“Të bojkotohen shërbimet që s’ofrohen në shqip”, OMONIA reagon ashpër ndaj zv/ministres Ornela Çuçi

OMONIA ka reaguar pas deklaratave të zv/ministres shqiptare të Turizmit, Ornela Çuçi ku në një intervistë televizive tha dje se “duhet të bojkotohen shërbimet që nuk ofrohen në gjuhën shqipe në jug të vendit”.

Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek e ka cilësuar si racizëm linguistik këtë përgjigje të zv/ministres shqiptare, duke u shprehur përmes një deklarate për shtyp se për shkak të origjinës që ka dhe ku ka punuar, duhet të jepte një mësim civilizues.

“Racizmin linguistik dhe në rastin konkret antihelenizmin e znj. Zv. Ministre, e dënojmë pa asnjë ekuivok. I sjellim në vëmendje se të drejtën e përdorimit të Gjuhës amtare Greke, e kemi sanksionuar në rrugëtimin e historisë dhe për më tepër e kemi garantuar nga konventa dhe praktika të Europës, në të cilën Shqipëria synon të integrohet,” thuhet në deklaratën e OMONIA-s.

Reagimi i plotë

Demaskuese përsa i përket mentalitetit që mbizotëron në administratën e lartë të shtetit, është deklarata e Zv. Ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Qeverisë Rama, znj. Ornela Çuçi. Pyetjes provokative dhe kryesisht të paragjykuar të gazetarit, në kuadrin e intervistës së saj, dje, në stacionin “ORA tv”, mbi atë se çfarë duhet të bëjë vizitori në Jug të Shqipërisë (nënkupton trevat e Gjirokastrës, Sarandës, Himarës, ku historikisht dhe në numra të konsiderueshëm rron Minoriteti Etnik Grek), ku rastis t’u drejtohen në Greqisht për porosinë, znj. Zv. Ministre, shkoi shumë më larg. Të bojkotojnë shërbimet që nuk u ofrohen në Gjuhën Shqipe!!!- nxiti. Ndërsa nga një politikane e re relativisht, me origjinë nga Gjirokastra ku është ambientuar me karakterin bilingue të zonës, dhe kryesisht një person që ka punuar në zonat e kontaktit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pritej që t’i jepej një mësim civilizues gazetarit të paragjykuar dhe opinionit me atë rast. Ajo preferoi ta shkojë më larg në drejtimin krejt të kundërt të atij të dëshiruar. Racizmin linguistik dhe në rastin konkret antihelenizmin e znj. Zv. Ministre, e dënojmë pa asnjë ekuivok. I sjellim në vëmendje se të drejtën e përdorimit të Gjuhës amtare Greke, e kemi sanksionuar në rrugëtimin e historisë dhe për më tepër e kemi garantuar nga konventa dhe praktika të Europës, në të cilën Shqipëria synon të integrohet. E mira do të ishte që të reflektojë mbi faktin se sa mirëbërëse për vetë atë, trevën dhe Shqipërinë në përgjithësi, është Gjuha Greke, dhe kryesisht arsimi që jepej në këtë gjuhë, në periudha ku nën pushtimin Otoman vendin e mbulonte errësira dhe analfabetizmi i thellë. Logjika dhe arsyetime sikundër këto që na solli në vëmendje ofiqarja e administratës së lartë të shtetit nuk e ndihmojnë as integrimin, as emancipimin e shoqërisë dhe për pasojë prosperitetin e ekonomisë dhe mirëqenien e shoqërisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT