Dialogu Kosovë-Serbi, kreu i politikës së jashtme në BE: S’jemi në garë me Amerikën se kush do ta marrë “medaljen”

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të përfshijë edhe Bashkimin Europian, siç kishte paralajmëruar gjatë vizitës së tij në Prishtinë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajčák.

Para se të udhëtojë drejt Uashingtonit  kryeministri i Kosovës Abdullah Hoti do të vizitojë Brukselin me 25 qershor. Ai  do të takohet me kryetaren e Komisionit Europian,  Ursula von der Leyen

Kryetarin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim z. Oliver Varhelyi, dhe Kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe Nënkryetarin e EPP, z. David McAllister. Në këto takime do të bisedohet për hapat që qeveria Hoti ka ndërmarrë në luftën kundër COVID-19, mbështetjen e KE për rimëkëmbjen ekonomike dhe liberalizimin e vizave.

Hoti ka bërë të ditur se nga Brukseli do të udhëtojë për Uashington, ku më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë do të vazhdojë dialogu për njohje reciproke, siç thotë ai, fillimisht me një agjendë të fuqishme të zhvillimit ekonomik.

Gjatë ditës, Josep Borrell, në diskutimet e tij në forumin e Brukselit si shef i politikës së jashtme të BE-së, u pyet edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për supozimet për mungesë koordinimi me SHBA.

“Nëse ne nuk mund ta zgjidhim çështjen Kosovë-Serbi, që është fqinj i yni dhe i takon kapaciteteve tona, atëherë ne nuk mund të pretendojmë që jemi faktor gjeopolitik. Ne nuk jemi në garë me Amerikën se kush do të jetë i pari që do ta zgjidhë çështjen e Kosovës, të paktën unë nuk jam në garë me ta. Nëse Amerika mund ti bëjë dy palët bashkë, në Shtëpinë të Bardhë ose kudo unë do të isha më shumë se i lumtur. Por, është vetëm një dialog i strukturuar mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe ky dialog është nën Bashkimin Europian. Jam i sigurt që Presidenti Macron dhe Kancelarja Merkel janë duke ndihmuar shumë që t’i ulin dy palët në tavolinë. Nëse Shtëpia e Bardhë është gati të ndihmojë, ne do të jemi shumë të lumtur”, tha ai.

Takimi i Brukselit mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë pritet të ndodhë më 25 qershor, vetëm dy ditë para takimit të Uashingtonit, i planifikuar më 27 qershor.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT