BE vë nën fre dialogun Kosovë-Serbi: U kthye në shina!

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka organizuar këtë të diel një video-konferencë mes Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

I vetmi përfundim nga ky takim në distancë është dakordësia e shprehur mes palëve që të takohen fizikisht në Bruksel të enjten që vjen. Megjithatë, Lajçak e vlerësoi këtë si një hap mjaft pozitiv dhe që rikthen në shina dialogun Prishtinë-Beograd pas 20 muajsh.

“Sapo përfunduam takimin virtual me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin Hoti dhe jam i lumtur se pas Samitit të Parisit që dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian me qëllim arritjen e marrëveshjes dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pas 20 muajsh është rikthyer në shina”, ka deklaruar Lajçak.

Lajçak falenderon Hotin dhe Vuçiçin dhe zyrtarizon takimin që do të mbahet në Bruksel ditën e enjte. Ai thotë se palët kanë rënë dakord edhe për agjendën në këtë takim.

Në lidhje me këtë takim virtual ka folur edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ku temat në diskutim kanë qenë pandemia dhe dialogu me Serbinë.

Hoti tha se në video-konferencën e ndërmjetësuar nga Lajçak ka shpalosur platformën e Kosovës për këtë dialog, ku shprehet gatishmëria dhe besimi se zgjidhja e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve mbërrin vetëm përmes bisedimeve dhe ku synimi i Kosovës në fund është njohja e Pavarësisë së saj nga ana e Serbisë.

Ky do të jetë takimi i parë në kuadër të dialogut pa praninë e Presidentit Hashim Thaçi. Ky i fundit të hënën do të dëshmojë para prokurorisë speciale në Hagë në lidhje me akt-akuzat për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe tortura.

Akt-akuzua u bë publike nga prokuroria speciale pak orë para takimit mes Thaçit dhe Vuçiçit në Uashington, të ndërmjetësuar nga i dërguari i posaçëm i SHBA për këtë dialog, Richard Grenell. BE i trembej faktit se në këtë tryezë mund të diskutohej tema e shkëmbimit të territoreve, e cila kundërshtohet nga Brukseli.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT