Lojërat e rrezikshme/ Krimet kompjuterike, si kryhen dhe kush fshihet pas tyre, Shqipëria merr modelin hungarez

Tre skuadrat e njësisë së krimit kibernetik në Shqipëri, respektivisht me kodet e gërmave të parave të alfabetit “A”, “B” dhe “C” janë në një gatishmëri të vendosur në heshtje prej disa muajsh, por lajmet që prodhohen prej tyre zyrtarisht janë të pakta. Të shtunën, nga ky sektor policor doli lajmi se një lojë e rrezikshme po tenton të fusë në kurth gra e fëmijë, ndaj specialistët dhanë alarmin për kujdes.

Por, a ka kapacitete Njësia e Krimit Kibernetik në Shqipëri të zbulojë krimet kompjuterike dhe të hetojë se kush persona fshihen pas tyre. Burimet thonë se gjithçka është e mirë organizuar përmes partneritetit amerikan të Sigurisë, dhe Konventës së Budapestit që është ratifikuar nga vendi ynë.

Keqpërdorimi i teknologjisë nga elementë kriminalë njihet me emrin krim kibernetik, i njohur si një nga format e krimit me një rrezikshmëri të lartë shoqërore, ku në thelb është veprimi i një personi mbi një sistem kompjuterik, që mund të shfaqet si mashtrim kompjuterik, falsifikim kompjuterik, thyerje e sistemeve të sigurisë apo në çfarëdo forme tjetër që përfshin si mjet sistemin kompjuterik të lidhur me një rrjet.

Krimet kompjuterike janë përkufizuar si vepra penale që kryhen kundër individëve apo grupeve të individëve për qëllime të përfitimit monetar, dëmtimit të imazhit të viktimës apo shkaktimit të një dëmi fizik ose mendor drejtpërdrejt ose tërthorazi duke përdorur teknologjinë moderne.

Scott Peck, një psikiatër i njohur amerikan dhe autor i suksesshëm librash shkruan se e vetmja mënyrë për të pasur siguri në jetë është të njohësh pasigurinë. Prandaj njerëzimi duhet të përgatisë një mbrojtje dhe një luftë të fortë ndaj çdo lloj forme të krimit, qoftë atij tradicional të njohur edhe më parë, qoftë ndaj krimit kibernetik të ditëve të sotme.

Krimi kibernetik gjithnjë e më shumë po përhapet edhe në Shqipëri në forma nga më të ndryshmet. Por pavarësisht faktit se Shqipëria ka ratifikuar Konventën e Budapestit mbi Krimet Kibernetike dhe përfaqësohet në të ashtuquajturin Rrjeti i Lisbonës evidentohet nevoja për reforma legjislative të mëtejshme në këtë fushë.

Statistikat e para mbi krimin kibernetik janë mbajtur që prej vitit 1985, të dhëna këto që kanë ecur në rritje dhe zgjerim në shumë sfera të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Përdorimi i kompjuterit ka mundësuar kryerjen e shumë detyrave dhe funksioneve në fushën ekonomike, juridike, mjekësore, shkencore dhe fusha të tjera. Këto zhvillime kanë bërë që të shfaqen shumë sjellje anti shoqërore dhe kriminale për shkeljen e ligjit.

Studimet e para lidhur me krimin kibernetik filluan në vitet 1960. Në këtë periudhë ky krim përfshinte abuzimin kompjuterik, sabotazhin kompjuterik, spiunazhin kompjuterik  dhe përdorimin ilegal të sistemit kompjuterik. Në vitet 70 kostot e pajisjeve informatike u ulën në mënyrë dramatike, gjithashtu edhe programet kompjuterike ishin me çmime të lira, pikërisht në këtë periudhë ishte shfaqja e fillimit të tregut për pavarësinë e programeve dhe furnizuesve të tyre.

Të dhënat kompjuterike përdoreshin jo vetëm për raporte të përgjithshme, por edhe për analizat e nevojave të klientëve dhe për proceset e prodhimit dhe ruajtjen e të dhënave financiare. Bizneset arrinin të organizoheshin vetë brenda strukturës së tyre, duke e bërë të panevojshme punën e menaxherëve të mesëm dhe stafit administrativ. Kompjuterat e thjeshtësuan punën në biznese duke e bërë atë më eficente.

Në fillim të viteve ‘90 zhvillimi dhe përhapja e faqeve të internetit nëpër botë solli rritjen e përdoruesve, të cilët nuk ishin intelektualë dhe akademikë. Ndërsa në periudhën midis viteve 1993 dhe 1995, interneti ishte plotësisht i hapur ndaj trafikut tregtar dhe në vitin 1996 funksiononin mbi 15 milionë kompiutera.

Në dallim nga krimet e tjera të njohura, krimet kompjuterike dallojnë pasi ato janë të lehta për t’u mësuar se si të përdoren, kërkojnë fare pak burime, por nga burimi i të cilave shkaktohen dëme të rënda dhe të mëdha, mund të kryhen në një juridiksion të caktuar pa qenë aty fizikisht, dhe ajo që është më e spikatur, paligjshmëria e tyre është jo dhe aq e kuptueshme.

Në ndryshim nga krimet tradicionale, krimet kibernetike kanë karakter global që kryhen përmes hapësirave dhe rrjeteve kompjuterike duke tejkaluar kufijtë konvencional shtetërorë.

Duke marrë në konsideratë mundësitë e mëdha që ofron kompjuteri, ai mund të shfrytëzohet gjithashtu si mjet efikas për planifikimin, organizimin dhe udhëheqjen e veprimeve kriminale si nga ana e individit ashtu dhe nga organizatat kriminale. Në këtë këndvështrim, sot po luan rol gjithnjë e më të madh interneti me shërbimet e postës elektronike, që ofron mundësi të shpejtë komunikimi në çdo cep të botës. Kjo gjë lehtëson udhëheqjen dhe kontrollin e shpejtë të veprimeve të paligjshme të autorëve të veprave penale në kibernetikë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT