U bë deti kos… Mbi absurdin e Ligjit për Minoritetet dhe një këshillë ministrit Lleshaj pas një “dëgjese publike” të mbajtur dje

Prof. Ksenofon Krisafi

Këto kohë është diskutuar për miratimin e disa akteve nënligjore në zbatim të ligjit të vitit 2017 “Për minoritetet”, i cili bëri një kapërcim pindarik, pothuajse të paparë e të padëgjuar, përsa i përket sanksionimit me ligj në Shqipëri të numrit të minoriteteve etnike dhe statusit të tyre.

Duket se “u bë deti kos” dhe nuk mbeti shtet fqinj pa kërkuar dhe pa marrë të drejtën e copës së vet në “tortën” shqiptare të minoriteteve.

Ndërkohë, u bë e ditur se sot (dje) ministri i Brendshëm Lleshaj, organizoi një nga ato që rëndom quhen “dëgjesa publike” me disa personalitete nga fusha te ndryshme. U diskutua për projektin e një akti që do të përcaktojë numrin, procedurat dhe modalitetet e atyre që mund të kërkojnë disa te drejta në zbatim të ligjit të lartpërmendur.

Tre vjet më parë, qeveria shqiptare e përgatiti dhe e kaloi atë në Kuvend me ngutin e zakonshëm të “kryerjes së detyrave të shtëpisë”, që i burojnë nga plotësimi i kërkesave që vijnë nga Brukseli, një pjesë edhe si rikosheta të një politike jo dhe aq fqinjësore nga disa vende fqinje.

Është me se i përligjur, shumë human dhe qytetar shqetësimi i shprehur nga qeveria shqiptare për t’iu siguruar gjithë të drejtat dhe liritë themelore personave që iu përkasin pakicave. Janë qenie njerëzore dhe meritojnë maksimumin e trajtimit si të tilla. Fakti që nuk janë me kombësi shqiptare nuk ka pse t’i penalizojë nga gëzimi i të drejtave themelore të njeriut. Nga kjo pikëpamje gjithë përpjekjet që janë bërë prej saj dhe strukturave në varësi meritojnë lëvdata.

Por… duke u interesuar për ata, ajo, si qeveri e shqiptarëve, e votuar prej tyre dhe e mbajtur me paret e tyre, duhet të kujdeset më së pari për këta që heqin nga paret e tyre për të rinovuar e restauruar zyrat, mobiljet, makinat, për të përballuar biletat e avionëve, pagesat e hoteleve, dietat etj., të qeveritarëve të Shqipërisë.

Ajo duhet të mendojë pak më shumë edhe për ata shqiptarë, disa dhjetëra mijëra si pjesëtarë minoritetesh (atje ku njihen si të tillë) dhe disa qindra mijëra emigrantë të ndodhur në të gjitha skajet e rruzullit. Duhet të mendojë që, me aq sa mundet t’i asistojë në raste emergjente, si fatkeqësi, humbje jete, rënie në burg etj.

Faqja e parë, DITA

Ka pasur jo pak raste kur djemtë e Shqipërisë janë vrarë jashtë vendit, ngandonjëherë edhe sepse kanë guxuar të bënin tifozllëk për skuadrën e kombëtares së tyre, ka pasur po ashtu raste kur atyre ua kanë marrë jetën mizorisht policët e burgjeve të shteteve fqinjë etj. Ndoshta e kam gabim sepse mund të mos e kem mësuar, por kam përshtypjen se nuk është dëgjuar ndonjë reagim i përgjegjshëm i organeve shqiptare.

Ndërkohë që në ndonjë rast fatkeq, kur pjesëtarë të minoriteteve të huaja në vend kanë humbur jetën për arsye nga më të ndryshmet (le të mbetemi sa për shembull te rasti Kacifa), autoritetet e “vendeve të tyre amë”, duke tejkaluar çdo cak të logjikës normale si dhe gjithë normat e së drejtës ndërkombëtare, kanë ngritur cuname urrejtjeje ekstreme ndaj Shqipërisë e shqiptarëve, duke iu hedhur mbi shpinë dufin e pamerituar të përgjegjësive që nuk iu takojnë.

Nuk i lejoj aspak vetes që të rekomandoj veprime simetrike nga autoritetet e vendit tim. Jam absolutisht kundër. Por, sidoqoftë heshtja servile dhe interesimi modest njerëzor ndaj shqiptarëve jashtë vendit, janë në stonaturë të plotë me ato që është duke bërë këto ditë qeveria shqiptare, në emër të zbatimit nëpërmjet akteve nënligjore, të një ligji të 2017, që përmban jo pak absurditete.

Qeveria, në zbatim të Kushtetutës dhe legjislacionit vendas, si dhe akteve juridiko-ndërkombëtare, e ka gjithashtu detyrë të rëndësishme që t’i asistojë ata të arrijnë garancitë e duhura juridike që, së paku t’iu mësojnë fëmijëve të tyre në shkolla publike të flasin e të shkruajnë gjuhen amtare shqipe, të kenë segmentet përkatëse në mediat e shkruara dhe audiovizive, t’iu njihen dokumentet, pensionet, siguria shëndetësore etj.

Do të ishte e pahijshme të thuhet se s’është bërë asgjë, por është e sigurt se mund të bëhej shumë më tepër. Do të duhet të lihen mënjanë veprimet fasadë, si ndonjë konferencë pompoze me shpenzime marramendëse.

Përpara atyre ose ndonjë udhëtimi në skaje të largëta të globit, ku jetojnë jo më shumë se disa qindra pasardhës të pasardhësve shqiptarë, do të duhet të shkohet e të “ulet këmbëkryq” në ato vende ku jetojnë qindra mijëra shqiptarë, me qëllim që, brenda kufijve të legjislacioneve të këtyre shteteve dhe natyrisht, me mirëkuptimin e autoriteteve të tyre, t’iu sigurohen më shumë të drejtat themelore.

Në takimin e djeshëm (1 korrik 2020) ministri Lleshaj, kur u pyet për mosthirrjen time, tha pak a shumë se Krisafi nuk u thirr sepse nuk është shprehur në shtyp, paçka se ai dhe ata që mban rreth vetes, nuk e dinë dhe kanë gjithë të drejtën që të mos ta dinë, se e vërteta është që unë kam folur e kam shkruar për këto çështje shumë herë, gjatë disa dekadave. Paradoks, por ja që ky ishte, sipas tij, “motivi shumë i qëndrueshëm”, që të mos thirrej e të mos dëgjohej një ndër specialistët e së drejtës ndërkombëtare, pedagog i kësaj lënde në fakultetet e drejtësisë prej mbi 40 vjet, që rastësia i ka dhënë shansin të fitojë disa njohuri teorike e praktike në fushën e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë edhe çështjen e minoriteteve.

Natyrisht, nuk u bë asnjë shkelje dhe asnjë mëkat, por ndoshta nuk do të ishte pa dobi prania një njeriu që ka akumuluar edhe një përvojë shumëvjeçare si drejtues i shërbimit juridik dhe traktateve ndërkombëtare ne Ministrinë e Punëve te Jashtme apo si ambasador i Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat e tjera ndërkombëtare me seli ne Gjeneve.

Dua t’iu kërkoj shumë ndjesë gjithë lexuesve të nderuar në DITA për mungesën e detyruar të modestisë dhe njëkohësisht dëshiroj të shpresoj në mirëkuptimin e tyre për ato çka thashë për veten time.

Sepse gjithkush që është ulur në kolltuqet e rehatshme të zyrave të shtetit duhet ta dijë mirë që Shqipëria është e të gjithëve. Ajo është e shqiptarëve që jetojnë brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të saj, në Kosovë dhe trojet e tjera amtare, madje edhe e atyre që jetojnë qindra ose mijëra kilometra larg brigjeve të Adriatikut dhe të Jonit. Ajo është e brezave të sotëm e të kaluar, është gjithashtu edhe e atyre që do të jenë në këto brigje në shekujt e ardhshëm.

Çështja e minoriteteve, krahas shumë të tjerave që kanë të bëjnë edhe me raportet me vendet fqinje, nëse nuk kuptohet siç duhet dhe nuk trajtohet me përgjegjshmërinë e nevojshme, mund të atakojë sigurinë kombëtare të vendit, mund të prishë ekuilibrat, rendin e qetësinë brenda vendit, por edhe në rajon e më gjerë. Ajo është nga ato që, nëse vendosen një herë nuk mund të ndryshohen lehtë më pas.

Prandaj nuk zgjidhet as me urdhra politike dhe as me ok e pavendosur të shqiptuar pa bindje dhe gjithë frikë nga ndonjë zyrtar i shndërruar ndonjëherë nga halli në yesman.

I vetëdijshëm se ka fare pak rëndësi nëse ministri a të tjerë, sipër ose poshtë tij, mendojnë siç u shpreh ai, me përgjegjësinë qytetare që duhet të ndjejë çdo shqiptar në këtë rast, e gjykoj për motiv profesional, moral dhe intelektual, të shpreh vetëm disa mendime paraprake për këtë çështje veçanërisht të rëndësishme. Në të ardhmen do të shprehem më gjerësisht. Shpresoj qe shërbimet përkatëse mund ta mendojnë me vend t’ia raportojnë shkurt ministrit Lleshaj, se ndoshta mund të shërbejnë.

Vetë Ligji 96/2017 “Për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, që kur doli u duk disi i çuditshëm dhe specialistët druajnë se ka për të qenë edhe më i çuditshëm sa më shumë kohë të kalojë. Ky konkluzion duket se përforcohet edhe më tej nëse mbahet parasysh një kre i titulluar “Në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare jashtë kufijve”, që gjendet në librin e profesor Arben Puto-s, një prej korifejve të mendimit juridiko-ndërkombëtar të hapësirave shqiptare, “Demokracia e rrethuar: Qeveria e Fan Nolit në marrëdhëniet e jashtme, qershor-dhjetor 1924”, botuar në 1990.
Që në leximin e parë të librit bie në sy lehtësisht një fakt që meriton të vihet në dukje.

Autori ia kushton atë ngjarjeve që përshkuan gjashtë muaj, qershor-dhjetor 1924, një periudhë shumë e shkurtër kohe e historisë së vendit tonë. Në 300 e ca faqe përshkruan marrëdhëniet e jashtme, në “demokracinë e rrethuar”, me të cilën nënkupton pa asnjë ekuivok qeverinë e Fan Nolit. Merret vetëm me veprimtarinë e saj në marrëdhëniet e jashtme.

Ky libër i jashtëzakonshëm, edhe pse i shkruar tri dekada më parë, ka aktualitet të veçantë, sidomos për disa nga çështjet që trajtohen në të. Një ndër to është mbrojtja e të drejtave të popullsisë shqiptare jashtë kufijve, çështje me domethënie dhe rëndësi shumëplanëshe.

Noli erdhi në fuqi në rrethana të jashtëzakonshme, që nga pikëpamja juridiko-ndërkombëtare përfaqësojnë një ndryshim qeveritar jo kushtetues, të cilat Prof. Puto, si një ndër mjeshtrit e mëdhenj të së drejtës ndërkombëtare, i ka trajtuar dhe pothuajse i ka ezauruar plotësisht në mënyrë të përsosur.

Megjithëse erdhi në këto rrethana dhe i duhej të përballonte vështirësi të pafundme si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit, krahas gabimeve që nuk mund të mohohen, gjithsesi ndërmori dhe realizoi disa veprime që bëjnë përshtypje të madhe. Le të qëndrojmë pa shumë komente te pjesa që kemi përzgjedhur, te mbrojtja e të drejtave të popullsisë shqiptare jashtë kufijve. Veprimet që kreu qeveria e tij në aq pak kohë sa qëndroi në pushtet, tregojnë pa asnjë mëdyshje preokupimin për interesat e vendit, sigurinë e tij kombëtare, si dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve jashtë vendit.

Nëse lexohet libri i Prof. Putos, konkludohet përnjëherësh se qeveria e Nolit nuk la jashtë vëmendjes as të drejtat dhe interesat e minoriteteve të huaja në Shqipëri, por u fokusua në radhë të parë e mbi të gjitha te mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve jashtë vendit. Kjo për dy arsye, e para ishte e karakterit parimor, mbrojtja e tyre ishte dhe mbetet detyrim ligjor e kushtetues i çdo qeverie shqiptare.

E dyta, sepse në atë kohë si në fqinjët e veriut ashtu edhe te ata të jugut kishte zhvillime dramatike, që godisnin vrazhdë jetën dhe të drejtat e disa dhjetëra mijëra shqiptarëve. Në veri autoritetet e ish Jugosllavisë, në vazhdën e politikave të tyre antishqiptare të asgjësimit dhe asimilimit të popullsive shqiptare, të nisur që në kohën e Kongresit të Berlinit dhe të rimarra në vitin 1913, pas Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, në zbatim të platformave mizore të Çubrilloviçit, Andriçit etj, shpërngulën nga trojet e veta brenda një harku kohor 1913-1937 rreth 100 mijë shqiptarë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi.

Në jug, e njëjta politikë e ndjekur për dekada të tëra, por tashmë e maskuar dhe e “lehtësuar” nga pikëpamja formalo-juridike edhe nga Traktati i shkëmbimit të popullsive greko-turke, nënshkruar në Lozanë, në janarin e vitit 1923, do të çonte në syrgjyn, në bregdetin turk të Azisë së Vogël, disa dhjetëra mijëra shqiptarë, që u detyruan me mjete të tmerrshme dhune të braktisnin vatrat e tyre amtare stërgjyshore.

Qeveria shqiptare e asaj kohe, me gjithë numrin e pafundëm të problemeve që i duhej të përballonte gjeti kohë dhe bëri aq sa mundi, për t’iu ardhur në ndihmë këtyre njerëzve, duke u përpjekur për të involvuar edhe strukturat e posaçme të Lidhjes së Kombeve. Edhe nëse supozojmë se nuk bëri ndonjë gjë për t’u shënuar, nuk mund të mohohet fakti, që duke vazhduar përpjekjet e qeverive shqiptare para saj, sensibilizoi opinionin publik europian e botëror rreth një çështjeje të madhe, rreth shkeljeve flagrante që iu bënin serbët në veri dhe grekët në jug, të drejtës për jetën të disa dhjetëra mijëra qenieve të gjalla, të cilat sakrifikoheshin vetëm sepse ishin shqiptarë dhe trojet, pronat e pasuritë e tyre duheshin për t’ua dhënë serbëve dhe grekëve.

Për hir të së vërtetës, këto përpjekje u vazhduan me konsekuencë të paqortueshme edhe nga qeveritë e tjera që erdhën në krye të vendit pas rënies së qeverisë së Nolit.

Po ta vendosësh këtë tablo përpjekjesh, e cila del më në pah duke lexuar dy faqet e nxjerra nga libri i Prof. Putos, me ato çka thuhen e ç’po bëhen këto kohë, që Shqipëria “të meritojë” një imazh të stisur europian, ndjen keqardhje, ndoshta edhe revoltë.

Qeveritë e sotme shqiptare e dinë se kanë jashtë vendit me qindra mijë shqiptarë. Vështirësitë ekonomike, shkaktare të të cilave mund të jenë edhe ato (qeveritë) vetë, por ndoshta edhe dëshira për një jetë më të mirë, i ka bërë ata që të ikin dhe të jetojnë jashtë vendit. Një pjesë vihen ngandonjëherë në kushte të vështira.

Le të përmendim vetëm një nga më të rëndomtat, por më të dukshmet, detyrimin e tyre për të pritur në pikat e kalimit të kufirit në kohën e pushimeve të verës dhe/ose të dimrit, në radhë kilometrike, me fëmijë të vegjël, të moshuar e të sëmurë, në piskun e vapës përvëluese ose të acarit të hidhur, nën pretekstin banal tridhjetëvjeçar të “prishjes së kompjuterave” të pikave të kalimit kufitar.

Nuk kemi dëgjuar që ndonjë nga qeveritarët t’iu ketë thënë homologëve të vet se përse kompjuterat prishen vetëm në kufijtë tokësorë (jo në aeroporte, ku ngarkesa është shumë herë më e madhe) dhe vetëm në kufijtë me Shqipërinë?!

E pra, duket se heshtin thellë për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, fjala është veçanërisht për ata në vendet fqinjë, ndërkohë që e kanë çuar në 9, numrin e minoriteteve të huaja në Shqipërinë tonë prej 28 mijë km², që tingëllon absurde. Vazhdon shqetësimi i tyre në kërkim të një numri prej 300 vetësh, i mjaftueshëm që një grup të kërkojë dhe të marrë statusin e minoritetit dhe të gëzojë gjithë të drejtat dhe liritë themelore që sanksionojnë kartat e mëdha për të drejtat e njeriut, përfshirë aty edhe Konventën kuadër të Këshillit të Europës për të drejtat e pakicave kombëtare dhe Konventës tjetër po të Këshillit të Europës për gjuhët rajonale etj.

Siç u tha në fillimin e këtij shkrimi, është shumë i drejtë dhe maksimalisht i përligjur shqetësimi për statusin dhe të drejtat e minoriteteve. Është shenjë civilizimi që shqiptarët e kanë pasur në Kodin e tyre të Nderit, dhe e kanë respektuar me fanatizëm. Veçse nuk duhet kaluar në absurd. Kërkohet zbatimi i parimit të reciprocitetit, parimit bazë të së drejtës ndërkombëtare, i cili imponon që shtetet përpara se të kujdesen për të drejtat e të huajve, ose më saktësisht paralel me të, duhet të kujdesen për të drejtat e bashkëkombasve të vet që jetojnë jashtë, ashtu siç bënte Noli i madh, siç bënte gjithashtu edhe Zogu, sikurse e përshkruan më poshtë Prof. Puto.

Nuk mund të mos mbahet parasysh se çështja e minoriteteve është nga më të rëndësishmet dhe më delikatet. Kur nuk trajtohet me kujdesin e duhur, në rrethana të caktuara, ajo mund të shndërrohet shumë shprejt në casus belli. Le të kujtojmë se preteksti që përdori Hitleri kur sulmoi dhe pushtoi Moravinë, Boheminë ishte “keqtrajtimi i minoritetit gjerman”.

“Problemi i minoriteteve pas Luftës I Botërore

Qysh përpara luftës, kur në Konferencën e Londrës Fuqitë e Mëdha u morën vesh për kufijtë e Shqipërisë, duke lënë jashtë saj shumë toka shqiptare, u bënë njëkohësisht disa përpjekje për të “kompensuar” disi efektin e padrejtësive flagrante me anën e një vendimi, që duhej të siguronte disa të drejta elementare për një popullsi, e cila përbënte më shumë se gjysmën e kombësisë shqiptare.

Në mbarim të punimeve të saj, në fund të korrikut të vitit 1913, Konferenca e Ambasadorëve u vinte si detyrë në mënyrë të veçantë Serbisë e Malit të Zi, “të siguronin mbrojtjen efektive” të shqiptarëve që banonin në territoret që iu ceduan atyre. Njohja e përdorimit të lirë të gjuhës amtare në shkolla e botimet ishin detyrimet më konkrete që u caktoheshin të dy qeverive lidhur me popullsinë shqiptare të këtyre territoreve. Por edhe këto u kundërshtuan atëherë, duke e quajtur si një orvatje për të ndërhyrë në punët e tyre të brendshme.

Pas Luftës I, Fuqitë e Mëdha fitimtare e quajtën me vend të futnin në traktatet e paqes të sistemit te Versajës (1919-1920), disa dispozita të veçanta për “garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare”. Në bazë të këtyre traktateve, një varg vendesh të Evropës Qendrore dhe Juglindore, duke përfshirë Jugosllavinë dhe Greqinë, u angazhuan zyrtarisht t’u njihnin pakicave kombëtare brenda kufijve të tyre “të drejta të barabarta me kombin mbizotërues në shtetin përkatës, duke u dhënë atyre (pakicave) në mënyrë të veçantë lirinë e shtypit dhe të arsimit në gjuhën amtare”.

Kufizimi kryesor ishte se çfarëdo ankese (peticion), që mund t’i drejtohej Lidhjes së Kombeve (nën mbrojtjen e së cilës vendosej regjimi i minoriteteve), mund të pranohej për shqyrtim (në një komision të posaçëm), vetëm në qoftë se për këtë shprehej në favor të paktën njëri prej anëtarëve të Këshillit të Lidhjes.

Mirëpo kjo nuk e ndryshoi gjendjen e vështirë të pakicave kombëtare në shtetet e vjetra dhe të reja, të cilat mbetën si më parë në pozita pabarazie të rëndë. Edhe e ashtuquajtura “procedurë e posaçme për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare” në Lidhjen e Kombeve (e parashikuar në statutin e kësaj organizate), nuk krijoi veçse iluzione të përkohshme, sepse veç zhurmës mbi “kujdesin për fatin e pakicave kombëtare” nuk dha rezultate praktike. Dhe as që mund të jepte, e ngarkuar siç ishte me një varg pengesash formale.

Në vend që në këto akte të reja të pasluftës të gjendeshin lehtësi të reja juridike-ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të popullsive shqiptare kompakte, të shkëputura prej mëmëdheut, Shteti shqiptar i rimëkëmbur u vu në pozitën paradoksale që të jepte llogari për trajtimin e disa grupeve etnike të parëndësishme të përfshira brenda kufijve të tij, sidomos në jug.
Kjo ishte pa dyshim një tjetër shprehje e pozitës së inferioritetit që iu imponua Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare në krahasim me shtetet e tjera të kësaj zone.

Kështu shpjegohet pse Shteti shqiptar, qysh se filloi të marrë pjesë në jetën ndërkombëtare, qëndroi në pozita mbrojtjeje kundrejt shteteve fqinje edhe në çështjet e pakicave kombëtare.

Në dhjetor 1920, kur votoi për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Asambleja e përgjithshme pati “shprehur dëshirën” që qeveria shqiptare të zotohej për mbrojtjen e pakicave në territorin e saj. Në vitin 1921, kur qeverisë shqip¬tare iu desh të bënte një luftë të ashpër për të shpëtuar kufijtë e 1913-s, Lidhja e Kombeve, krahas me rekomandimin që i bëri Konferencës së Ambasadoreve për të zgjidhur këtë çështje, kërkoi prej saj (qeverisë shqiptare), gati si një kusht paraprak, që të merrte zotime konkrete “për mbrojtjen e paki¬cave kombëtare në Shqipëri”.

Nën këto presione më 2 tetor 1921 qeveria shqiptare u detyrua të nënshkruante përpara Këshillit të Lidhjes një deklaratë të posaçme, me anën e së cilës pranonte jo vetëm t’i paraqiste Këshillit në formë të detyrueshme brenda 6 muajve “njoftime të hollësishme mbi statusin legal të komuniteteve fetare, kishave, manastireve, shkollave, shoqatave bamirëse të pakicave të racës, fesë dhe gjuhës së ndryshme”, por edhe “të merrte parasysh çdo rekomandim që mund t’i bëhej për këtë nga Lidhja e Kombeve”.

Me fjalë të tjera Shteti shqiptar u detyrua të vihej në një farë tutele të vazhdueshme të organizatës së Gjenevës për pakicat kombëtare brenda kufijve të tij.

Këshilli i Lidhjes e futi disa herë në rendin e ditës këtë çështje gjatë vitit 1922, duke e ngarkuar madje edhe sekretarin e përgjithshëm te Organizatës të mblidhte të dhënat e nevojshme. (Rapport a la IV Assamblée sur l’oeuvre du Conseil, sur le travail du Secretaire et sur les mesures prises pour executer les decisions de l’Assemblée, Société des Nations, Genève, 28 juin 1923).
Shpesh qeveria shqiptare detyrohej të justifikohej përpara Këshillit për mosparaqitjen në kohë të të dhënave që i kërkoheshin.

Ndoshta çështja nuk do të ngjallte diskutime sikur detyrimet në këtë fushë të ishin të dyanshme dhe vëmendja të tregohej njëlloj për të gjitha pakicat kombëtare. Mirëpo është fakt se gjendja e popullsisë shqiptare në Jugosllavi e Greqi, që ishin objekt i persekutimeve më të rënda, ngritur në politikë zyrtare, nuk u bë ndonjëherë problem serioz në organet e Lidhjes së Kombeve.

Në mënyrë të veçantë Këshilli i Lidhjes nuk u dha asnjë vijim peticioneve të përfaqësuesve të ndryshëm të shqiptarëve të Kosovës, bllokoi ankesat me anën e të cilave, këta, përmes kaq rreziqeve, arrinin të denonconin keqbërjet e autoriteteve të Beogradit.

Opinioni zyrtar qëndroi i pandjeshëm edhe kundrejt lajmeve që gjenin ndonjëherë vend në shtypin e kohës dhe që bënin fjalë për shtypjen e egër të shqiptarëve në Jugosllavi.”

Ja përse zoti Lleshaj desha dhe bëra këtë shkrim. Jua rekomandoj librin e Profesor Putos nëse nuk e keni lexuar. Si ministër i Brendshëm jeni i përkohshëm, por si shqiptar duhet të jeni i gjithëkohshëm.

Kaq për sot.

——-

Botuar në DITA. Ndalohet kategorikisht ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen e redaksisë dhe pa citimin korrekt e të dukshëm të burimit 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT