Pronat në jug, kreu i Kadastrës Artan Lame: Ligji 20/2020 do mbylli proceset tranzitore
Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Artan Lame, thotë se përceptimi se ligji 20/ 2020 është një ligj pronash është i gabuar, i ngritur në ajër.
I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”, Lame ka thënë se ligji 20/ 2020 do të mbyllë të gjitha proceset tranzitore. Ai ka debatuar në studio me një banor të jugut, të cilit i ka thënë se ligji i ri nuk la lidhje fare me regjistrimin e pronës.
“Pronat e bregdetit në jug/ A po grabiten me ligj?”, ka qenë një nga pyetjet e shtruara në emision.
“Është një perceptim i ngritur komplet në ajër. Nuk është ligj pronash, ligji i pronave është bërë në 2015, janë fjalë në ajër. Mbaj pjesë të kësaj përgjegjësie, me kryeministrin vendosëm të hapim këtë kapak. 30 vjetët me pronën në Shqipëri, vendosëm ta hapim. Ligji 20/2020, legalizimet, privatizimet e oborreve, etj, që të gjitha këto proceset që e gjithë Lindja i filloi në ’90 dhe i mbyllën brenda 3-4 vitesh, ne kemi 30 vite që i vazhdojmë. Ligji thotë se do mbyllen këto procese tranzitore. Vidhet dhe spekulohet për tokë nga të gjithë, kanë ndaluar vetëm para 6 muajsh kur me vendim qeverie u ndërpre”, ka thënë Lame.
“Ky është një ligj që ligjëron vjedhjen dhe grabitjen e pronave nga oligarkët dhe mbështetësit e qeverisë. Lamja është babai i ligjit. Ligji i cënon pronat e himarjotëve sepse gjithë regjistrimin duan ta bëjnë mbi një ligj që nuk marrin parasysh origjinën e pronës”, ka thënë Priamo Bollano, që është në një lidhje direkte me Skype.
“Me respektin maksimal për moshën, ligji 20/2020, nuk ka lidhje fare me regjistrimin. Ligji 7501 është ligji bazë me të cilin është ndarë toka e koorporativave. Është një ligj me 1001 probleme. Të mos merremi të gjykojmë ligjin sot. Është absurde në 2020 të ndajmë këto toka me një ligj që e mallkojnë të gjithë”, u shpreh Artan Lame.
“E kundërshtoj Lamen sepse duan të bëjnë regjistrimin e pronave, ligjërimin e tokës, do i japin mbi bazën e akteve të marrjes së tokës në pronësi. Nuk merr parasysh origjinën e pronës në bregdet. Është një korpus i tërë ligjesh që është për të grabitur pronat në bregdet. Këta pronarë që kanë grabitur tokat kanë marrë tituj pronësie, kur himarjotët dhe të tjerët nuk kanë marrë ende tituj pronësie. Regjistrimi është bërë që në kohën e Hoxhës, s’ka nevojë të bëhen regjistrime. Ligjin 20/2020 e kundërshtuam si shoqëri civile që kur ishte në projekt që nuk përfill pronarët e vërtetë. Ky ligj sjellin konflikte sociale midis banorëve dhe midis grupeve mafioze”, ka thënë Bollano.
“Ligji 20/2020 nuk ka lidhje fare me 99% të këtyre që thotë zotëria, që unë jam dakord. Jemi në 2020, e zhbëjmë dot ligjin e ’91 me të cilin është ndarë toka? Jo”, u shpreh Artan Lame.
“Duhet të bëni ankimimin komplet të këtij ligji, që sipas meje është anti-kushtetues”, i është drejtuar Çuri Bollanos.