BOLL MË! Nuk na duhen LISTAT e HAPURA, në shqiptarët kemi plot të tilla nëpër dyqane

Kemi javë që dëgjojmë vetëm sherrin e partive për listat e hapura, sikur këto lista do të na sjellin demokracinë e vërtetë, sikur këto lista do të pasurojnë shqiptarët, sikur këto lista do të fusin në burg ata që për 30 vite e kanë vjedhur këtë shtet dhe këta qytetarë.

Nuk kemi më nevojë të dëgjojmë për këto lista që do të fusin në parlament të njëjtët njerëz si ata që kanë qenë, lëpirës të partive dhe të liderëve partiakë dhe hajdutë të popullit.

Nuk na duhen Listat e Hapura, kur nëpër dyqane kemi listat plot me borxhe të familjeve që nuk kanë mundësi as të ushqejnë fëmijët e tyre, duke u detyruar t’i lënë pa shkollë e duke i nxjerrë rrugëve të lypin.

Nuk na duhen këto Lista të Hapura, që do të mbushen e do të shqyhen nga të njëjtët emra që kanë hyrë nëpër parti e forume duke ëndërruar vetëm për karrige e për podiume.

E pse duhet t’ju dëgjojmë kur ata që debatojnë për këto lista janë të njëjtët persona që për 30 vitet e fundit në Parlamentin e Shqipërisë nuk zgjidhën hallet e shqiptarëve, por zgjidhën fjalëkryqe.

Ju keni të drejtë të debatoni për Listat e Hapura kur të mbyllni listat e borxheve që kanë shqiptarët, dhe deri kur të vijë ajo ditë ju duhet vetëm të heshtni e të mos flisni në emër të shqiptarëve, pasi keni vite që rrini e bëni humor, si në Parlament dhe në televizor.

Jeni ju ata që erdhët nga hiçi, të pashkolluar e barktharë, jeni ju që deri dje hanit me tollona pak bukë dhe fasule, ndërsa jeni po ju që sot me paratë e vjedhura shtroni bankete me mish qengji e pule.

Jeni ju që nëpër emisione dilni dhe flisni si mjeshtra të kulturës, kur i vetmi libër që keni lexuar është “Sekretet e Kamasutrës”. Jeni ju që për përfitimet tuaja hidhni poshtë Shqipërinë, jeni ju që ju intereson më shumë karrigia e liderit të partisë se jeta e qytetarëve.

Por nuk është faji juaj, është faji ynë që për 30 vite kemi vendosur të durojmë çdo pabesi që na keni bërë, ju kemi votuar edhe duke e ditur se çfarë parazitësh e çfarë hajdutësh jeni. Është faji ynë që ju vazhdoni të talleni me ne, që vazhdoni të vidhni pa u trembur aspak nga “drejtësia”, të cilën e keni nëpërkëmbur siç keni dashur.

Vazhdoni na vidhni dhe talluni me ne, por mos harroni, do të vijë dita kur shqiptarët do të ngrihen dhe do t’ju dërgojnë atje ku e keni vendin, në burg. Do të vijë dita kur paratë që keni vjedhur nuk do t’ju shpëtojnë nga rruga në të cilën jeni nisur, dhe mbrapa hekurave mund të diskutoni edhe për listat tuaja të hapura dhe të shqyera.

Deri kur të vijë ajo ditë, vazhdoni dhe talluni, por mos harroni, ajo ditë do të vijë!

Nga Xhon Metaj

Back to top button
LAJMET E FUNDIT