Zgjedhjet e 2021, rikthimi në epokën e tregimit të muskujve nga palestrat e shkollave
Shqiptarët, edhe pse përjetuan një periudhë “detante” këto kohë si pasojë e marrëveshjes së arritur ndërmjet mazhorancës dhe opozitës për të ashtuquajturën reformë zgjedhore, në votimet e vitit të ardhshme, sipas të gjitha gjasave do të përballen me panoramën e vjetër që janë mësuar prej 20 vjetësh.
Panoramë që më shumë se një proces i qetë ku njerëzit të shikojnë sesi numërohen dhe administrohen votat e tyre, do të riaktivizohet dueli i detashmenteve politike, numëruesve e komisionerëve që do të ngrijnë e shkrijnë procesit, sipas temperaturës politike të çastit.
Pika më nevralgjike e zgjedhjeve në vend është pikërisht procesi i numërimit, ku numëruesit e zgjedhur nga dy partitë e mëdha, PS dhe PD, ku edhe LSI do të ketë pjesë më të vogël, do të jenë aktorët realë të procesit zgjedhor.
Njerëz me muskuj më shumë sesa jurist apo mësues që, ndërsa numërojnë fletët në palestrat e shkollave, do të bëjnë spektaklin e zakonshëm të matjes së forcës, duke ndikuar më shumë pikërisht aty ku rezultati mes palëve do të jetë i përafërt.
Shqipëria ka përjetuar prej vitesh këtë atmosferë, ku numëruesit “lodhen” shpejt, pezullojnë numërimin, rifillojnë sërish me urdhër partie, duke krijuar një amplitudë bezdisëse vonesash.
Të cilat komandohen nga selitë e dy partive të mëdha: blloko procesin diku dhe hape diku tjetër, në bazë të taktikave, të cilat natyrisht që ndikojnë në proces, duke lëshuar mesazhe të koduara për numëruesit e komisionerëve, që janë kthyer tashmë si marinarët e nëndetëses armike në Luftën e Dytë Botërore.
E këtu do të nisë sërish odiseja e shkarkimit apo dorëheqjeve të numëruesve e komisionerëve, duke i zëvendësuar me rezervë, në bazë të infove sekrete të kalkulimeve që vijnë në shtabe për blerje, shitje apo infiltrim në zonat e influencës.
E pas kësaj do të kemi sërish si gjithë këto vite edhe spektaklin e shëmtuar të komisionerëve në KZAZ që duhet të firmosin procesverbalet, ku në të shkuarën dikush ka marrë vulën, dikush ka prishur procesin, çka ka çuar që mjaft çështje thjesht për administrim rezultati të kalojnë në KQZ.
E cila gjithashtu është politike dhe në organin më të lartë të administrimin zgjedhor do të përsëriten skenat klasike të zgjedhjeve shqiptare, ku në vend të administrimit të thjeshtë janë marrë vendime edhe “ekstraligjore”, vetëm duke shfrytëzuar shumicën e anëtarëve.
E gjitha kjo ndodh, pasi procesi aktual i administrimit është sipas parimit se “hajduti ruan hajdutin”, një kontroll nga dy partitë e mëdha mbi procesin, çka gjithmonë i ka vonuar nxjerrjen e rezultateve apo edhe mbylljen e procesit.
Vetëm në 2013 pati një nxjerrje të shpejtë rezultati, vetëm sepse kishte një rezultat të qartë elektoral, pra kishte fituar PS e LSI e humbur PD-ja.
Por në një panoramë shifrash të përafërta, çka është edhe projeksioni që mund të kemi në 2021-shin, kalvari i nxjerrjes së rezultatit do të jetë i gjatë dhe i stërmundimshëm.