Mesazhi i koduar i Yuri Kim dhe kambanat për Kushtetuesen

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka lëshuar një mesazh të fortë pas dy zhvillimeve të rëndësishme në drejtësinë e re shqiptare.

Opinionin e Komisionit të Venecias për Gjykatën Kushtetuese dhe vendimi i KLGJ-së për largimin e Ardian Dvoranit nga Gjykata e Lartë kanë qenë zhvillimet e fundit që kanë pasuar ngërҫin në kupolën e drejtësisë si pasojë e përplasjes për Marsida Xhaferllarin dhe Arta Vorpsin.

Në një mesazh të koduar, ambasadorja Kim ka “udhëtuar” në mesjetë ku ka sjellë shembullin e Skënderbeut si model në ndërtimin e shtetit, duke ju referuar natyrisht orientimit pro perëndimor të heroit kombëtar shqiptar.

E në këtë logjikë, ambasadorja Kim, ka bërë të ditur në mesazhin e saj se shqiptarët pikërisht me reformën në drejtësi, kanë orientimin properëndimor pasi atë e përkrah SHBA e BE e duke thënë troҫ se një pjesë e mirë e klasës politike nuk e do reformën në drejtësi.

“Reforma në Drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarësinë. Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë.

Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tone”, shkruan Kim, duke bërë të ditur edhe konceptet e qeverisë së SHBA për vijimin e reformës në drejtësi.

Tashmë pas largimit të Dvoranit nga Gjykata e Lartë si pasojë e mbarimit të mandatit, është hapur si precedent edhe ҫështja e Vitore Tushës në Gjykatën Kushtetuese, e cila edhe ajo mban pozitën e drejtueses. E ambasadorja e SHBA, ndër rreshta bën thirrje për të hequr pengesat dhe ecur përpara.

Duke ju referuar opinionit të Komisionit të Venecias, ajo bën të ditur se tashmë nuk tolerohen lojërat e mazhorancës dhe Presidencës për të penguar ngritjen e Gjykatës, por le ta ngrenë atë, qoftë edhe duke arritur një kompromis mes palëve dhe të mos e kondicionojnë këtë hap në çështjen e komisionit hetimor ndaj kreut të shtetit. Fundja, le ta vendosin anëtarët e Kushtetueses.

Dhe për këtë ajo fton palët të nisin menjëherë një diskutim drejt kompromisit.

“Është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur.

Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit”, thekson ambasadorja në editorialin e saj.

Por në fund, ajo vendos një deadline për ta arritur kuorumin e duhur të 6 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese brenda dhjetorit.

Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet”, pikërisht kjo është edhe fraza që përbën një ultimatum të prerë për Presidentin dhe mazhorancën.

E kjo kondicionohet qartë me logjikën që e shpjegon si ndarje mes shqiptarëve dhe klasën politike…

Back to top button
LAJMET E FUNDIT