Marrëveshja me Serbinë, Thaçi zbulon dy kushte për t’u takuar me emisarin e BE-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka përjashtuar një takim të mundshëm me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili sot pritet të mbërrijë në Kosovë.

Thaçi ka thënë se do të takohet me Lajçakun, por ka vendosur dy kushte. “Në moment që eventualisht zbret, ekipet tona do të komunikojnë me njëra-tjetrën, nëse ka diçka konkrete, nuk ka arsye për të mos u takuar. Lajçaku duhet të jetë i qartë në dy gjëra: në liberalizimin e vizave, nëse ka diçka konkrete për qytetarët e Kosovës dhe nëse do ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Nëse jo, atëherë është një mision i dështuar nga ana e tij”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë për medie.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se ftesa e SHBA-së për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë është hap përpara për Kosovën.

“Institucionet e Kosovës pas ftesës së SHBA-së nga Trumpi dhe Grenelli për të vazhduar dialogun në Shtëpinë e Bardhë, janë përgjigjur pozitivisht dhe mirëpresin këtë hap vendimtar dhe shumë të drejtë të SHBA-së me besim të plotë se është koha të lëvizim përpara si shoqëri por edhe për paqe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Definitivisht qytetarët e Kosovës e meritojnë progresin e zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës”, tha Thaçi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT