A do të bëhet mbajtja e maskës e detyrueshme me ligj? Ja si përgjigjet Ogerta Manastirliu

Pas shpërthimit të rasteve me koronavirus, qeveria e Kosovës vendosi që mbajtja e maskave të jetë e detyrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, ndërsa të moshuarit do të kenë orar të caktuar se kur mund të lëvizin.
Në Shqipëri nuk ka ende një vendim që e bën mbajtjen e maskës të detyrueshme në ambientet publike.
Në një intervistë për Top Talk në Top Channel, Ogerta Manastirliu tha se mbajtja e maskës është e detyrueshme në aktivitetet me risk të lartë.
“Maska është e detyrueshme në aktivitetet me risk të lartë, në rastet kur nuk mbahet dot distance 1.5 metra. P.sh. në transportin publik nuk lejohet të udhëtosh pa maskë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë, ashtu siç raportoi më herët Gazeta SHQIP, pranoi se “Shefqet Ndroqi” do të rikthehet në spitalin COVID-2, por kjo nuk është jashtë skenarit të parashikuar.
“Rihapja e spitalit COVID-2 tek Shefqet Ndroqi është pjesë e skenarit tonë, jo diçka e paparashikueshme”, tha Manastirliu, duke pohuar se koronavirusi nuk ka dalur jashtë kontrollit.