Veliaj: Rama merr mandatin e tretë, do të punoj 24 orë në 7 ditë për fitoren historike

Si asnjëherë tjetër në 30 vite pluralizëm, Partia Socialiste dhe Edi Rama janë gati edhe për një mandat të tretë.

Kështu është shprehur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Ai tha se do të punojë 24 orë në 7 ditë të javës për të arritur këtë fitore të madhe dhe historike.

Ndonëse ka 7 vjet në qeverisje, kryebashkiaku i Tiranës tha se janë rezultatet që e bëjnë partinë ku ai është pjesë, forcë të parë për një tjetër fitore të madhe.

Veliaj tha se gara e radhës së PS-së është me veten, për t’u përmirësuar edhe më shumë.

“Vitin tjetër kemi zgjedhje dhe unë do të punoj 24 orë në 7 ditë të javës, që Partia Socialiste dhe Edi Rama të fitojnë mandatin e tyre të tretë”, tha Erion Veliaj.

Është përfolur se mund të ketë edhe zgjedhje lokale të parakohshme, megjithatë Edi Rama e hodhi poshtë një mundësi të tillë.

Prandaj edhe Veliaj, i sigurt se do të ketë në krye të abshkisë, po punon për mandatin e tretë të socialistëve.

“Mandati i tretë do të ishte historik sepse në Shqipëri, në 30 vite pluralizëm, nuk ka ndodhur asnjëherë që një forcë politike të mandatohet tre herë radhazi. Unë besoj se i kemi të gjitha argumentet për të kërkuar një mandat të tretë, jo pse opozita është e shpartalluar, porse në 8 vjet jemi partia numër një, e padiskutueshme, garën e kemi me veten. Por, ca gjëra mund t’i bëjmë shumë më mirë”, tha Veliaj.

Veliaj tha gjithashtu se vendimi i PS-së për të hapur listat është i rëndësishëm tha Veliaj, pasi kështu janë qytetarët ata që vlerësojnë një kandidat për deputet.

“Vendimi më i rëndësishëm është ai i hapjes së listave. Po të shikoni sot, ka shumë njerëz që më thonë: Ore, ç’është kjo frymë e sharjes dhe vulgaritetit? Është mëse normale kur fatin për sukses në listë ta cakton Saliu apo kushdo tjetër; atëherë ti nuk mendon fare për elektoratin, por mendon që elektorati është vetëm ky që të fut në listë: nëse ai është i kënaqur, ti je lart në listë, nëse është i pakënaqur, ti je poshtë në listë”, nënvizoi Veliaj.

Deklaratat e Veliajt u bënë në ceremoninë e certifikimit të trajnerëve të rinj, ku kryebashkiaku ishte i ftuar nga Fondacioni “Qemal Stafa”.

Ai foli edhe për disa sondazhe, për të cilët nuk tha se kush i kishte organizuar.

Githsesi, kryebashkiaku Veliaj u shpreh i sigurt se, “mbi 80% e njerëzve duan hapjen e listave. Unë besoj se ky është rasti tipik, kur një parti e madhe i shkon pas popullit, dhe nuk e detyron opinionin publik, t’i shkojë pas partisë. Përqafimi i listave të hapura, së pari do e bëjë debatin më civil dhe nuk do kemi këtë garën e televizioneve çdo natë, kush thotë ndyrësitë dhe poshtërsitë më të mëdha për armikun, sepse do mendosh se po të gjykon populli, i cili do të japë edhe renditjen në listë, dhe jo shefi i partisë”, u shpreh ndër të tjera kryebashkiaku i Tiranës, Erion  Veliaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT