Covid19/ Manastirliu e prerë: S’ka tolerancë për të pabindurit, s’kemi polic për çdo person

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është takuar ditën e sotme me inspektorë të task-forcës anti-Covid19.
Gjatë këtij takimi, ministrja u shpreh e prerë së do të ketë 0 tolerancë për subjektet që shkelin protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga Covid19. “Çdo shkelje duhet të konsiderohet si rrezik për shëndetin e qytetarëve,” u shpreh ajo.
Manastirliu u ka bërë apel subjektve të respektojnë protokollet e sigurisë dhe ka kërkuar nga inspektorët të jenë çdo ditë në terren me zero tolerancë për çdo subjekt që nuk zbaton masat ndaj COVID19, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qyetarëve.
“Cdo shkelje duhet të konsiderohet si rrezik për shëndetin e qytetarëve, ndaj ju duhet të forconi punën në terren, të mos ketë tolerancë për shkeljet. Dua edhe njëherë ti drejtohem çdo biznesi, pasi na nevojitet mirëkuptimi i tyre dhe i çdo qytetari: Ne jemi këtu për të bërë detyrën, jemi këtu për të bërë të mundur që rregullat që kemi vendosur të zbatohen. Kjo do të bëhet me bashkëpunimin e qytetarëve, me bashkëpunimin e bizneseve, me bashkëpunimin e institucioneve. Zbatimi i rregullave duhet të na kthehen në edukatë të përditshme. Derisa këto veprime t’i bëjmë jo me forcë por sepse kështu mbrojmë shëndetin e të tjerëve, ne do duhet t’i rikujtojmë, t’i rekomandojmë dhe nëse këto masa nuk zbatohen, ne patjetër që do duhet të penalizojmë dhe të marrim masa administrative. Nuk duhet të ketë tolerancë në këtë drejtim”, tha Manastirliu.
Trupa inspektuese e ISHSH ka kryer inspektime dhe monitorime çdo ditë në të gjitha subjektet që zhvillojnë aktivitetet e lejuara gjatë periudhës së epidemisë. Janë inspektuar dhe monitoruar 72,781 subjekte në të gjithë vendin dhe janë vendosur 300 masa administrative.