rëndësishme të ngushtoni hendekun midis pabarazive urbane dhe rurale që janë të përhapura në të gjithë rajonin”, shkruhet në raport.

Banka Botërore sugjeron mbështetjen ndaj mësuesve dhe prindërve në mënyrë që ata të ndihmojnë fëmijët të qëndrojnë të përfshirë në shkollë.

Analfabetizmi funksional, i cili sipas Bankës Botërore, mund të pësojë rritje si rrjedhojë e këtyre arsyeve, nënkupton që personat e prekur nuk mund të përdorin shkrimin, leximin dhe llogaritjet bazë për zhvillimin e vetes apo të komunitetit të tyre.

Për të diskutuar mbi këtë raport por edhe për ta parë më nga afër situatën në vendin tonë, kemi biseduar me pedagogen dhe një nga njerëzit që ka qenë gjithmonë pranë arsimit, Majlinda Keta.

-Zonja Keta, një Raport i Bankës Botërore ngre alarmin se mbyllja e shkollave si pasojë e koronavirusit do të sjellë humbje të konsiderueshme në rezultatet mësimore, thellimin e analfabetizmit funksional në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ju si e shihni këtë pohim?

Studimet e Bankës Botërore, ky i fundit që vini në fokus, janë studime në vijimësi të problematikave të arsimit në mbarë botën, Ballkanit si rajon dhe Shqipërisë si pjesë e tij. Matje të tilla si ajo e nivelit apo dhe e llojshmërisë me të cilën shfaqet analfabetizmi funksional apo braktisja e shkollës  në Ballkan dhe Shqipëri më shumë se të dhëna për gjendjen e tanishme të aftësimeve të 15-vjeçarëve lidhen së pari me vënien në dukje të emergjencave dhe këshillimet që jepen për rishqyrtimin e politikave të ndjekura në 9 vite shkollim të tyre që përgjithësisht përkon me detyrime global, por më së shumti edhe kushtetuese të shteteve dhe qeverive të ndryshme në kuadër të luftës me varfërinë dhe mundësitë për zhvillim duke fuqizuar politikat kundër pabarazisë shoqërore, gjinore, klasore apo rajonale.

Së dyti, BB ndjek me shqetësim të dhënat e arsimimit të fëmijëve në Ballkan edhe sepse në 2015 raporti  i PISA-s mbi cilësinë në arsim përkonte me një agresivitet të të dhënave mbi prezencën e “analfabetizmit funksional” në rajonin tonë dhe në kushtet e pandemisë duhet të mbahej edhe më nën monitorim pasi pritej përkeqësimi.

Së treti, niveli i “analfabetizmit funksional” ndikon direkt mbi shkallën e produktivitetit në ekonomi, cilësinë e jetesës, nivelin e institucionalizimit po pjesëmarrjen demokratike të çdo shteti. Ky fenomen i egërsuar në arsim përkeqëson drejtpërsëdrejti ekonomitë e brishta të shteteve ballkanike, ekonomi ku pastrimi i parave dhe paratë nga krimi dhe korrupsioni ecin paralelisht me defiçite tepër të larta të borxhit të brendshëm, përkeqëson cilësitë e qytetarit pjesëmarrës e votues demokracitë ballkanase  që po tentojnë dhe kanë rrëshqitur edhe në tendenca autokratike.

Së katërti, Ballkani për Evropën, por dhe për botën përbën një mjedis human ku emigracioni  qysh nga këto mosha vijon të ketë një kurbë në rritje dhe cilësia e arsimimit të tyre jep pasojat në tregun e punës, ekonomi, cilësi jetese dhe demokracinë e vendeve pritëse apo ku zgjedhin të shkojnë edhe në rrugë ilegale me qëllim që të sigurojnë punë e jetesë.

-Raporti konstaton se 50 % e 15-vjeçarëve në vendin tonë janë analfabetë funksionalë, çfarë mendoni për këtë shifër dhe pse-të e saj?

Shifra ka qenë dhe vijon të jetë shqetësuese që do të thotë që minimalisht qysh nga 2006 (për Raportin PISA 2015) por edhe reformat e pretenduara 9 vitet e fundit (qysh nga 2011) duhet të vlerësohen dhe rishihen urgjentisht pasi ky kontingjent fëmijësh ku 1 në 2 dominohet nga analfabetizmi funksional duhet konsideruar si  tepër rriskoz për cilësinë e tregut të brendshëm të punës, mundësitë e rritjes ekonomike në vend, cilësinë e jetës dhe shëndetin e familjeve shqiptare sikurse edhe për cilësinë e qytetarit shqiptar si votues dhe pjesëmarrës në demokraci. Të dhënat flasin për mundësi të tronditjes edhe më në themel të qasjeve tona ndaj mirëqenies shëndetësore, mendore, vlerore pse jo edhe trashëgueshmërisë si shoqëri. Bashkuar edhe me të dhënat mbi Kosovën këto të dhëna kthehen në një kërcënim real kombëtar. Po t’í referohemi viteve kur është dëmtuar sistemi arsimor në cilësi (qysh nga 2006 me logjikën e matjes së PISA) ne kemi qenë brenda një periudhe kohore kur kemi qenë pjesë përbërëse edhe e 2 krizave të përbotshme, ajo ekonomike në 2008-ën  dhe ajo e refugjatëve në 2015, sidomos në BE. Megjithatë nëse analizon buxhetimin për arsimin, llojet e reformave të pretenduara me bujë, llojet dhe cilësinë e investimeve në arsim, cilësinë e stafeve ministrore  e kupton lehtësisht pse-në e kësaj gjendje.

Për mua ka qenë totalisht e pritshme dhe do të vijojë të jetë e tillë dhe në vijim nëse nuk do të bëjmë ndryshime radikale në konceptimin e rëndësisë së arsimit për modelin ekonomik të zhvillimit të vendit dhe cilësinë e demokracisë në vend që po rrëshqet me shpejtësi drejt një autoritarizmi  në çdo segment të jetës ekonomike dhe politike në vend.

Buxhetimi minimalisht në 5% të  PBB mbetet ëndrra në sirtar qysh prej marrjes së MSA-it dhe që vijon si e tillë ndonëse pretendojmë të marrim “PO”-në e radhës për proceset integruese në vend. Një vend që për kërkimin shkencor dhe arsimin e lartë(përfshi këtu edhe degët që prodhojnë mësues) harxhon një shifër aq komike sigurisht që nuk i jep mundësi vetes të rivitalizohet. Tek ne në arsim, në vitet që po flasim, përgjithësisht mungojnë drejtuesit vizionarë dhe kurajozë në arsim pasi i ka mbytur, asgjësuar, defaktorizuar, luftuar në mënyrë të paskrupullt politika maxhoritare në qeverisje por dhe shtojcat kur u realizuan në koalicion. Ne sigurisht do “prodhojmë” analfabetë funksionalë pasi kemi degjeneruar në vijim statusin ekonomik dhe imunitar të mësuesit dhe pedagogut.

Mësuesit tanë, vendet e tyre të punës mund tí cënojë edhe një politikan, deputet apo nëpunës politik që ka mesatare mjerane universitare dhe asnjë CV për aftësim udhëheqësie të provuar. Kjo lloj politike e mbrapshtë, mirëfilli antikombëtare, ka asfiksuar dhe vijon të asfiksojë energji, krijueshmëri dhe inivacion nga radhët e mësuesve dhe pedagogëve të cilat janë oksigjendhënëse për fëmijën e edukuar me mendim kritik, krijuaeshmëri dhe art në mendim e veprim. Heqja dorë nga angazhimi i shtetit nga kualifikimi i mësuesve është një tradhëti që i është bërë pikë së pari cilësisë së edukimit të fëmijës por edhe vetë cilësisë së mësuesve.

Drejtimi i këtyre të fundit drejt shitoreve të krediteve për kualifikim është dhunimi i konceptit të dijes dhe vetëkualifikimit për mësuesin. Tekstet tona, cilësinë e tyre e rrëmbeu, dhunoi pseudoreforma e ALTERTEKSTIT nga bixhozçinjtë e politikës që arsimin nuk e shohin si një të mirë publike kombëtare por e kanë kthyer, e detyrojnë të kthehet në një mall ku shitet e blihet çdo gjë. Po e rreshtoj të fundit por jo për nga rëndësia, asfiksimi dhe goditja e demokracisë së brendshme në shkollë dhe prej saj drejt komunitetit nga ndërhyrjet politike dhe mediokriteti në vizion po aq sa falsiteti dhe fasada kanë cënuar në cilësi aftësimin e fëmijës qytetar, edukimin ,e bazë përgjegjësitë personale dhe në emër të komunitetit. Tash së fundmi, me menaxhimin e mësimit online kuptuam edhe më mirë se ne ishim analfabetë funksionalë edhe për mësimin online se institucionin arsimor online ne ende nuk e kemi vizionuar as si pjesë e ligjit, as si rubrikë investimesh për burimet njerëzore, as si tekste e për më tepër për infrastruktura dhe administrim arsimi.

Ajo që është pohuar në dokumentin e Bankës Botërore është plotësisht i vërtetë, realist dhe tepër kërcënues për të ardhmen e çdo shqiptari, menduar kjo në Shqipëri apo jashtë kufijve të saj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT