‘Qytetarët do paguajnë 17.5 euro vajtje-ardhje’, koncesioni 1.2 miliard euro i Milot-Fier përplas Ramën me opozitën

Koncesioni më i ri i qeverisë me vlerë prej 1.2 miliard eurosh ka sjellë një përplasje të re mes opozitës dhe maxhorancës.

PD dhe LSI kanë denoncuar njëzëri PPP e rrugës Milot-Fier, duke e cilësuar si aferën më të madhe korruptive të qeverisë ‘Rama’. Sipas opozitës kostoja PPP e projektit Milot-Fier do të kushtojë shtatë herë më shtrenjtë se autostrada që lidh Kroacinë me Bosnje Hercegovinën.

Përfaqësuesi i PD për çështjet ekonomike Dorjan Teliti theksoi se çdo gjë në këtë tender është përcaktuar, madje dhe fituesi. Sipas tij, pavarësisht se qytetarët kanë paguar për rrugën e Fierit, tashmë do të paguajnë sërish nga e para, ndërsa foli për një taksë që shkon të paktën 17.5 euro.

LSI përmes Petrit Vasilit tha se janë vetëm 53 km rrugë e re, dhe referuar shifrës 1.2 miliardë euro, llogaritë I bien 20 mln euro për kilometër. Ai tha më tej se rrugës i kanë vendosur një taksë vajtje-ardhje që shkon 17.5 euro ose 22 mijë lekë të vjetra dhe se kushton më shumë taksa se sa karburanti që qytetari duhet të harxhojë për të ardhur në këtë rrugë.

Reagimi i Ramës

Pas kritikave të opozitës se kostoja PPP e projektit Milot-Fier do të kushtojë shtatë herë më shtrenjtë se autostrada që lidh Kroacinë me Bosnje Hercegovinën ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Përmes një shënimi në Tëitter, Rama shprehet se “ata që fjalën vjedhje e kanë në majë të gjuhës për çdo punë, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin”.

“Nuk kam fjalë për gjuhën e turpshme të atyre që duan të qeverisin Shqipërinë e sulmojnë me fjalët më të ulëta projektin Milot-Fier ende pa nisur mirë gara ndërkombëtare! Këta që fjalën e vjedhje e kanë në majë të gjuhës për çdo punë, si duket vetëm kanë vjedhur kur qeverisnin #TURP”, shkruan Rama.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT