Miliona në llogaritë bankare/ Çfarë i dallon “sheikët” e Drejtësisë nga emrat e listës së OFL

Mes vettingut për prokurorë e gjyqtarë që ka nisur në vitin 2018 dhe Operacionit “Forca e Ligjit”, duket se nuk ka asnjë ngjashmëri. Por në misionin e tyre, e përbashkët është pasuria.

Ata që shkarkohen nga vettingu pasurinë në apartamente, dyqane, pallate, apo qendra tregtare e kanë vendosur gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa ata të “listës së zezë” të OFL e kanë përfituar nga aktiviteti kriminal.

Që të dyja pasuri të paligjshme. Në rastin e vettingut, fakti që prokurorë e gjyqtarë janë shkarkuar, do të thotë se pasuria e tyre nuk ka qenë e justifikuar, përmes veprimeve korruptive, ose shpërdorimit të detyrës. Mbi të gjitha e pajustifikuar.

Edhe në rastin e atyre që OFL u çon formularin dhe u lë 48 orë afat, është e njëjta gjë. Duhet të justifikojnë pasurinë e luajtshme, ose llogaritë bankare.

Por, mes këtyre dy ka një dallim të madh. Sepse për ata që janë pasuruar me drogë, prostitucion, apo krime të tjera SPAK vepron me kërkesë-sekuestro në gjykatë, ndërsa për gjyqtarë e prokurorë mjafton vetëm dalja jashtë sistemit.

Vetëm në dy ditët e fundit,  Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ose ndryshe shkalla e parë e vettingut u shkarkuan dy gjyqtarë Petrit Aliaj, të cilit iu zbuluar një pallat në emër të babait dhe Nure Dreni me një rritje të pasurisë plot 25 herë nga deklarimet në ILDKPKI.

Vetë gjyqtari i Vlorës Petrit Aliaj u shkarkua në 2004 dhe u kallëzua për fshehje pasurie në 2015,  por Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë dy vjet më vonë. Në vitin 2005 është paguar me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre.

Në vitin 2015, ILDKPKI e kallëzoi për fshehje pasurie, por nuk i hyri “gjemb në këmbë”, ndërsa edhe KLD-ja refuzoi ta shkarkonte. Petrit Aliaj ka marrë pjesë edhe në procesin e heqjes së burgimit të përjetshëm për Dritan Dajtin.

Lista me emra prokurorësh e gjyqtarësh të të tre shkallëve të gjyqësorit të shkarkuar është e gjatë dhe në të nuk mungojnë që nga Xhezair Zaganjori, Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Broci, Edmond Islamaj dhe Shkëlzen Selimi nga Gjykata e Lartë e Bashkim Dedja, Fatmir Hoxha, Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari e Fatos Lulo nga Gjykata Kushtetuese.

Sigurisht ka edhe shumë të tjerë, por ajo që kërkohet tani dhe shtrohet pyetja, a duhet që SPAK të veprojë me gjyqtarë e prokurorë, ashtu sikurse po vepron me shumë të tjerë me precedent të theksuar kriminalë, materialet akuzuese për të cilët nuk përcillen nga KPK e KPA, por nga OFL?!

Pa llogaritur që “sheikë” të tjerë të Drejtësisë dhanë dorëheqjen nga frika e vettingut dhe nuk kanë qenë pak dhe emra të njohur madje. 6 gjyqtarë nga Gjykata e Lartë dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar vettingut, tre nga Gjykata Kushtetuese, e shumë gjyqtarë dhe prokurorë nga thuajse çdo qark i vendit.

Ndaj është momenti të distancohemi fort nga praktika të tilla dhe nga këta individë. Kjo do të ishte një gjë shumë e mirëpritur nga qytetarët, me efekt të drejtpërdrejtë parandalues për fenomene të tilla brenda sistemit, por edhe një shprehje e vullnetit politik të mazhorancës dhe opozitës për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT