Meta viziton Mallakastrën: Tre Besëlidhjet e Poçemit frymëzim për kryengritje mbarëpopullore kundër pushtuesve

Presidenti Ilir Meta ditën e sotme ka qenë në Poçem të Mallakastrës, ku është pritur me këngë dhe valle karakteristike të zonës.
Me anë të një postimi në ‘Facebook’ Meta thotë se ndodhet në vendin fisnik që sipas tij ka nxjerrë burra të shquar, trima e patriotë që i kanë dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj.
Ndër të tjera Kreu i Shtetit shkruan se tre Besëlidhjet e Poçemit në vitet 1847, 1920 dhe 1943 ishin frymëzim mbarëkombëtar për kryengritje mbarëpopullore kundër pushtuesve.
“Shumë i lumtur të jem sot në Poçem të Mallakastrës fisnike, të burrave të shquar, trima e patriotë, në këtë vend të shenjtë të tre Besëlidhjeve të mëdha për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar, që i kanë dhënë nder dhe lavdi historisë së shqiptarëve në shekuj.
Kombi ynë është i bekuar që ka një krahinë kaq patriotike, atdhetare dhe heroike si Mallakastra. Tre Besëlidhjet e Poçemit në vitet 1847, 1920 dhe 1943 ishin frymëzim mbarëkombëtar për kryengritje mbarëpopullore kundër pushtuesve,” shkruan Meta.
Besëlidhja e Poçemit një nga monumentet e rëndësishme historike shqiptare. Në kuadër të kryengritjeve të Mallakastrës është edhe Besëlidhja e Poçemit. Në shekullin e 18 Perandoria Osmane ndryshon sistemin e taksimit. Pikërisht këtë lloj taksimi e kundërshtojnë fshatrat e lirë shqiptar dhe bashkë me ta bashkohen edhe ish oficerë në shërbim të Perandorisë Osmane. Për të pasur një strukturë sa më të gjerë popullore u bë edhe një besëlidhje.