Kryenegociatori me BE-në Zef Mazi me status e privilegje ministri, ja vendimi i qeverisë

Qeveria shqiptare ka vendosur që të kryenegociatori i Shqipërisë për integrimin në BE, Zef Mazi të ruhet dhe mbrohet nga Garda e Shqipërisë.
Sipas vendimit të qeverisë, 2 nënoficerë, një truproje dhe një shofer do të jenë në dispozicion të kryenegociatorit Mazi.
VENDIMI
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.591, DATË 5.9.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PERSONALITETEVE TË TJERA TË LARTA SHTETËRORE TË VENDIT, QË DO TË RUHEN DHE MBROHEN NGA GARDA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8869, datë 22.5.2003, “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Pas shkronjës “e”, të pikës 1, të vendimit nr.591, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, shtohet shkronja “ë”, me këtë përmbajtje:
“ë) Kryenegociatorin për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me truprojë–shofer, gjithsej 2 nënoficerë.”.
2. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Garda e Republikës së Shqipërisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Zef Mazi me status ministri
“Kryenegociatori barazohet me ministrin e Shtetit dhe, në zbatim të parashikimeve të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave, ka përgjegjësi për kryerjen e negociatave teknike të anëtarësimit në BE për të gjithë kapitujt negociues”, thuhet në vendimin e qeverisë. Edhe paga e kryenegociatorit barazohet me atë të ministrit, ndërsa rreth tij ngrihet dhe një kabinet i barasvlershëm me atë të kabinetit të ministrit.
“Nivelet e pagave për kryenegociatorin dhe funksionarët e kabinetit të tij janë, si më poshtë vijon:
a) kryenegociatori barazohet në pagë me ministrin;
b) Drejtori i kabinetit të kryenegociatorit barazohet në pagë me pozicionin ‘drejtor i kabinetit të ministrit’;
c) Këshilltari në kabinetin e kryenegociatorit barazohet në pagë me pozicionin ‘këshilltar i ministrit’;
ç) Sekretari i kryenegociatorit barazohet në pagë me pozicionin ‘sekretar i ministrit’.
3. Subjektet joanëtare të grupit negociator, të cilët kryejnë detyra të ngarkuara nga kryenegociatori, përfitojnë një pagesë në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë për çdo ditë pune, e cila paguhet pas realizimit të punës së ngarkuar”, thuhet në vendim.
Sipas këtij vendimi, Grupi Negociator mbështet punën e Komitetit Shtetëror për Integrimin Europian dhe Delegacionit Shtetëror sipas parashikimeve të vendimit nr.749, datë 19.12.2018, të Këshillit të Ministrave. Puna e kryenegociatorit do të zhvendoset mes Tiranës dhe Brukselit.
“Kabineti i kryenegociatorit funksionon pranë Kryeministrisë dhe në misionin e Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Struktura dhe funksionimi i tij miratohen me urdhër të Kryeministrit; Kabineti, në koordinim me njësinë përgjegjëse për nismat ligjore prioritare dhe acquis në Kryeministri dhe Sekretariatin e Integrimit Europian i siguron kryenegociatorit ndihmën e duhur teknike dhe asistencën administrative për të mbështetur zbatimin e detyrave të tij.