“Po bëhem i bezdisshëm”, Rama apelon sërish: Mbani maskën, në shtëpi shif e bëni vetë

Kreu i qeverisë Edi Rama ishte i pranishëm sot në impiantin e ri të trajtimit të ujit të pijshëm në Bovillëka, nga ku përsëriti sërish apelin për vendosjen e maskës për t’u mbrojtur nga Covid-19.
Kryeministri shtoi se maska duhet të mbahet kudo jashtë shtëpisë dhe se do të gjobiten ata që nuk e mbajnë në ambjente të mbyllura.
“Po jua përsëris të mbani maskat, se mos bëhem i bezdisshëm. Jashtë shtëpie, pastaj brenda shtëpie shifni e bëni vetë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u shfaq ditën e sotme me maskë në Kuvend, ndërsa e hoqi atë vetëm gjatë fjalës në foltore, duke i bërë apel deputetëve të japin shembullin e mirë duke e vendosur atë.