Lista të hapura pa shkencëtarë brenda

Dr. Ing. Sokol Marku

Ngjarja e fundit në këtë vend, përjashtuar Covid-19,  ishte diskutimi i zjarrtë mbi të ardhmen e listave për kandidatë për deputetë. Një grup deputetësh përkrahin me zjarr hapjen e tyre, si shpëtimi i vendit dhe e paraqesin këtë si kusht për të njohur një marrëveshje mes të “mëdhenjve”, arritur pas një odiseje të gjatë takimesh gati gjashtëmujore.

Politika shqiptare nuk është hobi im i preferuar në jetë. Për mua, politikisht, gjithnjë ka qenë e rëndësishme shprehja e vullnetit nëpërmjet votës time të fshehtë e të lirë, të pandikuar prej propagandës partiake, apo prej çdo lloj kërcënimi të drejtë apo të tërthortë gjatë këtyre 30 vjetëve të gjata e të lodhshme të demokracisë shqiptare. Duke qenë kështu, nuk do kisha marrë mundimin të trajtoja probleme lidhur me format e përzgjedhura për ndërtimin e listave në këtë vend, të cilat sipas mendjes tim nuk do ndryshojnë cilësinë e Kuvendit tonë për sa kohë mentaliteti i përzgjedhësve të tyre nuk ndryshon.

Në këtë vend nuk kam qenë ndonjëherë indiferent, dhe kam shprehur shpesh mendimin tim në shtypin e shkruar, për çështje të cilat i kam konsideruar të rëndësishme, e për të cilat kam çmuar se dijet e mia ishin të asaj shkalle që të sillnin tek lexuesi përfundime të drejta. Asnjëherë i ndikuar prej faktit nëse mendimi im profesional përputhej apo jo me atë të shumicës në këtë vend, sepse parimi im përputhet me thënien që i atribuohet  Galileo Gaielit:  “në çështjet e shkencës, autoriteti i mijëra vetëve nuk ka vlerë sa logjikimi i përulur i një individi të vetëm”.

Por lidhur me listat, të hapura apo të mbyllura qofshin, më bëri të reagoj një përfaqësues i votës së popullit, ose si e quajmë ne deputet, gjatë një seance të këtyre ditëve. Ky përfaqësues, i cili mendon se listat duhet të jenë plotësisht të hapura, kundërshtoi parimin e tij mbi lirinë absolute të zgjedhjes, kur përjashtoi në fjalimin e tij të drejtën e shkencëtarëve për të qenë përfaqësues të popullit në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Fjalën e tij ai e shoqëroi me shprehjen ironike, se shkencëtarët shqiptarë nuk na qenkan të aftë pasi asnjë prej tyre nuk ka qenë i NASA-s, nuk ka shpikur raketa, e të tjera, e të tjera.

Me pak fjalë, përfaqësuesit e politikës së këtij vendi, pasi i shkallmuan shkencëtarët shqiptarë duke i vënë në cep të ringut me politikën e “bukës së gojës”, pasi i bënë lëmsh institucionet shkencore me reforma antishkencore, po ua ndalojnë dhe të drejtën që u rrjedh këtyre qytetarëve shqiptarë, prej nenit III të Kreut 45 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cila që në pikën e parë i njeh të drejtën e zgjedhjes dhe të të zgjedhurit çdo shqiptari mbi 18 vjeç, e më tej kërkon që i zgjedhuri të jetë i shëndetshëm mendërisht  dhe të mos jenë duke vuajtur një dënim. Mund të më thoni se cili prej shkencëtarëve të nderuar të këtij vendi,  pavarësisht se nuk është i punësuar në NASA, nuk i plotëson këto kushte?!

Personalisht, pak më intereson nëse zgjedhjet do të zhvillohen me lista të hapura apo të mbyllura. Rëndësi për mua ka mënyra demokratike dhe e ndershme e procesit zgjedhor. Por nuk e mora mundimin ta hartoj këtë shkrim mbi këtë çështje, por për të treguar se kush janë shkencëtarët shqiptarë dhe si janë trajtuar ata në këtë vend në këta 30 vjet demokracie.

A kanë vlera reale shkencëtarët në Shqipëri? Kësaj po i përgjigjem duke pyetur, çfarë ishin ata që projektuan hidrocentralet gjigandë të këtij vendi? Po ata që e bënë Shqipërinë prodhuesin më të madh të kromit dhe prodhuesin e parë për frymë të bakrit në botë, e që mundësuan prodhimin e miliona tonëve naftë duke e bërë Shqipërinë ndër prodhuesit më të mëdhenj të hidrokarbureve në Europë? Po ata që projektuan hekurudhat që politika i katandisi në pikë të hallit? Po ata që ndërtuan anije nga më të voglat e deri më të mëdhatë, duke e kthyer Shqipërinë në fuqi detare në Mesdhe? Mos u gënjeni nga propaganda e 40 vjetëve komunizëm që këto arritje ja dedikonte Partisë dhe udhëheqësit të saj. Këto i bënë shkencëtarët shqiptarë, nën tehun e shpatës së Demokleut që mbante ajo Parti, e cila dinte vetëm të shprehte mosmirënjohjen e saj, derisa shumë prej kolosëve të shkencës tonë i dënoi me varje e burgime për të ashtuquajturin krim të sabotimit.

Vendi ynë në vitin 1972 krijoi Akademinë e Shkencave, një institucion që në marrëzinë që ka kapur këto vite bashkatdhetarët e mi anatemohet, por për fat të mirë ende askush nuk ka vendosur që me një dekret, ligj apo VKM ta ekzekutojë si “sabotatore”. Duhet ta dini se në këtë vend ku injoranca, arroganca dhe krimi nderohen me temena, i vetmi gur i çmuar që ekziston ende është ky institucion, dhe nëse një ditë vendoset që atij ti shkëputet mbështetja, e gjithë Shqipëria duhet të konsiderohet e vdekur.

Shteti shqiptar filloi të formësohet atëherë kur Naim Frashëri tha “dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Që atëherë rrodhi shumë ujë, por çdo regjim politik i këtij vendi e harroi këtë thënie dhe goditi ata që duhet të mbanin dritën, prandaj në historinë tonë 108 vjeçare po ecim qorrazi duke anatemuar edhe çdo dritë xixëllonje që shfaqet.

Të mësojmë nga bota. Grekët e lashtë sajuan lloj – lloj filozofish, por ata që nuk harrohen janë Pitagora, Euklidi e të gjithë shkencëtarët e tjerë. Perandoria britanike e mundi atë spanjolle sepse përparoi falë Njutonit, Leiellit, Darvinit, shpikësve të motorëve me avull, krijuesve të lokomotivave e projektuesve të urave, trenave, rrugëve e ideatorëve të teorive më të mëdha shkencore. Shtetet e Bashkuara! Superfuqi botërore sepse janë superfuqi shkencore.

Po nëse këta qenkan shtete të mëdhenj e nuk mund të krahasohen me Shqipërinë e vogël, po ju marr disa shembuj më të ngjashëm. Njëkohësisht me krijimin e tij, shteti serb krijoi Akademinë e Shkencave, dhe rezultat qenë shkencëtarë të mëdhenj si Nikola Tesla, emrin e të cilit me krenari serbët ia vendosën aeroportit të tyre ndërkombëtar. Pse ata kanë dominuar mbi ne në këta shekuj? Është e thjeshtë përgjigjja, sepse veprimi i tyre u mbështet mbi një platformë të mirëmenduar të Akademisë së Shkencave. Ja pra se ç’janë në gjendje të bëjnë shtetet e kombet, sado të vogla, kur udhëhiqen nga mbajtësit e dritës së diturisë. A i njihni emrat e mbretërve dhe politikanëve serbë. Jam i sigurt që jo, por Vasa Çubrilloviçin e njohim të gjithë.

Pra një vend përparon dhe arrin qëllimet e tij vetën nëse mbështetet tek shkencëtarët e tij, dhe i mbështetën fuqishëm ata moralisht dhe financiarisht. Kjo nuk bëhet në Shqipëri. Vlerësimi ndaj shkencëtarëve është mjaft minimal, madje shkon deri në denigrim. Zëri i tyre është pothuajse i mbytur, madje po shkohet deri atje sa me dy, tre raste mediatike po përpiqen të zerohet puna e çdo shkencëtari shqiptar, dhe me krahasimet me NASA-n po përpiqen të thonë që ne nuk na duhen më shkencëtarët dhe studiuesit tanë, por na mjafton të marrim me qera çdo lloj të shkolluari të huaj për të ndërtuar politikat tona. Kjo është plotësisht e gabuar, dhe për paralelizëm po marr rastin e kolonelit holandez Tomson, i cili megjithëse një ushtarak i aftë, ra në luftime, sepse ishte profan në taktikat luftarake shqiptare.

Unë jam një prej shkencëtarëve shqiptarë. Modest në punën time, sepse e tillë është mbështetja financiare, logjistike dhe laboratorike në vendin tonë, por pavarësisht kësaj, mendimi im ashtu si i pjesës tjetër të kolegëve të mi shqiptarë respektohet nga homologët tanë anë e kënd botës. Në studimin shkencor botëror jo të gjithë punojnë me NASA-n, por edhe NASA nuk mundet të  punojë e vetme pa aleancën e shkencës mbarëbotërore. Kontributi i gjithsecilit varet nga financimi i venë në dispozicion për shkencën. Të marrim si shembull Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe homologun e tij amerikan USGS. Raporti në popullsi mes dy vendeve është 1:100, raporti në sipërfaqe 1:344, raporti në buxhet 1:974. Nga ky i fundit do të varet cilësia e produktit.

Parimi në Shqipëri është ai i reduktimit të numrit dhe buxhetit të institucioneve shkencore sa herë ndërrohen qeveritë, duke harruar se sektori minerar i vendit është kontributori kryesor në PBB, duke harruar se vendi ynë është mjaft i ekspozuar ndaj riskut. Tërmetet, përmbytjet, rrëshqitjet e dheut e vërtetojnë këtë fakt. Vendi ynë ndodhet në kushtet kur flora dhe fauna është e rrezikuar, ku toka nuk punohet, ku pasuritë e mëdha ujore nuk shfrytëzohen dhe ende në çezmat tona nuk rrjedh ujë 24 orë në ditë. Vendi ynë është pjesë e botës në të cilën rreziku i etjes, ndryshimeve klimaterike globale janë evidente. Dhe si mendoni se do parandalohen këto? Duke “pushkatuar” shkencën dhe shkencëtarët shqiptarë? Në asnjë mënyrë jo, përkundrazi këta duhet të jenë pjesa më rëndësishme dhe motori i rimëkëmbjes dhe zhvillimit të sigurt të vendit.

Nuk do pranoja edhe qëndrime të cilat pretendojnë se problemi kryesor i Shqipërisë është ekonomia. Problemi i vërtetë është arsimi dhe padija, i njëjti me periudhën e Gjon Buzukut, i cili u përpoq të shkruante një “Meshar” për të ndriçuar mendjen e atyre që dinin të lexonin. Edhe sot kemi shumë televizione informative që shfaqin titra lajmesh pafund, të cilat lexohen nga njerëzit, por asnjë emision të vetëm që t’i drejtojë njerëzit tek kërkimi shkencor. A nuk e keni vënë re se në botë vendet më të zhvilluara janë ata që po përdorin e zhvillojnë teknologjinë? Jo larg nesh, Kroacia po përparon në krijimin e makinave elektrike, ndërsa tek ne ky shihet vetëm si një mall importi, e si i tillë i kushton humbje të panumërt financiare vendit. Nëse do nxitej kërkimi shkencor, do kishim më shumë të rinj që do kërkonin të shpiknin aparatura, në vend që ti drejtohen kultivimit të narkotikëve apo dëgjimit të tallavasë, dhe prej kësaj do kish në Shqipëri më shumë investime në fabrika elektronike në vend të fasonerive.

Në të kundërt të qëndrimit të politikës shqiptare ndaj shkencëtarëve qëndron edhe përvoja botërore. Pa u marrë me atë që rëndom e quajmë “migrim të trurit”, të cilin për shkak të qëndrimit nënçmues e indiferent ndaj të shkolluarve, të cilin Shqipëria po e vuan mjaft, e për pasojë ndoshta shumë shpejt do mbetemi pa mjekë, pa inxhinierë e të tjerë të shkolluar, po përmend një histori mjaft të njohur në botë. Rasti i shkencëtarit nazist, Werner von Braun, mëkatin politik të së cilit, politika e SHBA e anashkaloi, kur e vendosi në krye të programit hapësinor, dhe ky i fundit ja shpërbleu me fitoren historike të zbritjes së njeriut të parë në Hënë. Dhe duke mbetur këtu, po tregojmë se që në këtë mision (Apollo 11), shqiptarët ishin prezentë me inxhinierin Wilson Kokalari. Pra aty ku shkenca vlerësohet, shqiptarët janë të aftë të japin kontribut të rëndësishëm.

Për fat të keq Shqipëria vuan prej gjithologëve. Është ky një term që unë pretendoj se e përdora i pari në Nëntor të 2019, e që atëherë përdoret rëndom në çdo bisedë. Dituria në botë përmblidhet në dy rrathë me qendër të përbashkët. Sipërfaqja e rrethit të brendshëm është më e madhja dhe përfshin pjesën dërrmuese të njerëzve të cilët edhe nqs nuk i dinë të gjitha, mund të pyesin shkencëtarët të cilët qëndrojnë në sipërfaqen e jashtme mes dy rrathëve. Duke qenë se këta të rrethit të brendshëm kanë ku të pyesin, pretendojnë se asgjë në këtë botë nuk është e panjohur për ta, pra janë të gjithë dijshëm, me një fjalë të vetme “Gjithologë”, përndryshe mediokër. Shkencëtarët dinë gjithçka që dinë gjithologët, njohin dijet e sipërfaqes ku bëjnë pjesë, por dinë se përtej rrethit të dijes së tyre ka ende gjëra për tu ditur, madje më shumë se ato që dihen, prandaj ata nuk janë poterexhinj, sepse ajo që ata dinë është se nuk dinë asgjë, në lidhje me atë që ekziston në dijen universale.

Dhe gjithologët bëjnë potere duke u tallur me shkencëtarët. Sepse këta mediokër mendojnë se maksimumi i dijes është të dinë emrin e tyre, shkrim e këndim dhe të tjerat mund ti gjejnë në Wikipedia. Ç’bëjnë këta shkencëtarë ngordhalaqë, mendojnë ata, që nuk shpikin ndonjë raketë. Atëherë unë i pyes këta, cili prej “Gjithologëve” është thirrur për t’ju kërkuar mendim mbi krizat e politikës globale? Ne të paktën e paskemi një derë ku të konkurojmë, atë të Akademisë së Shkencave, dhe të çdo institucioni shkencor në botë që na i njeh ato vlera që kemi, të mëdha apo modeste qofshin. Po politikanët që e vetmja meritë që u njihet është çorba 30 vjeçare që kanë gatuar, për çfarë hyjnë në punë?

Në politikën dhe partitë e këtij vendi nuk ndjej as më të voglin tundim të jem pjesë. Rraca e shkencëtarit e përçmon klubin e njerëzve që mendojnë nën komandë. Përmasat e kësaj rrace janë të mëdha e universale sa nuk i zenë listat e partive, qofshin të hapura apo të mbyllura. Por ajo që më revolton është kërkesa e individëve politikë apo e partive ekzistente apo fantazmë për ti përjashtuar apriori me vendim turme, nga politika shqiptare. Ne ju shohim nga sipër, prej pjesës së rrethit tonë të dijes, sesi shqyheni në mediokritetin tuaj dhe qeshim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT