Numri i lartë i shtrimeve tek Infektivi, spitali “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet në COVID-2

Spitali “Shefqet Ndroqi” ose siç njihet ndryshe si Sanatoriumi do të rikthehet në spitalin COVID-2, ku do të trajtohen pacientët me koronavirus.
Sipas burimeve, vendimi është marrë pas shtimit alarmant të rasteve të të infektuarve me koronavirus në vendin tonë.
Aktualisht në Spitalin Infektiv janë të shtruar 85 pacientë, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë.
Numri i lartë i shtrimeve në spitalin e vetëm ku kurohen pacientët me COVID, ka bërë të nevojshme rikthimin e Sanatorimit në COVID-2.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nëse sërish do të kemi numra të lartë shtrimesh, atëherë në skenar është spitali COVID-3, që është ish-Kirurgjia në QSUT, ç’ka do të sillte zhvendosen në një tjetër strukturë të pacientëve të Sanatoriumit dhe COVID-4 te godina e ish-universitetit privat në autostradë.
Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë u regjistruan dy të vdekur nga COVID-19 dhe 117 të infektuar, numri më i lartë i infektimeve ditore.