“Mjeku i prekur nga Covid-19, në QSUT ka 7 shërbime si vatra të nxehta”
Shifrat e larta të koronavirusit kanë ngritur shqetësimin nga ana e opozitës, e cila po kërkon marrjen e masave të menjëhershme të institucioneve të sistemit shëndetësor për të prerë zinxhirin e infektimeve. Spitali QSUT është kthyer në një nga vatrat e mëdha të infektimeve dhe për këtë, ish-deputeti i PD-së, Bardh Spahia kërkon ndërmarrjen e masave për ndërprerjen e zinxhirit të infektimeve, pasi edhe vetë mjekët po prekin nga Covid-19.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Spahi kërkon shtimin e numrit të testimeve. “Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë!!! Është kriminale se si akoma sot, 4 muaj mbas fillimit të emergjencës është zero investimi për rritjen e kapaciteteve testuese, asnjë investim për një laborator të ri, asnjë investim për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të testeve, asnjë investim për garantimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët apo sigurimin e maskave të mjaftueshme për qytetarët shqiptarë”, shkruan Spahia.
Postimi i plotë
I uroj shërim të shpejtë kolegut hematolog që po lufton me Covid-19 në Spitalin Infektiv. U shpreh solidaritetin të gjithë anëtarëve të personelit shëndetësor, që punon në kushte pasigurie nga infektimi me virusin Korona. Nëse kolegët duhet të rrisin vëmendjen në të përditshmen e tyre, ministrja e Shëndetësisë duhet t’u përgjigjet kërkesave të tyre për testime, sepse ka shumë denoncime nga kolegë si në strukturat publike, edhe ato private që nuk u vihet veshi. Bërja e tamponëve si qokë është skandaloze dhe kriminale, sepse injorimi i personave të infektuar, ndihmon në përhapjen e virusit.
Nuk mund të kursehen tamponët për ata që kanë nevojë!!! Është kriminale se si akoma sot, 4 muaj mbas fillimit të emergjencës është zero investimi për rritjen e kapaciteteve testuese, asnjë investim për një laborator të ri, asnjë investim për sigurimin e numrit të mjaftueshëm të testeve, asnjë investim për garantimin e mjeteve mbrojtëse për mjekët apo sigurimin e maskave të mjaftueshme për qytetarët shqiptarë.
Me 7 shërbime të infektuara, QSUT është kthyer në një vatër të nxehtë përhapje të virusit dhe përgjegjës nuk janë qytetarët, por vetë ministria e shëndetësisë që po menaxhon këtë situatë! Reagoni zonja ministre, merrni masat që të këpusni zinxhirin e infeksionit në QSUT, sepse është i pafalshëm infektimi i personelit mjekësor, por edhe i pacientëve në një strukturë shëndetësore publike!!!