Ndalimi i koalicioneve dhe hapja e listave, opozita e bashkuar: Lojë e pisët, nuk i bindemi Ramës

Partitë opozitare kanë dalë në një deklaratë të përbashkët pas vendimit të PS dhe opozitës parlamentare për t’i hapur rrugë listave të hapura dhe ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.

“Tentativa për prishjen e Dakordësisë së 5 Qershorit, të arritur me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e plotë të partnerëve strategjikë SHBA – BE, është përgjegjësi VETEM e Edi Ramës. Ky akt minon procesin e integrimit europian të vendit dhe dëshmon përpara opinionit publik, se Edi Rama për pushtetin e tij personal është në gjendje të hedh në erë të ardhmen europiane të Shqipërisë.

Çdo lojë e pisët për të ndryshuar në mënyrë të fshehtë dhe të njënashme Kushtetutën nga njeriu që është i tmerruar nga zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve, është dëshmi e fundit të tij të pashmangshëm. Ky akt rikonfirmon se Edi Rama është një mashtrues tinzar që, për pushtetin e tij, shet interesat e vendit dhe të shqiptarëve, rrënon procesin e integrimit europian dhe izolon Shqipërinë, duke kërcënuar rëndë stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.

Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor e vendosin vetëm qytetarët me referendum popullor. Opozita e Bashkuar i bindet vetëm vendimeve që marrin qytetarët dhe jo interesave kriminale të pushtetit personal të Edi Ramës.

Opozita e Bashkuar është e vendosur t’i shërbejë vetëm interesit të qytetarëve. Opozita e Bashkuar mbështet plotësisht qëndimet e qarta të Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dhe rikonfirmon se i qëndron plotësisht kodifikimit pa asnjë ndryshim të Dakordësisë së 5 Qershorit, si baza minimale për krijimin e një klime normale për zgjedhjet në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e Opozitës.

Kujtojmë se SHBA ka dalë kundër kryeministrit, duke kërkuar miratimin e Kodit Zgjedhor sipas dakordësisë së arritur në Këshillin Politik më 5 qershor, çka do të mundësi liri për koalicione parazgjedhore.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT