“Projektligji për shpalljen e minoriteteve me 300 firma, absurd”, Xhufi: Nisëm antikombëtare, nën presionin e të huajve

Drejtori i Institutit të Historisë Beqir Meta, thotë se projektligji për ngritjen e një komisioni, që shqyrton 300 firma për të shpallur minoritet kombëtar është absurd.
“Këto me sa duket iniciativa të qeveritarëve tanë për të bërë një shoë. Mendoj që kjo është e dëmshme për shtetin. Mendoj që çështja është mbyllur dhe nuk vend as për aplikime dhe për shqyrtime”, u shpreh Beqir Meta për ABC News.
Sipas historianit Meta të drejtat e Minoriteteve Kombëtare në Shqipëri janë të përmbushura në bazë të konventave ndërkombëtare.
Nga ana tjetër ai jep shembullin e Greqisë i cili është vend i BE-së dhe nuk ka këtë frymë liberale që po kërkon të bëjë Shqipëria me ligj.
“Janë të plotësuar më së mirë. Synimi kryesor i Greqisë në këto 30 vite ka qenë që të zgjeronte arealin e minoritetit të ekzistuesve, ta çojë përtej asaj që ka njohur Lidhja e Kombeve në 1921”, u shpreh ai.
Ndërkohë që njohjen e gjuhës së pakicave kombëtare, nëse në njësinë administrative flitet në nivelin 20 % të popullsisë është korrekte, sipas Metës.
“Nëse në një njësi administrative një minoritet kombëtar përbën 20 % të popullsisë, gjuha e tij do të njihet si gjuhë zyrtare”, tha më tej ai.
Ky projektligj i Iniciuar nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka gjetur mbështetjen e shumë Ministrive dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por jo të Institutit të Historisë dhe historianëve, të cilët sipas Beqir Metës ndryshe nga 1 vit më parë janë pyetur nga ish ministri Xhafaj, ndërsa kësaj here nuk u është kërkuar mendimi.
Historiani Pëllumb Xhufi ndërkohë, duke folur në një intervistë për Panorama, e ka cilësuar këtë projektligj si antikombëtar dhe të nxitur nga presioni i të huajve.
“Është hileja e radhës që një qeveri shqiptare bën në dëm të interesave shqiptare. Projektvendimi hiqet sikur merret me çështje teknike të përbërjes apo të procedurave që do të duhet të ndjekë ai Komision. Zakonisht, në të tilla iniciativa ligjore, hileja qëndron në fund (in coda venenum).
Kësaj radhe qeveria është aq shumë e bindur në përgjumjen e qetësinë olimpike të qytetarëve shqiptarë, saqë “helmin” e ka hedhur qysh në paragrafin e parë të këtij projektvendimi. Aty, fare pa lidhje me paragrafët e tjerë “teknikë” të tij, sanksionohet që një grup prej 300 qytetarësh shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë njohjen e statusit të pakicës kombëtare.
Duhet të jesh sylesh ose ndërgjegjeprishur të mos duash të kuptosh se pikërisht tek ky paragraf “dobiç” fle lepuri. Paragrafët e tjerë “teknikë”, me të cilët janë marrë aq seriozisht disa Ministri e agjenci shtetërore që kanë paraqitur sugjerimet e tyre “të vyera”, janë tjerrje fjalësh për të fshehur pikërisht “dobiçin”, d.m.th. nenin e parë që sanksionon të drejtën e 300 qytetarëve për të kërkuar statusin e pakicës kombëtare. Më duket cinike që një nismë e tillë kryhet me anë të një dokumenti ligjor të shkallës më të ulët (“vendim”), kur çështje të tilla me rëndësi dramatike duhet të kalojnë me ligj të Parlamentit”, shprehet Xhufi.
Po atëherë, ç’e shtyn qeverinë të ndërmarrë këtë nismë?
Ndonjë presion i Europës në prag të fillimit të negociatave? Nuk më duket kështu. Vetë dokumenti shoqërues i projektvendimit e pohon shkoqur se kjo nismë ligjore nuk synon ndonjë përafrim me acquis communautaire. Pra nuk është një kërkesë e BE-së. Por kemi të gjitha arsyet të mendojmë se “shtysa” vjen nga një vend i veçantë i BE-së, përkatësisht Greqia, e cila e ka bërë të qartë, madje e ka deklaruar edhe me gojën e politikanëve të saj më të lartë, se Shqipëria nuk do të futet në Europë pa realizuar më parë axhendën nacionale greke. Dhe dihet se cila është axhenda greke për Shqipërinë.
Pra, me këtë dokument të qeverisë, që do jetë thjesht një vendim i saj, e jo një ligj i Parlamentit, ne duhet të presim mbirjen e pakicave të tjera kombëtare?
Duket se ky është qëllimi i këtij projektvendimi, i cili fare qartazi është bërë nën presionin e huaj. Në vitin 2017 u njohën si minoritete kombëtare disa komunitete të tjera, veç pakicës greke, asaj malazeze dhe pakicës maqedonase, kjo e fundit e njohur si e tillë nga qeveria e Enver Hoxhës në vitin 1946. Bëhet fjalë për komunitete gjithashtu të respektuara nga shoqëria shqiptare, por që nuk i përmbushnin kriteret për të qenë një minoritet kombëtar. Në vendet e qytetëruara ato përfshihen në kategorinë e pakicave kulturore e gjuhësore. Mirëpo, qeveria shqiptare bashkë me opozitën “nacionaliste” deshën të ishin bujarë. Ani. Por më duket se sot, me njohjen e statusit të pakicës kombëtare edhe për grupe 300 vetëshe, me një vendim tinëzar e gjasisht antikushtetues, kjo klasë politike po tregon një ekses bujarie, që të bën të dyshosh për integritetin moral e kombëtar të saj.