Vaksina e Covid-19/ Francezët kundër dhe italianët pro, po shqiptarët?

Mëngjesin e sotëm në emisionin “Wake Up” në Top Channel u fol për shpikjen e vaksinës së Covid-19. Aktualisht e gjithë bota po përballet me pandeminë koronavirus, e si pasojë shumë kompani farmaceutike në të gjithë botën kanë nisur punën për shpikjen e një vaksine e cila do të jetë efikase në parandalimin dhe imunizimin e popullatës.

I ftuar në studio ishte mjeku i njohur, Genc Sulçebe, i cili u shpreh se “vaksina është e vetmja zgjidhje e këtij problemi”. “Që kjo pandemi të stopojë duhet që 60 për qind e popullatës botërore të jetë e prekur. Vaksina e arrin këtë 60% të imunizimit të popullatës shumë shpejt. Po punohet në punë intensive, të paktën tetë kompani në botë deri tani kanë filluar me provat klinike në njerëz dhe rezultatet janë premtuese”, tha ai.

Deri tani Organizata Botërore e Shëndetësisë ka identifikuar rreth 102 projekte të kompanive që po merren me kërkimin e avancuar të vaksinave kundër koronavirusit. Ndërkaq në këtë situatë shtetet kanë nisur bashkëpunimin mes tyre për sigurimin e dozave për popullatën. Franca, Gjermania, Holanda dhe Italia kanë nënshkruar një kontratë me kompaninë farmaceutike “Astra Zeneca” për të furnizuar qytetarët e vendeve të tyre me vaksinën e koronavirusit.

Sipas të dhënave kontrata bën fjalë për 400 milionë doza të vaksinës së mundshme, e cila është duke u zhvilluar në Universitetin e Oksfordit në Britaninë e Madhe. Në një sondazh ku morën pjesë 1 mijë persona nga vendet e G-7-ës, në Britani, Kanada, Francë, Gjermani, Itali, Japoni dhe SHBA, rezultoi se:Në Francë, vetëm 58 % e njerëzve të pyetur thonë se i besojnë vaksinës antikovid, përqindje kjo më e ulëta mes 7 ekonomive më të avancuara të botës.

Në Gjermani 67% e të intervistuarve thonë se duan të vaksinohen, ndërsa më të predispozuarit janë italianët dhe britanikët, përkatësisht me 74 dhe 78 për qind. Qëndrimet kundër vaksinave, francezët i shprehin edhe për sa i përket vaksinimit të fëmijëve.

Vetëm 56 për qind e njerëzve në Francë thonë se “pa dyshim” apo “ndoshta” do i vaksinojnë djemtë dhe vajzat e tyre, kjo përqindje arrin në 64 në Gjermani, 73 në Japoni dhe 74 në Britaninë e Madhe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT