Ish-ushtari i UÇK organizon protestë kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë

Në Prishtinë sot është bërë thirrje për një protestë kundër ndërtimit të një xhamie të madhe në qendër të qytetit. Protesta është paralajmëruar nga ish-komandanti i UÇK, Binak Gashi, i cili ka thirrur nëpërmjet postimeve në rrjeteve sociale që t’i bashkohen kësaj nismeje.

Gashi ka thënë se protesta do të mbahet pikërisht në lokacionin ku ka filluar të ndërtohet xhamia, në afërsi të objektit qendror të Telekomit të Kosovës.

“Këshilli organizativ njofton se me datë 22. 07. 2020, (e mërkurë), ora 11:00, organizohet protestë kundër ndërtimit të kësaj xhamie pikërisht në lokacionin ku kanë filluar punimet. Pjesëmarrësit të jenë të pajisur me masat anti Covid”, ka njoftuar Binak Gashi në Facebook.

Ai ka kritikuar faktin se xhamia është e financuar nga Turqia, derisa ka thënë se Kosova nuk është provincë e Turqisë por “histori e Ilirisë që nga koha pellazge”.

“Fillimi i punimeve për këtë xhami ka ndodhur me 16 korrik si koincidencë e përvjetorit të puçit ushtarak në Turqi, tregon atak direkt kundër Pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj të heshtura”, ka thënë veterani i UÇK-së.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT