Pëllumb Kulla: Sistemi i hapur zgjedhor do pastronte politikën, uniteti i çeliktë shëmti që e kemi trashëguar nga Partia e Punës

Regjisori dhe publicisti Pëllumb Kulla thotë se sistemi zgjedhor në vend duhej ndërruar me kohë. Ai u shpreh pro një sistemi të hapur, sepse siç thotë do pastronte klasën politike shqiptare dhe nuk do çonte njerëz të panevojshëm në Kuvend.
Në emisionin “Provokacija”, Kulla u shpreh se duhet që brenda partive politike të ketë zëra që ngrenë probleme.
“Sistemi zgjedhor duhej ndërruar më kohë. Për mendimin tim Parlamenti përbëhet nga elementë që janë të panevojshëm të qëndrojnë në ato karrige. Nuk ka nevojë për 140 veta për një vend të vogël. Këtë numër e sheh si një numër që sillet të bëjë qoka.
Mendoj që nga 140 veta, besoj se flasin apo nuk 30-40. Një numër i madh deputetësh mund të kenë kaluar pa folur. Këta janë të ndarë më thikë, dihet se do të votohet siç e ka vendosur i pari i njërës anë.
Në rast se flitet për një sistem më të hapur, mendoj që një pjesë e madhe e këtyre politikanëve do të rrezikonin shumë nëpër zonat e tyre për tu zgjedhur. Kjo do të bënte një pastrim të politikës. Ne kemi nevojë që brenda partive të ketë zëra që të hapin probleme.
Uniteti i çeliktë i trashëguar nga Partia e Punës janë një nga gjërat më të shëmtuara që kane trashëguar. Shumë figura që nuk dua t’i përmend kanë qenë dhe janë qesharakë në atë Parlament. Tani shohim të kundërtën që nga “hekurat”, vijnë njerëz në Parlament”, tha publicisti Pëllumb Kulla.