Dështimi me votën e emigrantëve, a duhet Majko të japë dorëheqjen si Ministër i Diasporës?
Nga Gazeta SHQIP

Edi Rama, i cili në zgjedhjet e vitit 2017 hyri vetëm bëri një lëvizje të fortë për të thithur sa më shumë votën e shqiptarëve jashtë vendit, pra emigrantëve që mund të vinin në Shqipëri.
U premtoi reformën në drejtësi sa më shpejt dhe të drejtën që emigrantët të votojnë në zgjedhjet e ardhshme ata ku jetojnë e punojnë. Për këtë ngriti dhe ministrinë e Diasporës, ku vendosi ish-kryeministrin Pandeli Majko.
Ministri i ri, i cili nuk ka një portofol por është një ministër shteti, pra ka një staf të caktuar nën drejtimin e tij shpalli prioritetet e tij, për të integruar diasporën shqiptare në botë si pjesë e shoqërisë së vendit, ku si thelb ishte implementimi i mundësisë për të ushtruar të drejtën e votës.
Kështu u kryen takime dhe u organizuan shoqata në vendet ku diaspora shqiptare është më e madhe. Ky riorganizim shkaktoi dhe polemika pasi shumë herë pati favorizime njohjesh apo edhe të njëanshme, duke mos pasur gjithëpërfshirje të organizatave të diasporës.
Gjithsesi në fund të vitit të shkuar u mbajt edhe Samiti i dytë i diasporës me një pompozitet të madh, ku u festua e drejta e votës.
Por ja ku jemi dhe sot kjo e drejtë jo vetëm që nuk është sanksionuar, por mos adresimi në Kod ka gjasa që ta bëjë këtë gjë një mollë të ndaluar për afro gjysmën e pjesës së shqiptarëve që kanë të drejtë vote.
Mazhoranca ka bërë të ditur se i ka kërkuar KQZ-së ta adresojë me një akt nënligjor, gjë që është më shumë një mjegull propagandistike, pasi dihet se ky akt duhet bërë me ligj.
Dhe pikërisht me këtë dështim real, “perfekt” dhe mjaft i dhunshëm për thuajse 1 milionë e gjysmë shqiptarë me të drejtë vote, qëndrimi i Pandeli Majkos në postin e ministrit të diasporës është jo vetëm i kotë, por edhe fyes për emigrantët tanë.
Në rrjete sociale, të zhgënjyer e me dhimbje, mjaft shqiptarë në SHAB, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Itali e Greqi shprehen mjaft të pikëlluar dhe kërkojnë marrjen e përgjegjësisë nga ministri Pandeli Majko.
Dorëheqja e Majkos nuk se do të kishte zgjidhur gjë, por është një akt që nuk irriton më të lënduarit, që do ta shikonin këtë si karshillëk. E realisht, pse duhet të qëndrojë një orë më shumë ministri i Diasporës në këtë detyrë…/Gazeta-Shqip