Ekskluzive/ Mjeku i prekur nga Covid në gjendje të rëndë në Infektivin e QSUT-së

Koronavirusi vijon të jetë aktiv duke bërë që bilanci i të prekurve të rritet nga dita në ditë. Në informacionin e situatës së 24 orëve të fundit, ministria e Shëndetësisë konfirmoi se 90 raste të reja kanë rezultuar pozitë ndërsa në të gjithë vendin janë 1088 persona aktivë me COVID-19, mes të cilëve dhe personel mjekësor.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar”, deklaroi mjekja Eugena Tomini.

Burime zyrtare nga ministria e Shëndetësisë i thanë gazetës “Shqip” se në total janë 170 persona nga sistemi shëndetësor të infektuar me koronavirus, 70 për qind e të cilëve tashmë rezultojnë të shëruar.

Por burime për “Shqip” thanë se në shërbimin e Reanimacionit në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” në Tiranë ndodhet i shtruar dhe një mjek nga Puka.

Sipas burimeve, gjendja shëndetësore e tij paraqitet e rëndë por zyrtarisht ministria e ka mohuar se mes bluzave të bardha ka raste të reja të infektimit me COVID. Burimet zyrtare i thanë “Shqip” se në QSUT nuk ka asnjë personel mjekësor në gjendje të rëndë shëndetësore ndërsa ata që janë aktivë por pa simptoma të rënda po trajtohen në kushte shtëpie.

Nga ana e komunitetit të mjekëve e infermierëve vërehet frikë dhe panik për situatën e krijuar ku rreziku i marrjes së virusit gjatë vizitave me pacientët është i lartë. Burime konfidenciale i thanë “Shqip” se është rritur presioni nga autoritetet shëndetësore të cilët kërkojnë respektimin rigoroz të vendosjes së maskave dhe moslejimin e pacientëve pa to në ambientet e qendrave shëndetësore. Por vetë personeli mjekësor detyrohet t’i sigurojë mjetet mbrojtëse vetë pasi furnizimi me maska nuk ka qenë i rregullt çdo ditë.

“Ka pasur mungesë të theksuar maskash në spital e ambulanca, detyrohemi ose të blemë maska vetë ose t’i higjenizojmë dhe t’i rivendosim maskat duke i mbajtur për disa ditë në kundërshtim me rekomandimet për përdorimin e tyre”, thonë burimet për “Shqip”.

Ditë më parë, mjekët e shërbimit parësor gjatë një prononcimi për gazetën thanë se shpesh herë maskat janë burim konflikti mes mjekëve e pacientëve të cilët kanë kërkuar të pajisen prej tyre gjatë vizitave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT