Shmangu takimin, Rama mesazh Bashës: Ngado që t’i marrësh malet, fundi është në tryezë

Nga takimi i sotëm palët nuk dolën me një marrëveshje duke mbetur në të njëjtat qëndrime, por kryeministri Edi Rama e vlerësoi tryezën si pozitive.
“Diskutimi ishte i gjatë interesant, ne nuk është se thamë ndonjë gjë të re, që opinioni i di, kemi një qëndrim të qartë sipas nesh, dhe ka një realitet politik, i cili imponon një qasje që për ne është e diktuar si forca më e madhe, por kemi edhe detyrimin që të krijojmë një proces dhe të arrijmë në një rezultat, ku nëse të gjitha palët nuk janë 100% dakord me të gjitha së paku secila të ketë pjesën e vet. Dhe në këtë aspekt është e rëndësishme që të diskutojmë, të vijojmë që të diskutojmë, ne ishim gati të vijonim diskutimin pa ndërprerje, që nesër, përfaqësuesit e opozitës jashtë parlamentare kërkuan kohë, por në ndërkohë kemi një kalendar, i cili ka një kufi të përcaktuar, që është fundi i këtij sesioni parlamentar, fundi i korrikut. Do të shikojmë në proces, por besoj që diskutimi ishte pozitiv”. deklaroi Rama.
Kryeministri pati edhe një mesazh ndaj rivalitit të tij politik, i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhjen e sotme, pasi PD u përfaqësua nga sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi.
“Ngado që të rrotullohesh sërish do mblidhemi në tryezë. Sado t’i marrësh malet, fundi është në tryezë. Kjo është një tryezë që do na mbledhë sërish. Në kemi mbajtur një pozicion shumë të ekuilibruar dhe jemi munduar që produkti të jetë sa më gjithëpërfshirës. Por të kishim vetëm interesin tonë partiak, do të zgjidhnin çfarë na intereson ne. por kemi oarë çfarë i intereson zgjedhësit”, tha Rama.