“Mini-Schengeni” i Grenellit pritet t’i lidhë ekonomikisht Kosovën dhe Serbinë

27 qershori është data kur pritet që të rifillojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Ndonëse ende nuk dihen temat e diskutimit në këtë tryezë, gjatë ditës së djeshme, përfaqësuesi i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell, ka thënë që prioritet i tij është situata ekonomike si dhe krijimi i zonës “mini-Shenzhen”, duke iu referuar zonës së parë speciale ekonomike të Kinës.

Në lidhje me këtë çështje, ka folur Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Ai ka thënë se kjo nënkupton krijimin e një zone të lirë ekonomike në mes të dy vendeve.

“Me këtë nënkuptoj një zonë të lirë ekonomike e cila do të ofronte infrastrukturë por edhe lehtësira tatimore e doganore të cilat do të mundësonin tërheqjen e investimeve amerikane dhe të tjera të huaja, përveç që në këtë rast do të ishte një zonë ndërkufitare ekonomike”, tha Zeka.

Po ashtu, ai e ka vlerësuar propozimin e Grenellit duke thënë se është propozim goxha i mirë për marrëveshje të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë dhe sipas tij, ky projekt do t’i shërbente dyja shteteve për investime të përbashkëta.

“Besoj që ky propozim është goxha i mirë dhe nëse ekziston tashmë vullneti i shteteve për marrëveshje të paqes, me theks në bashkëpunimin ekonomik, atëherë projekti do t’i shërbente qëllimit të promovimit të investimeve të përbashkëta, si dhe fuqizimit reciprok ekonomik”, potencoi

I pyetur se cilat janë çështjet tjera ekonomike që duhet të jenë në prioritet në diskutimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se heqja e barrierave në mes dy shteteve si dhe rruga drejt integrimit evropian janë çështje për të cilat këto dy vende duhet të dakordohen.

“Çështjet e tjera ekonomike, për të cilat Kosova dhe Serbia duhet të dakordohen, janë promovimi dhe heqja e barrierave në lëvizjen e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, në përputhje me marrëveshjen rajonale për tregti të lirë – CEFTA, por edhe obligimet për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore në rrugën e integrimit evropian”, u shpreh Zeka, duke shtuar se “pret që të përcaktohen edhe aspektet teknike të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët për vendosjen e trafikut ajror, hekurudhor dhe investimet në infrastrukturën rrugore”.

Për çështjen e “zonës mini-Shenzhen” të propozuar nga përfaqësuesi i posaçëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, është deklaruar edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj.

Ai ka theksuar se deklarata e Grenellit duhet të merret seriozisht. Sipas tij, vendi duhet të jetë i gatshëm që të bashkëpunojë me SHBA-në në procesin e dialogut.

“Vlerësoj që Kosova i ka konsumuar të gjitha alternativat duke kujtuar taksën po ashtu edhe masat e reciprocitetit, kështu që Kosovës iu bë e qartë nga administrata amerikane që janë të papranueshme dhe tani e tutje institucionet e Kosovës duhet të tregojnë gatishmëri për bashkëpunim me SHBA-në dhe duke u bazuar në të gjitha proceset e deritanishme të Kosovës”, deklaroi ai.

Më tej, Kadrijaj thotë se çdo iniciativë nga administrata amerikane është e pranueshme për Kosovën dhe siç thotë ai nuk është e logjikshme që Kosova të dështojë si projekt i SHBA-së.

“SHBA-ja ka dëshmuar që është mik strategjik i Kosovës dhe çdo iniciativë nga administrata amerikane parimisht është e pranueshme për Kosovën par faktin që nuk ka logjikë që Kosova të dështojë si projekt i SHBA-së”, tha Kadriaj=

Ai vlerëson se iniciativa për “mini-Shenzhenin” është e mirë pasi që, sipas tij, të dy vendet kanë nevojë për bashkëpunim ekonomik.

“Pra në këtë, rast deklarata e z. Grenell duhet të merret seriozisht dhe për çdo marrëveshje me shtetin serb, duhet të jetë SHBA-ja. Në këtë rast, edhe iniciativa për mini-Shenzhen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa marrë parasysh polarizimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të dy vendet kanë nevojë për bashkëpunim ekonomik”, përfundoi njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj.

I dërguari special i presidentit amerikan, Donald Trump, për bisedimet “për paqe” mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, gjatë një interviste televizive për “Newsmax”, propozoi krijimin e një zone të mini-Shenzhenit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që ne po provojmë të bëjmë është të përqendrohemi në situatën ekonomike, të krijojmë një zonë të mini-Shenzhenit”, ka thënë Grenelli, duke iu referuar zonës së parë speciale ekonomike të Kinës.

“Mendojmë se është një ide shumë, shumë e mirë, dhe mendojmë se nëse krijon vende pune në rajon, nëse e sillni kapitalizmin dhe i detyroni palët të bashkëpunojnë ekonomikisht, atëherë çështjet politike do të jenë hapi i dytë. Çështjet politike janë qartë përgjegjësi e evropianëve”, potencoi Grenelli në këtë intervistë.

Delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë pritet të takohen në Washington këtë të shtunë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT