Hoti i përgjigjet Thaçit me lëvizje të fortë: Emëron krahun e djathtë të Rugovës si kreu i dialogut me Beogradin

Pikërisht kur Hashim Thaçi e goditi se po bie në nivel për dialogun me Serbinë, Kryeministri i Kosovës, ka bërë një lëvizje të fortë politike si kundërpërgjigje jo vetëm ndaj Presidentit që e ka kritikuar.
Hoti ka emëruar si koordinator të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, një “dinosaur” të politikës kosovare dhe themelues i LDK-së, përkatësisht Skënder Hysenin, ish-krahun e djathtë e Ibrahim Rugovës dhe disa herë ministër: i jashtëm, i Brendshëm, i Kulturës, i Republikës së Kosovës, në qeveritë Rexhepi, Haradinaj, Thaçi etj.
Emërimi i Hysenit si njeriu që do të diskutojë me qeverinë e Beogradit në dialogun e Brukselit përbën një zhvillim të rëndësishëm, i cili, në një farë mënyrë do të ndikojë edhe në mediat serbe.
Kjo sepse Hyseni është edhe një jurist, diplomat por edhe ministër i Brendshëm i Kosovës, që njeh në mënyrë perfekte edhe kontekstin edhe situatën me Serbinë.
Por ajo që duket si një sinjal politik është se nëse zoti Hyseni do të kthehet në protagonist apo të ketë vizualitet gjatë seancave të dialogut teknik, nuk është çudi që të promovohet si një figurë e rëndësishme politike e LDK-së, e pse jo edhe si kandidaturë si President i Kosovës, nëse Thaçi jep dorëheqjen pas konfrimimit të akuzës nga Gjykata Speciale.
Koordinatori për dialogun, më këtë rast Skender Hyseni, pritet të udhëheqë Këshillin e Ekspertëve pranë Zyrës së Kryeministrit. Detyrë e këtij këshilli, i cili u formua në fillim të korrikut, do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.
Pas takimit të dialogut në nivelin politik, BE-ja paralajmëroi se ekipet teknike të Kosovës dhe Serbisë do të takohen këtë javë, kurse Hoti e paralajmëroi takimin për të enjten.
Por, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti tha se të hënën se nuk do të ketë vazhdim të dialogut teknik – që nisi më 2011 dhe i parapriu atij në nivelin politik – por, Kosova do të dialogojë vetëm për marrëveshje finale, e cila sipas tij duhet të përmbajë njohje reciproke.
Paralajmërimet për rinisjen e dialogut teknik nuk u mirëpritën në Prishtinë, ku përveç partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, kjo ide u kundërshtua edhe nga Presidenca.
Vendimi për emërimin e Hysenit u kumtua pas një takimi të kryeministrit Hoti me përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, ku Hoti ka folur për rifillimin e dialogut në Bruksel.
Ftesës së Hotit për këtë takim nuk iu përgjigjen përfaqësuesit e dy partive opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, parti këto që po kundërshtojnë qasjen e qeverisë në procesin e dialogut. LVV thotë se Qeveria Hoti nuk ka legjitimitet që të dialogojë me Serbinë, ndërkaq PDK thotë se kryeministri është i papërgatitur për këtë proces negociues si dhe kundërshton rinisjen e bisedimeve teknike me Beogradin.
Skender Hyseni është anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës e ka qenë pjesë e delegacioneve të Kosovës në bisedimet për status dhe zëdhënës i ekipit negociator të Kosovës nga 2006-2007.
Në disa qeveri ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Punëve të Brendshme si dhe ministër i Kulturës.