Shifrat në rritje/ A ka rrezik që Qeveria të marrë sërish vendim për Gjendjen e Jashtëzakonshme?!

Muaji qershor dhe 10 ditët e para të korrikut kanë pasur një rritje të frikshme të të infektuarve me Covid-19 dhe po ashtu edhe viktimat. Krejt ndryshe nga muajt e parë të pandemisë, hapja e plotë me pak përjashtime e ka përkeqësuar situatën në Shqipëri.

Alarmin për një situatë serioze thuajse përditë po e japin ekspertët e Shëndetësisë me të gjitha mjetet e komunikimit publik, shumica e të cilëve edhe përmes rrjeteve sociale, ku aksesi është i madh.

Në datën 23 qershor, skaduan afatet e Shqipërisë me Gjendjen e Jashtëzakonshme, por a rrezikon që kjo masë të rikthehet dhe Qeveria të rimarrë një vendim të tillë?!

Tri janë gjendjet që diktojnë marrjen e masave të jashtëzakonshme dhe që përcaktohen në Kushtetutë. Gjendja e luftës,  Gjendja e Jashtëzakonshme dhe Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, sipas përcaktimeve të nenit 170, pika 1 e Kushtetutës.

Vendi ynë që prej 27 nëntorit ka kaluar disa periudha të Gjendjes së Jashtëzakonshme, sipas vendimmarrjeve të Qeverisë dhe Kuvendit. E para dhe që zgjati deri në mars në disa periudha ka qenë Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, që përfshiu tre qarqe dhe më vonë, Gjendja e Jashtëzakonshme e shkaktuar nga pandemia botërore Covid 19.

Shtyrjet e afateve diku me vendim qeverie, e diku me votim nga Kuvendi e çuan Shqipërinë deri në 23 qershor në kushtet e Gjendjes së Jashtëzakonshme, por a mund të zgjatet?!

Në fakt, juridikisht ka pasur një problem ligjor. Sepse “Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore” mund të vendoset nga Këshilli i Ministrave në rastet e një fatkeqësie natyrore ose aksidenti teknologjik, me qëllim që të parandalohen dhe mënjanohen pasojat e rënda.

Kështu, kjo gjendje ndryshon nga “Gjendja e Jashtëzakonshme”, e cila vendoset me ligj të miratuar nga Kuvendi në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike e për më tepër, ndryshon nga “gjendja e luftës”, e cila vendoset në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë, hapja e Shqipërisë nga fundi i muajit maj e deri tani ka prodhuar raste dhe një strategji që nuk po shkon sikurse ishte menduar. Psh, rasti i mbylljes së spitalit “Shefqet Ndroqi”, që ishte me statusin e spitalit “Covid 2” për më shumë se 2 muaj rrezikon të rikthehet sërish në dispozicion të pacientëve të infektuar me koronavirus.

Ligji “Për mbrojtjen civile” njeh edhe mbylljen e përkohshme të veprimtarive të subjekteve private, por përcakton edhe shkaqet për të cilat mund të mbyllen.

Kjo mund të ndodhë me qëllim detyrimin për kryerjen e shërbimeve të ndryshme, në funksion të përballimit të fatkeqësive.  Masat e jashtëzakonshme që parashikohen nga ligji, duhet të përmbushen nga katër kategori subjektesh: institucionet publike, strukturat operacionale të mbrojtjes civile, subjektet private dhe shtetasit.

Përkundër vendimmarrjes nëse mund të ketë apo jo për Gjendjen e Jashtëzakonshme, ka edhe një detaj që nuk të lë shumë hapësira. Bëhet fjalë për ekonominë, e cila është e tronditur nga ajo që kaloi vendi për muajt mars, prill dhe maj dhe një rimbyllje do të ishte katastrofike.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT