“Një hap drejt BE..”/ SHBA reagon për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit, ja apeli për politikën

Ambasada Amerikane ka përshëndetur miratimin në Kuvend më 97 vota të marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik më 5 qershor për reformën zgjedhore.
Miratimin nga Kuvendi të marrëveshjes konsensuale, Yuri Kim e quan një hap tjetër drejt BE-së.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ky akt respekton marrëveshjen e bërë nga të gjitha partitë dhe e çon Shqipërinë një hap tjetër përpara drejt Bashkimit Evropian.
Përgëzojmë të gjitha partitë që u siguruan që marrëveshja e 5 qershorit u arrit, u respektua, dhe u zbatua në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente.”, thuhet në njoftim.
Por tashmë palët janë përpara një diskutimi tjetër, ai për listat e hapura dhe formatin e ri të koalicioneve. SHBA thotë se mirëpret mbledhjen e Këshillit Polik, ndërsa kërkon vazhdimin e konsensusit.
“Kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare. Në këtë drejtim, mirëpresim vendimin për rithirrjen e Këshillit Politik për të diskutuar reforma të mëtejshme zgjedhore.
Të gjitha palët duhet të marrin pjesë në mirëbesim; të shpjegojnë pozicionet e tyre qartë dhe plotësisht njëri-tjetrit dhe popullit shqiptar; dhe të kërkojnë një zgjidhje që është në të mirën e të gjithë popullit shqiptar dhe vazhdon ta çojë vendin përpara në rrugën e tij demokratike.“