10 kate pallat pa leje/ Vettingu i zbuloi luksin, Fatmira Hajdari në lot para KPK: Berisha më ndihmoi me kredi…

Gjyqtarja e gjykatës së Apelit të Tiranës Fatmira Hajdari ka dalë sot në seancë dëgjimore përballë trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të Vettingut për t’u vlerësuar në tre shtylla, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti. Përballë trupës së vettingut gruaja e Azem Hajdarit ishte e shoqëruar edhe nga avokati Maksim Haxhia.

“Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka dërguar raport në KPK në të cilin deklaron se subjekti ka kryer deklarim të pastër, nuk rezulton me konflikt interesi, nuk ka kryer fshehje të pasurisë. Por Fatmira Hajdari nuk ka deklaruar 887m2 truall në 2013, 2015 dhe në deklaratën e vettingut. Tre njësi dhe 12 apartamente te Vilat Gjermane, 207,400 euro, pasuria në total. Gjithashtu ka mospërputhje të deklarimit të një apartamenti në deklarimet e vitit 2003 dhe në deklaratën vetting. Në deklaratën vetting nuk janë deklaruara qartë pasuria e lartëpëmendur 207,400 euro.

KPK konstaton se subjekti nuk ka deklaruar fillimin e punimeve investimin në një godinë 5 katëshe, dhe gjithashtu edhe të një objekti 10 katësh, ndërsa për këtë të fundit janë regjistruar të gjitha në emër të familjarëve. Ndërtimi 10 kate pa leje. Ka filluar në 2012 dhe mbaruar në 2014. Në 2013 ka bërë kërkesë legalizim. Deri në 5 kate e ka ndërtuar subjekti pra Kiri me Fatmirën. 5 kate i ka shtuar nië kompani ndërtimi. Ndërtimi në një pjesë toke të zaptuar dhe jo pronë e familjes Hajdari.

Djali Kiri Hajdari ka shitur një lokal me vlerë 160 mijë euro tek Qyteti Studenti, të ardhura që sipas Hajdarit janë përdorur për ndërtimin e godinës. Në lidhje me të ardhurat nga bar kafeja ndër vite është konstatuar se nuk ka qenë fitimprurës në vitet 2009-2011, ndërsa mungon dokumentacioni i të ardhurave.

Mungon informacioni në lidhje me të ardhurat. Ka blerë dy makina Mercedez Benz 53 mijë euro dhe 19.800 euro. Fatmira Hajdari ka marrë borxh nga motra 20 mijë euro por nuk e ka deklaruar. Ka fshehur apartament me sipërfaqe 126 m2 marrë tek shoqëria I.shpk. ” thekson KPK-ja.

Po ashtu, KPK akuzon se edhe djali i madh i gjyqtares ka fshehur pasurinë. “Kiri Hajdari po ashtu ka fshehur pasuri duke mos i deklaruar në deklaratat e pasurisë si detyrim për shkak të mamasë gjyqtare. Nuk ka deklaruar aksionet në disa shoqëri” thotë raporti.

DSIK fillimisht ka sjellë një raport duke thënë se është e përshtatshme, por pas rishikimit e ndryshoi për shkak se Hajdarit i është refuzuar viza për në SHBA. “DSIK ka sjellë raport duke thënë se është e përshtatshme për të vazhduar detyrën.

Kemi bërë verifikime të mëtjeshme paçka raportit të DSIK. E kemi pyetur nëse i është refuzuar hyria në BE apo vend i NATO-s. Hajdarit i është refuzuar viza për në SHBA. Hajdari na është përgjigjur nuk më është refuzuar viza në asnjë shtet të BE apo SHBA. Fatmira Hajdari ka gënjyer. DSIK na ka sjellë një tjetër raport duke thënë se pas rishikimit të informacioneve Hajdari është e papërshtatshme për të vazhduar detyrën“.

Por avokati Maksim Haxhia thotë se DSIK ka gabuar për cështjen e vizës. “DSIK ka gabuar për vizën. Nuk penalizohet. Formulari thotë prononcohuni mqs u është refuzuar viza. Pra do të thotë aplikoni e s’ju jepet viza. Në rastin konkret Hajdari e ka pasur vizën dhe i është revokuar.

Ambasada i ka thënë e keni të revokuar pasi jeni në proces vettingu e deri sa të mbaroj vettingu e keni të revokuar. Ende nuk e dimë cfarë datë është refuzuar viza. I kemi kërkuar ambasadës informacion. 26 janar 2017 ka bërë deklaratën e vettingut dhe se ka ditur” tha ai.

Lotët ishin justifikimi i Fatmira Hajdarit përballë gjetjeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. E përlotur, gjyqtarja u shpreh se “pas vrasjes së Azemit na kanë ndihmuar persona të ndryshëm për ta restauruar banesën. Ish kryeministri Berisha pa shtëpinë e amortizuar dhe na ndihmoi me një kredi 25 milionë lekë të vjetra. Nuk kam gënjyer për asgjë” tha Hajdari.

“Pse dy biznesmenë harxhojnë 160 mijë euro për një biznes të dështuar?”/ Përfaqësuesi i ONM “gozhdon” me pyetjet Fatmira Hajdarin

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT