PS i plotëson kërkesat opozitës parlamentare, hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore

Mazhoranca dhe opozita kanë gjetur dakordësinë për ndryshimet kushtetuese. Listat e kandidatëve për deputetëve do të hapen në jo më pak se 2/3-tat.
Pragu zgjedhor nuk është përcaktuar në kushtetute sesa do të jetë, pasi detajet do të përcaktohen në kodin zgjedhor.
U miratuan dy nenet 1 dhe 2 që ndryshojnë nenet 64 dhe 68 që kanë të bëjnë me hapjen e listave dhe me koalicionet parazgjedhore. Por i mbetet Kuvendit që ta votojë dhe ta miratojë ose ta hedhë poshtë.
Jashtë këtyre ndryshimeve kushtetuese ka mbetur pragu zgjedhor, detajet e të cilit do rregullohen brenda Kodit Zgjedhor teksa më 30 korrik votohet në seancë plenare ku kësaj nisme i duhet pikërisht 94 vota.
Opozita parlamentare nga një prag 5%, u kthye tek një prag kombëtar 2%, por duket se sot ka marrë garanci nga mazhoranca se pragu do jetë natyral në çdo qark të Republikës së Shqipërisë.
Me hapjen e listave pamundësohen koalicionet parazgjedhore por si nga opozita parlamentare dhe nga mazhoranca kanë bërë të ditur që subjektet mund të garojnë në lista të përbashkëta si formë zgjidhjeje pasi nuk mundësohet forma klasike.
” Listat e hapura dhe koalicionet parazgjedhore nuk shkojnë dot bashkë. Në Kushtetutë nuk kemi pse shkruajmë që ndalohen koalicionet. Kjo vetëkuptohet, kur themi që kandidatët i propozon vetëm partia dhe zgjedhësit. Në Kushtetutë ruajmë vetëm parimet, në Kodin Zgjedhor saktësojmë detajet. Nivelin se sa do të jetë % e pragut kombëtar do të lëmë ta saktësojmë në Kodin Zgjedhor”, tha relatorja, socialistja Klotilda Bushka.
Tani për votimin e ndryshimeve kushtetuese në seancë duhen 94 vota pro.
Ndryshimet Kushtetuese
Neni 64 ndryshohet si vijon:
“1. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur sipas një sistemi zgjedhjesh proporcional me konkurim rajonal dheprag kombëtar.
2. Në shpërndarjen e mandateve marrin pjesë subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar.
3. Zgjedhësit gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumemërore. Kriteret dhe rregullat për zbatimin e sistemit zgjedhor, për caktimin e zonave zgjedhore, pragun kombëtar, numrin e mandateve për secilën zonë, shpërndarjen e mandateve dhe masën e shtrirjes së votimit parapëlqyes përcaktohen në ligjin për zgjedhjet. Ligji për zgjedhjet garanton që votimit parapëlqyes t’i nënshtrohen jo më pak se dy të tretat e listës shumemërore dhe të sigurojë përfaqësim gjinor.”
Neni i riformuluar:
Neni 2
Pika 1 e nenit 68 ndryshohet si vijon:
“1.Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit. Një kandidat mund të paraqitet vetëm për një nga subjektet propozuese, sipas kësaj pike. Rregullat për regjistrimin e kandidatëve për deputetë përcaktohen në ligjin për zgjedhjet”.