Yuri Kim jep “ultimatumin”: Gjykata e Lartë funksionale brenda 2020

Prezantimi i “Udhërrëfyesit për funksionimin e Gjykatës së Lartë” ishte qëllimi i takimit të organizuar nga projekti Justice for All (USAID), EURALIUS V, Këshillit të Lartë Gjyqësor me pjesëmarrjen e rëndësishme të drejtuesve të KLGJ, Gjykatës së Lartë si edhe Ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës,Yuri Kim, Ambasadorit të Delegacionit Evropian, Luigi Soreca.
Ky takim i përbashkët ka qenë një mundësi e artë që ndërkombëtarët të njihen me procesin e shqyrtimit të dosjeve, por mbi të gjitha të ngrejnë çështjen e plotësimit sa më parë të vakancave në Gjykatën e Lartë dhe të Kushtetuese.
Gjatë takimit të përbashkët mes palëve prezente në sallë si dhe lidhjeve online, në zbatim të masave anti Covid-19, u diskutua mbi rëndësinë që ka ky udhërrëfyes në kuadër të funksionalitetit të Gjykatës së Lartë, e cila sot është në qëndër të vëmendjes se faktorëve kombëtarë dhe atyre ndërkombëtarë.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim vuri në dukje së sistemi gjyqësor në këto ditë duhet të bazohet pikë së pari tëk rritja e besimit të publikut dhe komunikimi mes palëve. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur dhe do të vazhdojnë të mbështesin Reformën në Drejtësi dhe do të bëjnë ç’është e mundur për të ndihmuar Gjykatën e Lartë, funksionimi i së cilës lidhet me zgjidhjen e disa problemeve kryesore me të cilat përballet sot gjyqësori në Shqipëri. Kim, sipas njoftimit për shtyp, i kërkoi KLGJ-së që të gjejë zgjidhje sa më të efektshme dhe të shpejta për të plotësuar numrin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Edhe Ambasadori i Delegacionit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, theksoi se mungesa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë sjell mungesë të vendimmarrjes duke çuar në uljen e besimit të publikut tek gjyqësori dhe Reforma në Drejtësi.
Për të zgjidhur këtë situatë sipas Soreca është e nevojshme të bashkëpunohet dhe të komunikohet sa më shumë mes palëve me përgjegjësi dhe gatishmëri të madhe. Ambasadori Soreca vlerësoi angazhimin e deritanishëm të tre anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe punën serioze të kryer prej tyre gjatë tre muajve të parë të emërimit në detyrë, si dhe vlerësoi maksimalisht vizionin e Zv.Kryetarit të kësaj gjykate mbi transparencën dhe publikimin në një kohë sa më të shpejtë të vendimeve dhe aktivitetit të gjykatës, për uljen e numrit të çështjeve gjyqësore.
Ambasadorja amerikane me anë të një postimi në rrjetet sociale ka theksuar Gjykata e Lartë duhet të ketë një funksionalitet të plotë para fundit të vitit 2020.
Zv.Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, duke përmendur vështirësitë më të cilat po përballet sot gjykata si dhe anëtarët e saj, renditi problematikat të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëherëshme në mënyrë që të kemi një gjykatë funksionale dhe në shërbim të drejtësisë e mbi të gjitha të publikut. Sipas Sadushit, udhërrëfyesi është një plan veprimi i qartë i cili do të garantojë aksesin e domosdoshëm në drejtësi, uljen e numrit të çështjeve gjyqësore, vendimmarrje të strukturuar e të qëndrueshme drejt orientimit të praktikës gjyqësore.
Ai vlerësoi ndihmën e projektit Drejtësi për të Gjithë i cili së bashku më KLGJ, me anë të “Memorandumit të Përbashkët” bëri të mundur sjelljen e 12 Nëpunësve për Uljen e Numrit të Çështjeve Gjyqësore, të cilët kanë nisur punën për seleksionimin e dosjeve emergjentë për shqyrtim.
Megjithëse aktualisht Gjykata e Lartë funksionon me minimumin e anëtarëve të saj, Kolegji Administrativ, Civil dhe Penal i kësaj gjykate, kanë përballuar prej muajit prill, një punë voluminoze e cila evidentohet në marrjen e 892 vendimeve gjyqësore.